Kosova

Osmani me ministrin Guler, diskutojnë për situatën e sigurisë në Kosovë dhe sulmin e 24 shtatorit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministri i Mbrojtjes, Yaşar Guler.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yaşar Guler, me të cilin ka diskutuar për situatën e 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit,

Përmes një komunikate për media nga Zyra e Presidencës, është thënë se kanë gatishmërinë për të bashkëpunuar me aleatët në këtë drejtim.

“Në takim, Presidentja Osmani foli edhe për gjendjen aktuale të sigurisë në Kosovë, si dhe për aktin e agresionit dhe sulmin terrorist të Serbisë që ndodhi më 24 shtator në Republikën e Kosovës, me ç’rast potencoi se garantimi dhe mbrojtja e sigurisë në vend janë prioritet”.

“Konfirmoi gatishmërinë dhe rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët në këtë drejtim”, thuhet në komunikatën e zyrës së Presidencës.

Po ashtu, u diskutua edhe për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe Turqisë.

“Gjatë takimit me ministrin u diskutua për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me theks të veçantë në trajnimet e FSK-së dhe shkëmbimin e intensifikuar me qëllim të avancimit të bashkëpunimit të përgjithshëm në fushën e sigurisë”.

Ai tutje e ka falënderuar Kosovën për ndihmën që i ka ofruar Turqisë pas tërmetit shkatërrues.

“Ministri konfirmoi mbështetjen e palëkundur për Kosovën. Më tej, Ministri Guler u shpreh mirënjohës ndaj Republikës së Kosovës veçmas me solidarizimin dhe ndihmën që Republika e Kosovës i pati ofruar Turqisë pas tërmetit shkatërrues në këtë shtet”.

Vizita e Guler në Kosovë ndodh pak ditë pasi komandant i KFOR-it u emërua gjenerali turk, Ozkan Ulutas.

Këtë mandat, Ulutas do ta ushtrojë për një vit.

Përndryshe, kjo do të jetë hera e parë që një zyrtar ushtarak turk komandon një mision paqeruajtës të NATO-s në Kosovë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999.

Turqia zyrtarisht ka marrë përsipër komandën njëvjeçare të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), në një periudhë kur harku i tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është zgjeruar jashtëzakonisht shumë, posaçërisht pas sulmit terrorist të 14 shtatorit në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore