Kosova

Osmani kërkon nga Zvicra përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadori i Zvicrës, Thomas Kolly.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar të hënën me ambasadorin e Zvicrës, Thomas Kolly, për të diskutuar rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sipas presidentes, anëtarësimi në këtë organizatë është në dobi të të gjithë qytetarëve.

“Presidentja Osmani ka falënderuar shtetin zviceran, i cili ka mbështetur Kosovën përgjatë gjithë procesit të përpjekjeve për pavarësinë dhe shtetndërtimin. Presidentja Osmani ka kërkuar edhe më tej mbështetjen zvicerane ndaj Kosovës në procesin e anëtarësimit të Kosovë në Këshillin e Evropës”, është thënë nga Zyra e Presidencës.

Osmani ka kërkuar që përkrahja në këtë drejtim nga Zvicra vetëm do e fuqizonte procesin.

“Prandaj, përkrahja e fuqishme e Zvicrës në këtë proces është e domosdoshme dhe kontribuuese për avancimin e të drejtave të njeriut”.

Këshilli i Evropës.

“Në këtë takim u konfirmuan edhe njëherë marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të Republikës së Kosovës dhe Zvicrës, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit të mëtejmë”.

Teksa, presidentja ka falënderuar Zvicrën për mbështetjen ndaj Kosovës.

Ndryshe, Këshilli i Evropës kishte konfirmuar se aplikimi i qeverisë së Kosovës, përmes kryediplomates Donika Gërvalla, është marrë të enjten e 12 majit.

“Mund të konfirmojmë se aplikimi për anëtarësim është marrë”, shkruan fillimisht Dushan Vojnoviç për Albanian Post.

Drejtori i Komunikimeve për Ballkanin Perëndimor në KiE theksoi se aplikimi po i transmetohet Komitetit të Ministrave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore