SPAK nuk është ‘lule mos më prek’

Pavarësia e drejtësisë është themel i shtetit, por ajo nuk qëndron mbi Kushtetutën dhe as mbi balancën e pushteteve
Albatros Rexhaj
Loading Icons...
test12

SPAK nuk është ‘lule mos më prek’

Albatros Rexhaj
Loading Icons...

SPAK-u u ngrit si një shpresë për shqiptarët. Si një dritë që hyn në një dhomë ku për vite me radhë ishte jetuar në gjysmëerrësirë. Ne e kërkuam atë dritë, sepse kjo republikë nuk mund të jetojë pa drejtësi.

Por çdo republikë përballet me të njëjtën pyetje të vjetër: rojtarët na ruajnë ne, por kush i ruan rojtarët?

Pavarësia e drejtësisë është themel i shtetit, por ajo nuk qëndron mbi Kushtetutën dhe as mbi balancën e pushteteve. Kur një pushtet fillon të shtrihet përtej kufijve të vet, republika nuk bëhet më e fortë. Ajo bëhet më e pasigurt.

Unë kam dyshimet e mia nëse SPAK po ecën gjithmonë brenda binarëve të vet kushtetues. Ndonjëherë duket sikur nuk është vetëm roje e ligjit, por edhe aktor në skenën politike. Mund të jem gabim. Por dyshimi nuk është krim. Është e drejtë legjitime e çdo qytetari në një demokraci.

Kur informacionet rrjedhin dhe operacionet dështojnë, kur dosjet flasin më parë në media se në gjykatë, kur ushqehen thashetheme dhe krijohet ndjesia se “prapa nesh qëndron Amerika” si një fuqi që i bën të paprekshëm, atëherë diçka në ekuilibër fillon të lëkundet.

SPAK-u nuk është një lule “mos më prek”. Nuk është institucion i imunizuar nga kritika dhe mbikëqyrja publike. Ashtu si çdo pushtet tjetër në këtë vend, duhet të jetojë nën dritën e debatit. Dhe unë nuk kam ndërmend të ndalem nga synimi për të kontrolluar rojtaret që na kontrollojnë e na ruajnë ne.

Sepse në fund, përgjigjja vjen nga ne: nga qytetarët e këtij vendi, nga njerëzit e debatit, nga zërat që nuk pranojnë heshtjen. Në një republikë të shëndetshme, rojtaret i ruan ndërgjegjja publike. Dhe ajo ndërgjegje jemi ne.