

Prishtina është një qytet që i ka parë të gjithë. Ka duartrokitur të rinjtë me diploma të mëdha, ka toleruar eksperimentet e aventurierëve politikë, ka duruar arkitektët që u mbyllën në studio dhe liderët që humbën rrugën sapo morën çelësat e zyrës. Është qytet që të voton një herë nga shpresa dhe të heq përgjithmonë nga zhgënjimi. Për ta fituar, nuk mjafton të jesh i zgjuar, i shkolluar dhe i organizuar, sepse ata kanë zhgënjyer në së shumti, por duhet të jesh dora që prek gurin, ndalon betonin dhe i jep qytetit shijen që ka humbur. Dhe kjo është prova e Uran Ismailit.
Që nga koha e Isa Mustafës, Prishtina nuk ka parë një ndryshim të vërtetë. Nga ajo kohë ka vetëm zhgënjim dhe pashije. Qyteti ka mbetur pa dorë që kujdeset për të, pa harmoni në zhvillim dhe pa respekt për hapësirën publike. Çdo kryetar i mëpasshëm ka premtuar më shumë se ç’ka bërë, duke e lënë kryeqytetin një mozaik të betonit dhe improvizimeve.
Në këtë skenë hyn Uran Ismaili – i diplomuar në Harvard për politikat publike, me përvojë të gjatë menaxheriale në biznes privat dhe administratë, dhe me reputacionin e një figure të artikuluar, konkret dhe me shije. Është ndoshta i vetmi kandidat që ka ndërtuar vetë bazën e tij elektorale në Prishtinë, pa trashëguar struktura të gatshme, dhe që e lexon qytetin si treg i gjallë idesh.
“Prishtina nuk mund të jetë vetëm një vend për të kaluar, por një vend ku duam të jetojmë,” thotë ai shpesh, një fjali që synon zemrën e votuesit urban.
Në zgjedhjet e kaluara, Uran Ismaili bëri fushatën më të mirë në kryeqytet. E kishte energjinë, mesazhin, organizimin dhe për herë të parë krijoi perceptimin se PDK-ja mund të jetë e pranueshme në Prishtinë. Ai solli një format të ri komunikimi , takime të vogla, prezantim vizionesh, gjuhë moderne politike. Por nuk fitoi. Jo për mungesë performance, por sepse PDK mbetet një parti me ngarkesë të fortë historike në kryeqytet, sidmos nga strukturat ish-komuniste, dhe barrierën e perceptimit e zbuti shumë, por nuk e kaloi dot.
Duhet ta kthejë strukturën e ish-LPK brenda PDK dhe ata që kanë qenë me LKÇK. Nuk janë pak,por janë të hidhëruar. Megjithatë, rezultati ishte i rëndësishëm: PDK doli shumë më mirë në Prishtinë se në shumë qytete të tjera. Tregoi se një kandidat i zgjedhur mirë dhe një fushatë e pastër mund të zbusë paragjykimet dhe të rrisë bazën. Ky është kapitali politik me të cilin Uran Ismaili hyn në këtë garë.
Esenca e kësaj gare është pyetja: a do të hyjë në balotazh dhe me kë? Nëse Vetëvendosja hynë në balotazh me Hajrulla Çekun, Uran Ismaili e ka realisht shansin të jetë në fitoren finale. Në atë rast, gara bëhet për votat e zhgënjyera nga dy mandatet e fundit – një terren ku ai mund të gjejë përkrahje edhe jashtë PDK-së. Por nëse balotazhi është me Përparim Ramën, ai do të përballet me një sfidë tjetër. Duhet ta bindë publikun se është më shumë se një menaxher i mirë , se është lideri që ka dorën për të bërë qytet.
Dhe pikërisht këtu hyn edhe faktori i tretë, Besa Shahini. Ajo nuk rrezikon të hyjë në balotazh, por mund të tërheqë një pjesë të votës urbane, dhe votën e shumë grave, kritike ndaj dy mandateve të fundit, që në një rrethanë tjetër do të mund t’i shkonte Uran Ismailit. Për të, kjo do të ishte një pengesë e qetë, por reale, sepse ajo mund të bëhet zëri i qytetarëve që kërkojnë një alternativë qytetare pa lidhje me PDK-në ose VV-në. Në një garë të ngushtë, çdo votë e tillë mund të jetë diferenca mes balotazhit dhe humbjes së mundësisë për të hyrë në të. Prandaj, Besa do të jetë befasia e këtyre zgjedhjeve.
Kundërshtarët e pranojnë kualitetin e tij në menaxhim dhe thonë se Uran Ismaili është i fortë. Por ata dyshojnë në aftësinë e tij për t’u përballur me figurat e forta të UÇK-së dhe me presionet e ndërtuesve që kanë kapur planifikimin urban.
Ai mban mbi shpinë respektin, burrërinë dhe miqësinë e Kadri Veselit, një mbështetje që është njëkohësisht aset dhe peshë politike. Sepse në Prishtinë, problemi i PDK-së nuk është fushata, por vetë emri i partisë. Për këtë arsye, ai e ka nisur fushatën me një mesazh të drejtpërdrejtë: “Nuk ka asnjë arsye pse qendra e Prishtinës të jetë e mbyllur për njerëzit.” Është një goditje ndaj Përparim Ramës, por edhe një përpjekje për të treguar se nuk frikësohet të hyjë në territore simbolike.
Prishtina nuk është vetëm sheshi. Është “Kodra e Trimave” ku fëmijët ecin në baltë. Është “Mati 1” e “Mati 2” ku hapësirat publike janë bosh nga çdo pemë. Është “Veterniku” i vilave të mbyllura dhe “Bregu i Diellit” i bllokuar nga trafiku. Është ajri që rëndon më shumë se makinat. Është shija e humbur.
Dhe Uran Ismaili e di këtë: “Nuk dua të ndërtoj vetëm për syrin, dua të ndërtoj për jetën e përditshme”. Një qytet nuk matet me sheshin. Matet me lagjet. Dhe pyetja është: a do të jetë ai kryetari që zbret në çdo lagje, apo ai që mbetet në qendër, duke menaxhuar simbolet?
Për Uran Ismailin, PDK është një shpatë me dy tehe. Si aset, ajo i ofron infrastrukturë organizative, strukturë të fortë në terren dhe mbështetje nga rrjete të konsoliduara që lidhen edhe me respektin personal që gëzon nga figura si Kadri Veseli. Edhe pse Veseli është sot në Hagë dhe kjo e bën të pamundur një përkrahje të hapur, ndikimi i tij në terren nuk është zhdukur. Ky ndikim, i kombinuar me aftësinë e Uranit për të tërhequr votues të rinj, mund të krijojë një bllok të fuqishëm politik. Por si peshë, PDK mban mbi vete historinë e konfliktit politik, për ish komunistët e qytetit, dhe perceptimin e qytetarëve që e shohin si parti të lidhur me të shkuarën. Sfida e Uranit është ta kthejë këtë trashëgimi nga barrë në vlerë, ta shesë si stabilitet dhe aftësi për të marrë vendime të mëdha, jo si mbetje të një epoke të kaluar.
Prishtina është qyteti me më pak shije në rajon, dhe kjo nuk ndryshohet vetëm me marketing. Kërkon dorë. Dora që kujdeset për një shesh si për një dhomë të shtëpisë, dhe për një lagje periferike si për oborrin personal. Uran Ismaili e ka mjetin, përgatitjen, aftësinë, energjinë. Por nuk dihet nëse ka vendosmërinë për t’u përballur me forcat që ia morën dorën këtij qyteti shumë kohë më parë. Sepse Prishtina nuk ka nevojë për dikë që di të fitojë një fushatë, ka nevojë për dikë që di të fitojë mbi qytetin e vet.
Sepse Prishtina ka parë burra që fituan me premtime dhe ikën me justifikime, dhe këtë herë nuk besohet se rrezikon të shohë edhe një tjetër që vjen për të bërë histori, por mbaron duke bërë vetëm inaugurime.