Kosova

Osmani, diasporës: Kosova tani më shumë se kurrë ka nevojë për ju


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një mesazhi dërguar diasporës e ka vlerësuar bujarinë dhe përkushtimin e tyre për atdheun – duke thënë se Kosova tani më shumë se kurrë më parë ka nevojë për ju

Osmani përmes një video të publikuar në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë për diasporën e Kosovës që është “e jashtëzakonshme”.

“Malli për Kosovën është një lidhje që na bashkon, kudo që të na çojë jeta. Kthimi juaj këtu forcon identitetin tonë kolektiv dhe na kujton shpirtin e qëndrueshëm të popullit tonë. Kosova tani më shumë se kurrë ka nevojë për ju”, u shpreh ajo.

Së bashku me mërgatën ajo ka thënë se do të ndërtohet e ardhmja e Kosovës.

“Përvojat, aftësitë dhe perspektivat tuaja janë tejet të çmueshme, ndërsa ne vazhdojmë ta ndërtojmë një të ardhme më të ndritshme për atdheun tonë të dashur. Ju ktheheni në vatrat tuaja Ju ktheheni në Kosovën tuaj, atdheun tuaj shpirtëror. Dyert, zemrat dhe shtëpitë tona janë të hapura sepse ju jeni zemra dhe shpirti i Kosovës”.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në Kosovë, Liza Gashi, kishte bërë të ditur se në kuadër të procesit të regjistrimit të popullsisë, deri në muajin prill ishin regjistruar 180 mijë qytetarë nga diaspora, nga të cilët afër 50 mijë janë regjistruar në kuadër të platformës online eDiaspora.

1 miliard e 12.6 milionë euro ishte vlera e remitencave që ishte dërguar deri në muajin shtator të 2023-së, duke shënuar rritje prej 11 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

Ndërkaq për vitin 2024, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) akoma s’ka publikuar ndonjë raport për vlerën e remitencave të diasporës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore