Kosova

Osmani për 4 vite shpenzoi 4 mijë euro derivate, Kupina: S’ka qenë e informuar për kompensimin


Bekim Kupina dhe Vjosa Osmani

Këshilltari për media e Zyrës së Presidentes së Kosovës, Bekim Kupina, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook ka tentuar ta shfajësoj Presidenten Vjosa Osmani, duke potencuar se kjo e fundit nuk ka qenë e informuar nga administrata e Kuvendit për kompensimin e udhëtimit.

Reagimi i Kupinës vjen pas publikimit të raportit të Kuvendit të Kosovës mbi shpenzimet e deputetëve për derivate ndër vite, ku në këtë listë, Osmani, sa ishte deputete për periudhën 2011-2014 ka shpenzuar rreth 4 mijë euro karburante.

“Në vitin 2010, kur Osmani është zgjedhur deputete për herë të parë, nuk ka ekzistuar asnjë rregullore, me të cilën parashihej kompensimi i deputetëve për udhëtim prej komunave nga vijnë”, fillon statusin e tij në Facebook Kupina.

“Osmani asnjëherë nuk është informuar nga administrata e Kuvendit apo trupat e tjerë të Kuvendit, që ndërkohë është marrë një vendim i tillë për kompensim”, vazhdon statusi.

Sipas Kupinës, Presidentja sa ka qenë deputete nuk ka paraqitur kërkesë për kompensim për udhëtim.

Ai madje ka bërë të ditur se Osmani edhe pse është regjistruar si deputete nga komuna e Mitrovicës, shumicën e kohës ka udhëtuar nga Gjilani për në Prishtinë.

“Që nga dhjetori i vitit 2012, Osmani është martuar në Prishtinë, por edhe më tej, më shumë se gjysmën e vitit (nga fillimi i vitit 2013 e tutje),Osmani i kalon në Gjilan, prej nga edhe ka udhëtuar. Osmani edhe sot e kësaj dite vazhdon që pjesën më të madhe të vitit të udhëtojë nga Gjilani. Përgjatë viteve 2011-2014 që ajo qenka kompensuar me rreth 80 euro në muaj për udhëtimet e mandatit të parë, ajo asnjëherë nuk është informuar rreth kompensimit për udhëtim”.

Ndryshe ditë më parë Kupina, kishte publikuar shpenzimet vjetore të Zyres së Presidentes së Kosovës duke thënë se ka pasur ulje drastike në të gjitha kategoritë.

Sipas tij asnjë cent nuk është shpenzuar dosido.

Për Kupinën racionalizmi i shpenzimeve është parim kryesor që e ka ndjekur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani që nga dita e parë, fillimisht në Kuvendin e Kosovës e më pas në presidencë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore