Lajme

Osmani takon Scholz-in: Krenare për partneritetin e qëndrueshëm


Vjosa Osmani dhe Olaf Scholz

“Krenare për partneritetin e qëndrueshëm Kosovë-Gjermani, të cilin ne do të vazhdojmë ta forcojmë”, ka thënë presidentja kosovare Vjosa Osmani, pas takimit me kancelarin gjerman Olaf Shcolz.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në rrjetin social X, Osmani ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga kancelari Scholz, me rastin e 50 vjetorit të anëtarësimit të Gjermanisë në Kombet e Bashkuara (OKB).

E para e vendit e ka uruar kancelarin gjerman për 50-vjetorin e anëtarësimit të Gjermanisë në OKB.

“Një gjysmë shekulli angazhim për paqen, zhvillimin dhe bashkëpunimin global”, shkroi.

Më herët gjatë ditës, presidentja ka njoftuar se është takuar edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Osmani u shpreh e lumtur për ri-takimin me kryediplomatin italian.

Vjosa Osmani dhe Antonio Tajani

“Ne mezi presim të vazhdojmë të punojmë ngushtë së bashku për qëllimet e përbashkëta dhe trajtimin e sfidave të përbashkëta”, shkroi.

Këto takime të Osmanit, janë në kuadër të vizitës së saj në New York, ku është duke u mbajtur Sesioni i 78 i Asamblesë së Kombeve të Bashkuar.

Ndërsa, të hënën, ajo është takuar me Nënsekretarin e Departamentit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Derek Chollt, dhe të Dërguarin Special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me të cilët ka biseduar për zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi.

Këto takime të Osmanit me zyrtarët e lartë amerikanë dhe evropianë vinë pak ditë pas takimit të nivelit të lartë në kuadër dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili përfundoi pa ndonjë rezultat, dhe faji për dështim iu la Kosovës, respektivisht kryeministrit Albin Kurti.

Nga ana tjetër, në një konferencë për media të hënën, Kurti ka akuzuar ndërmjetësin, në këtë rast Emisarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, se është i anshëm, ia mban anën Serbisë dhe mban gjera të fshehura nga shtetet anëtare të BE-së.

Për këto pretendime të kreut të ekzekutivit kosovar ka pasur reagim nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Nga DASh në një përgjigje për Zërin e Amerikës, kanë deklaruar se ata i njohin dhe vlerësojnë përpjekjet e Lajçak-ut në dialog.

Madje DASH edhe e ka falënderuar diplomatin sllovak për “përpjekje të palodhur” në dialog.

“Ne (SHBA) mbetemi të angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Falënderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak”, tha një zëdhënës i DASH për Zërin e Amerikës.

Po kështu zëdhënësi i DASH-it shprehte zhgënjimin mbi mungesën e përparimit në takimin e 14 shtatorit, duke shtuar se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë.

Osmani takon Chollet-in dhe Escobar-in: Roli i ShBA-ve kyç në përfundimin e dialogut

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore