Kosova

Opozita: Koalicioni “Zdravo” e mbylli seancën e fundit me turp


Partia Demokratike e Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se u është pamundësuar që të mbajnë një seancë të jashtëzakonshme ashtu siç kishin kërkuar që të marrin një sqarim për implikimin e kriminelit dhe terroristit, Milan Radojiçiç, në vendimmarrje në Parlamentin e Kosovës dhe në Qeveri.

Tahiri, në një konferencë për media ka thënë se seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës është mbyllur të premten në mënyrën më “të turpshme” të mundshme.

“Në mënyrën më të turpshme të mundshme ky koalicion, pra koalicioni “Zdravo”, e mbylli këtë seancë për të cilin ishim ftuar që të jetë seanca e fundit e sesionit pranveror dhe vetëm për të na pamundësuar që të diskutojmë rreth aferës “Zdravo”.

Ai tutje ka thënë se shqetësuese është edhe keqpërdorimi i ministres Rozeta Hajdari me rezervat shtetërore.

“E dyta që po ashtu është shumë shqetësuese, është për abuzimet që janë duke ndodhur në Ministrinë e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrjes që drejtohet nga Rozeta Hajdari që edhe mbrëmë me zë janë faktuar të gjitha. Kjo Qeveri që i vjedh këto rezerva shtetërore, çka duhet të presim më shumë?”.

Partia Demokratike e Kosovës.

Ai ka thënë se janë duke punuar që numri i votave që Kosova të shkoj në zgjedhje të sigurohet.

“Jemi të angazhuar maksimalisht që ata numra të sigurohen, jemi të angazhuar maksimalisht që ky Kuvend të shpërbëhet, pse duhet të shpenzohen taksat e qytetarëve të Kosovës, me njerëz kaq të papërgjegjshëm”.

Tahiri, ka shtuar se përveç që do e dërgojnë këtë koalicion në shtëpi, një pjesë e tyre do të shkoj edhe në burg.

“Jemi duke parë që këtu kemi të bëjmë me një koordinim të ngushtë me Rajdoçiç-in. Të bëhemi pjesë e një koalicioni të madh që e dërgon koalicionin “Zdravo” në shtëpi, në fakt jo vetëm në shtëpi, disa do të shkojnë në shtëpi e disa në burg”.

LDK: Kjo Qeveri s’mund të vazhdoj 

Edhe shefi i grupit parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se mënyra se si u mbyll seanca e fundit është shkelje procedurale e demokratike.

“Ne kemi një situatë krejtësisht të re që kjo Qeveri s’mund të vazhdoj më. Mënyra se si u mbyll sesioni duke u pamundësuar deputetëve që të deklarohen është po ashtu shkelje procedurale e demokratike si dhe shkelje kushtetuese”, tha Gashi para mediave.

Ai për mos-mbajtjen e seancës ka thënë se Qeveria zgjodhi që t’i largohet përgjegjësisë.

“Si duket Lëvizja Vetëvendosje ka preferuar heshtjen dhe ikjen nga përgjegjësia”.

Lidhja Demokratike e Kosovës.

I pyetur për situatën e re politike dhe mbështetjen e mocionit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për ta rrëzuar Qeverinë e Kosovës, ai ka thënë se duhet të ketë vota edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Por, u shpreh se tashmë janë bërë një sërë arsyesh për ta rrëzuar Qeverinë aktuale.

“Po deklaroj që Kosova, s’mund të vazhdoj shtatorin me sanksione, s’mund të vazhdoj me një Qeveri me skandale si ai “Zdarvo” dhe ai me vaj.

“S’mund të vazhdoj me një Qeveri që ankohet se opozita po i dërgon ligjet në Gjykatën Kushtetuese, ky mentalitet, kjo shkallë e korrupsionit dhe prishjeve me partnerët ndërkombëtar janë të papërballueshme për Kosovën”.

“Do të shohim se a do të ketë brum edhe brenda Lëvizjes Vetëvendosjes, që do të dalin dhe do të votojnë një mocion që ta rrezojmë Qeverinë në vjeshtë sepse përndryshe është e pamundur”.

AAK, Qeverisë: “Zdravo Zejtin”

Edhe shefi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se mos-mbajtja e kësaj seancë ka ndodhur vetëm për shkak të ikjes së përgjegjësisë.

Duke thënë se me anulimin e kësaj seancë “është anuluar edhe një marrëveshje ndërkombëtare shumë e rëndësishme për bursa të studentëve”.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

“Ne jemi në tempullin e demokracisë në vendin ku duhet të konfrontohet e vërteta. Sot jeni dëshmitar të anulimit të qëllimshëm të një seance vetëm e vetëm për t’i ikur përgjegjësisë së vërtetë të skandalit “Zdravo” që tash e ka edhe një mbiemër “Zdravo Zejtin”, deklaroi Tahiri.

“Në rrafshin e brendshëm kudo që e kanë prekur kanë dështuar”.

Në mungesë të kuorumit, nënkryetarja Saranda Bogujevci, ka propozuar që seanca e së premtës të mbyllet.

Seanca ishte e fundit për sesionin pranveror. Kuvendi do t’i kthehet punës në shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore