Kosova

Osmani para samitit: Kosova do t’i shprehë shqetësimet në mënyrë të barabartë, pavarësisht që s’është në BE


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në samitin e katërt të liderëve të Komunitetit Politik Evropian ka deklaruar se Kosova është shembull i shkëlqyeshëm i demokracisë.

Osmani, para gazetarëve ka thënë se ndonëse Kosova s’është pjesë e BE-së do të diskutoj për sfidat që ka.

“Edhe pse nuk jemi anëtare e Bashkimit Evropian, do të kemi mundësinë e barabartë të shprehim jo vetëm shqetësimet por edhe ide se si mund t’i tejkalojmë disa prej sfidave më të mëdha që kontinenti ynë po i përball”, ka thënë ajo.

“Sot do të jetë ditë ku do të dëgjojmë shumë storie optimiste”, ka thënë ajo.

Ndër të tjera është pyetur edhe për zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), për të cilat potencoi se do të kenë ndikim në raportet mes vendeve të botës.

“Sigurisht që kush do të jetë presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndikon edhe në marrëdhëniet me pjesën tjetër të botës, megjithatë ky është një vendim që duhet ta marrin vetë qytetarët e Shteteve të Bashkuara”.

Ajo ka vlerësuar mbështetjen e SHBA-ve në Kosovë përgjatë kohërave të ndryshme.

“Kosova ka pasur fatin që gjithmonë të ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Ne u bëmë të lirë gjatë presidencës demokratike, por u bëmë të pavarur gjatë presidencës republikane dhe në çdo administratë kemi pasur mbështetjen e jashtëzakonshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Presidentja Osmani, ka udhëtuar për në Mbretërinë e Bashkuar, për të marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian.

Gjatë këtij samiti, Osmani pritet të riafirmojë përkushtimin e Kosovës për forcimin e aleancave dhe përafrimin e saj me institucionet euroatlantike.

Osmani do të marrë pjesë në dy sesionet plenare të Samitit, si dhe në tryezën e rrumbullakët të liderëve me temë “Mbrojtja e demokracisë: luftimi i manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja”.

Ndryshe, Osmani përfaqësoi Kosovën në aktivitetin përmbyllës të Samitit të NATO në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ftesë të Joe Biden, ku m ç’rast në përfundim të samitit, ka pasur rastin ta takoi Biden, “të cilin e ka falënderuar për kontributin dhe përkushtimin e tij ndaj Kosovës”.

Pjesëmarrjen në këtë aktivitet të Samitit të NATO-s, Osmani e ka vlerësuar të një rëndësie të veçantë për shtetin e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore