Kosova

Opozita kritikon Qeverinë për menaxhim jo të duhur të buxhetit


Komisioni për Buxhet

Të mërkurën në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku është bërë shqyrtimi i raportit vjetor financiar i Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2023, partitë opozitare kanë adresuar kritika të shumta për Qeverinë e Kosovës për sa i përket menaxhimit të buxhetit.

Sipas deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, për tre vjet Qeveria e Kosovës ka menaxhuar plotë 11 miliardë euro, por që efekti i një shume të tillë nuk është vërejtur askund.

“Shpenzimet kapitale kanë qenë shumë të ulëta, dhe si rezultat vendit i mungojnë rreth 1 miliardë euro në qarkullim”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Subvencionet, sipas Hotit, janë rritur shumë, e një gjë e tillë, në vlerësimin e tij, tregon që ka thellim të varfërisë dhe mungesë të politikave zhvillimore.

“Pagesat për avance në rritje enorme, të cilat në vitet 2021-2023 kanë qenë afër 200 mil euro. Politikë të kursimeve nuk ka: (a) shpenzimet për qira për institucione vazhdojnë të jenë të larta, (b) blerja e librave ka kushtuar shumë më shtrenjtë dhe (c) prokurimet njëburimore janë rritur”, ka shtuar ai.

Sipas Hotit, gjatë tre vjet qeverisje ka pasur edhe rritje të tatimeve, por jo e edhe politika tatimore.

“Borxhi i Qeverisë ndaj publikut është rritur. Borxhi i publikut ndaj Qeverisë është rritur. Pagesat për vendime të gjykatave janë rritur, të cilat për 2021-2023 kanë qenë 86 milionë euro”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore