Osmani pas takimit me veteranët: Ligjin për pagën minimale do ta analizojmë me kujdes të shtuar

SHFLETO

Takimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me Organizatën e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL- UÇK).

 

Altina Marmullaku
18.07.2023 16:39
Loading Icons...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me Organizatën e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL- UÇK), ka thënë se ligjin për pagën minimale do ta analizojnë me kujdes të shtuar.

Përmes një komunikate nga Zyra e Presidencës është thënë se ligji do të trajtohet bazuar në kompetencat kushtetuese të institucionit të Presidencës.

“Në takim me përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, Presidentja Osmani i ka njoftuar ata se Ligji për Pagën Minimale ende ndodhet në Kuvend dhe sapo të vjen në Presidencë do të trajtohet nga ana e ekspertëve ligjorë në Presidencë dhe në përputhje me kompetencat kushtetuese të institucionit të Presidencës”.

“Sipas Presidentes Osmani, ky Ligj do të analizohet nga Zyra e Presidentes dhe më pas do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese e ligjore të Presidentes dhe duke pasur parasysh rëndësinë e trajtimit të dinjitetshëm të këtyre kategorive”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidencës.

Teksa ka thënë se në këtë takim organizata ka shprehur shqetësimin e tyre në lidhje më këtë ligj.

“Organizatën e Veteranëve, Shoqatën e Invalidëve dhe Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve, të cilët i adresuan shqetësimet e tyre në raport me përmbajtjen e Ligjit nr. 08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, që u miratua javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës”.

Në këtë takim, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, kanë prezantuar edhe disa nga sfidat me të cilat përballen këto kategori dhe u dakorduan që të vazhdojnë komunikimin për trajtimin e tyre.

Organizatat e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë përsëritur qëndrimin e tyre se do t’i bllokojnë deputetët që të mos hyjnë në Kuvend po që se dekretohet Ligji për pagën minimale, që nuk garanton rritjen e pensionit të veteranit në lartësinë e pagës minimale.

Prandaj Xhavit Jashari, përfaqësues i familjeve të dëshmorëve pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se kanë kërkuar nga kjo e fundit që mos ta dekretojë Ligjin për pagën minimale.

Veteranët, Osmanit: Mos e dekreto Ligjin për pagën minimale, ia vendos vetes një njollë të keqe

“Qëndrimi i përbashkët i joni është që të mbajmë protestë dhe të bllokojmë tutje punën e parlamentit. Presidentes i bëmë kërkesë që mos ta dekretojë Ligjin që diskriminon kategorinë që ka dhënë shumë në lutën e fundit në Kosovë”, tha ai para gazetarëve.

“Ne do t’i shfrytëzojmë gjitha rrugët ligjore, por do ta kundërshtojmë edhe me protestë, do i pengojmë deputetët të futen në Kuvend”.

Sipas Jasharit, kjo qeveri ka biseduar me kriminelët që t’i largojë veteranët nga benificionet.

“Nëse e nënshkruan këtë Ligj, Osmani ia vënë vetës një njollë të keqe”.

Në anën tjetër kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka bërë të ditur se në takim me Osmanin i kanë paraqitur shqetësimet e tyre përkitazi me shkeljet e ndryshme që vazhdimisht po bënë Qeveria e Kosovës.

Klinaku theksoi se me kryeministrin, Albin Kurti, nuk kanë zhvilluar takime tash e një vit.

“Kjo Qeveri asnjëherë s’ka pasur kontakte me neve sepse ne si organizata të dala nga lufta, kemi bërë shkresa dhe s’janë përgjigjur. Presidentja na u përgjigj, ne i paraqitëm shqetësimet tona që kjo qeveri as protezat s’ua rregullon. Presidentes ia paraqitëm disa gjëra edhe disa ligje që i ka shkelur e i shkel kjo Qeveri”, tha ai.

Ai pas takimit me Osmanin, duke iu referuar një deklarate të Kurtit se është trefishuar numri i veteranëve, pohoi se nuk i takon atij që të merret me këtë çështje kur verifikimi është bërë nga komandantët dhe se dosja për këtë çështje është në Prokurori.

Ndryshe me 60 vota për e një abstenim, të enjten Kuvendi i Kosovës miratoi Ligji për pagën minimale.

Ky ligj parasheh që paga minimale të bëhet 264 euro, megjithatë nga ky ligj nuk do të mund të përfitojnë veteranët e UÇK-së.