Kosova

Osmani për masakrën e Srebrenicës: Është kujtesë e mizorisë njerëzore


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar 29 vjetorin e masakrës së Srebrenicës, duke thënë se është simbol i nevojës së vazhdueshme për drejtësi, rëndësisë së të vërtetës dhe fuqisë së kujtimit.

“Tmerret e atij kapitulli të errët, kur mbi 8 mijë djem e burra boshnjakë u vranë brutalisht nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, janë kujtesë e mizorisë njerëzore”.

Ajo ka thënë se në këtë ditë duhet të kujtojnë ata që humben jetën pafajësisht.

“Sot, në Ditën Memoriale në shenjë të përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë, nderojmë kujtimin e jetëve të pafajshme të humbura dhe ripërsërisim se paqja e qëndrueshme është e mundur vetëm atëherë kur ka drejtësi për viktimat”, ka shkruar Osmani në rrjetin social ‘Facebook’.

Për viktimat në Srebrenicë, Qeveria e Kosovës paraprakisht kishte mbajtur edhe një minutë heshtje të mërkurën.

Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) miratoi në maj rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

Rezoluta për Srebrenicën kaloi me 84 vota në favor, kundër 19 dhe 68 abstenime.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, më 2007, lëshoi një vendim që thotë se Ushtria e Republikës Srpska kreu gjenocid në Srebrenicë në korrik 1995.

Gjykata e gjeti Serbinë fajtore për mosparandalimin e gjenocidit. Gjykata po ashtu konstatoi se Serbia ka shkelur obligimin për të ndëshkuar kryesit e gjenocidit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore