Kosova

Osmani mohon raportimet: Po rrezikohet jeta ime dhe e familjes, autoritetet po e hetojnë rastin   


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një statusi në platformën sociale, Facebook, i ka mohuar të gjitha pretendimet se ajo dhe bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu, kanë qenë në dijeni për motivet e rastit që quan deri në vrasjen e 89 vjeçarit (Sadri Sadriu që pretendohet të jetë axha i Prindon Sadriut) nga një zyrtar policor (Festim Ramadani që pretendohet të jetë familjar i të ndjerit).

Osmani ka bërë të ditur se ajo i ka njoftuar “institucionet e sigurisë” dhe se është “në përgatitje e sipër të të gjitha mjeteve ligjore”.

“I njoftoj qytetarët e Kosovës se asnjë njohuri e asnjë lidhje me rrethanat që shpien në vrasjen e mbrëmshme nuk kam as unë e as bashkëshorti im, e aq më pak njohuri për ndonjë rast dhunimi”.

Mediumi, Nacionale.com, duke u thirrur në burime, raportoi të shtunën se ‘motivi i vrasjes’ në Komunën e Ferizajit ishte ‘dhunimi i dy motrave të dorasit, Festim Ramadanit, nga ana e viktimës, Sadri Sadriu, kur ato ishin të mitura’.

Për rastin në fjalë, sipas burimeve të Nacionale.com, ishte i informuar edhe Prindon Sadriu, por edhe vetë Vjosa Osmani. Një gjë të tillë, Nacionale.com, ka tentuar të faktojë me disa fotografi, përmes të cilave pretendohet se Prindon Sadriu e Vjosa Osmani, ishin pjesë e një grupi të komunikimit në platformën sociale, Facebook, ku familja Ramadani kishte rrëfyer gjitha pretendimet e tyre për viktimën Sadri Sadriu.

Osmani përveç se ka mohuar të gjitha këto pretendime, ajo ka potencuar se “kjo lidhje e rrejshme dhe e rrezikshme është bërë me vetëdije të plotë dhe me qëllim të rrezikimit të jetës sime dhe familjes sime” dhe ka për qëllim të qartë “nxitjen e urrejtjes, e cila pastaj rezulton në dhunë”.

“Ndërkohë që autoritetet kompetente po e hetojnë rastin, tregon tendencën e drejtpërdrejtë të tyre për rrezikim te jetës, duke na implikuar rrejshëm madje edhe në gjoja ndërhyrje në drejtësi”, ka potencuar Osmani.

“Ftoj sërish të gjitha organet e sigurisë dhe ato të drejtësisë që t’i hetojnë me prioritet të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje e njëkohësisht edhe veprimet e këtij portali dhe portaleve të ngjashme që kanë qëllim të qartë për të rrezikuar jetën dhe nxitur urrejtje, e që këtë mision po shihet se e kanë edhe portalet e Serbisë”, ka shtuar ajo.

Sadri Sadriu mbeti i vrarë të premten në fshatin Bibaj të Ferizajt, pasi zyrtari policor, Festim Ramadani, gjuajti me armë zjarri në drejtim të tij, në oborrin e një salle dasmash.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore