Lajme

Opozita në Maqedoni të Veriut lëshon kuvendin kur po diskutoheshin ndryshimet ligjore për Korridorin 8


Deputetët e VMRO-DPMNE-së kanë dalë nga kuvendi, duke refuzuar kështu diskutimet rreth ndryshimeve ligjore të cilat do të mundësonin ndërtimin e Korridorit 8.

Me arsyetimin se nuk kishin kohë për të mjaftueshme për të parë propozim ndryshimet e reja ligjore dhe mënyrën e procedimit të tyre në Kuvend ata lanë debatin duke dalë nga salla.

“Për aq koha sa ky projekt, në thelb, i mirë infrastrukturor është i ngarkuar me dyshime dhe me koordinator të llojit të Artan Grubit, për aq kohë sa zgjidhet mbikëqyrësi në mënyrë të dyshimtë, për aq kohë sa dorëzohen ligje në Kuvend të premten për t’u shqyrtuar të hënën, në kohë shumë të shkurtër dhe jashtë procedurës, për aq kohë sa deputetët firmosin për procedurën dhe jo qeveria e cila fshihet nga përgjegjësia, do të mbisundojë fakti se dyshimet me dëshirë për korrupsion, krim dhe marrëveshje të dyshimta do të jenë pjesë e këtij projekti”, deklaroi Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

Sipas LSDM-së, procedura në Kuvend mundëson debat dhe transparencë të mjaftueshme.

“As nuk ikim nga debati dhe as nuk duam që diçka të miratohet me shpejtësi, vetëm i shohim problemet që ndodhin në terren duke pasur parasysh projektet e mëhershme infrastrukturore që ndërtohen në shtet. Nuk them as nuk fshehim diçka dhe as nuk shpejtojmë këtë e konfirmojmë me atë që me gjithsej 8 ligje, 7 janë nëpër komisionet të cilat i drejton opozita”, u shpreh Jovan Mitreski, koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së.

Nevoja për këto ndryshime nuk u mbështet as nga katër deputetë të shumicës të cilët vinë nga partitë më të vogla. Disa prej tyre votuan kundër dhe disa të përmbajtur, në tetë propozimet që u vendosën në rend dite. Edhe këto deputetë kërkuan debat dhe shqyrtim publik të ligjeve nga ana e ekspertëve.

“Unë nuk vlerësoj se dikush, kushdo që ai të jetë, duhet të privilegjohet aq shumë për shkak se do të bëjë ndonjë projekt infrastrukturor i cili është në interes të qytetarëve”, tha Maja Moraçanin, kryetare e Ripërtëritjes Demokratike të Maqedonisë.

Nevoja për procedimin e mëtejmë të ligjeve kaloi me mbështetjen e 57-58 deputetëve. Ligjet me procedurë të shkurtuar do të shqyrtohen në komisionet përkatëse gjatë ditëve në vijim.

Korridori 8 është projekt infrastrukturor që, veç tjerash, ndërlidhë përmes linjave rrugore gjithë hapësirën shqiptare në Maqedoni me pjesën e Shqipërisë dhe më gjerë.

Gurthemeli u vu me 4 prill, por punimet do të nisin pak më vonë, me 22 prill të vitit 2023.

Korridori 8 nis nga Tetova ku deri në Gostivar do të ndërtohet autostradë tërësisht e re, me gjashtë korsi. Autostradë e re do të ndërtohet edhe nga Gostivari në Kërçovë. Më pas në Kërçovë lidhet me projektin i cili aktualisht është duke u ndërtuar nga qeveria maqedonase, i ashtuquajtur “projekti kinez”, i cili lidh Kërçovën me Ohrin. Në Fshatin Trebenishtë bëhet ndarja për në qytetin e Strugës dhe në Qafthanë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut aktualisht është në bisedime me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë për të ndryshuar vendkalimin kufitar nga Qafa e Thanës. Që ky projekt të ketë kosto më të ulët në këtë pikë dhe rreth 15 kilometra më pak, po kërkohet që pika kufitare në këtë zonë të ulet pak më poshtë.

Pastaj në Shqipëri, lidhja e kësaj autostrade bëhet në fshatin Bushtricë, pas qytezës Prenjac. Më pas i mbetet Qeverisë së Shqipërisë për të vendosur nëse lidhja do të bëhet përmes Rogozhinës apo përmes Librazhdit në Elbasan. Që në fund fare ky projekt të lidhet me Durrësin, Portin e Thatë.

Projekti i Korridorit 8 do të shtrihet në gjatësi prej 68 Km, ndërsa Korridori 10-D, në gjatësi prej 40 km autostradë me 6 korsi, që do të lidhë Prilepin me Manastirin.

Projekti historik Korridori 8 dhe ai 10 D, do të finalizohet në periudhë prej 6 viteve që nga fillimi i punimeve.

Realizimi i këtij investimi më të madh kapital në historinë e Maqedonisë së Veriut do të kontribuojë në ekonominë, modernizimin e infrastrukturës rrugore, e në të ardhmen do të mundësojë zhvillim shtesë të shërbimeve, kushte më të mira për zhvillimin e biznesit, jetë cilësore dhe lidhje me fqinjët dhe korridoret ndërkombëtare.

Pasqyruar edhe në harta historike, si “Rruga Egnatia” e perandorisë Romake, ishte zgjatimi lindor i “Rrugës Appia” që lidhte Romën me Brindisin dhe ajo lidhte Adriatikun me Bosforin.

Sot i njëjti projekt lidh Barin dhe Brindisin në Itali me bregun lindor të Adriatikut dhe vazhdon deri në brigjet e Bullgarisë.

Në vitin 2002, Italia, Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Turqia nënshkruan në Bari një Memorandum Mirëkuptimi për projektin që synonte harmonizimin e parametrave teknikë dhe caktimin e projekteve që do të kryheshin përgjatë aksit të Korridorit, së bashku me shkëmbimin e informacionit, formulimin e rregulloreve për investimet, parakushtet për përdorim më efikas të fondeve dhe asistencë teknike si nga subjektet publike ashtu edhe ato private. Por ndryshimet e asaj kohe brenda Bashkimit Evropian, i dhanë përparësi një tjetër projekti infrastrukturor, TEN-T, për vendet anëtare të saj. Por nga shtete që do të zhvillonin Korridorin 8, vetëm dy ishin dhe janë pjesë e BE-së, Italia dhe Bullgaria, që morën edhe financimet.

Korridori 8 është një nga dhjetë korridoret e rrjetit të Transportit pan-evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore