KRIZA SI USHQIM I PUSHTETIT

Në Kosovë, krizat politike shpesh shihen si dështime të sistemit. Megjithatë, problemi nuk është dështimi i sistemit por orkestrimi i qëllimshëm i krizave.
Afrim Haliti
Loading Icons...
test12

KRIZA SI USHQIM I PUSHTETIT

Afrim Haliti
Loading Icons...

Në Kosovë, krizat politike shpesh shihen si dështime të sistemit. Megjithatë, problemi nuk është dështimi i sistemit por orkestrimi i qëllimshëm i krizave.

Diskursi rreth zgjedhjes së presidentit e ka ekspozuar këtë logjikë më shumë se çdo ngjarje tjetër politike në kohët e fundit. Në shikim të parë, ajo i ngjan një bllokimi tipik institucional. Megjithatë, kjo nënkupton diçka tjetër, një manovër politike ku moszgjidhja e problemit bëhet vetë instrument i pushtetit.

Shumë kritika përqendrohen në qasjen konfrontuese të Albin Kurtit, përplasjet e tij me opozitën ose te tensionet e tij të vazhdueshme me aleatët ndërkombëtarë. Por këto janë thjesht simptoma derisa aspekti më intrigues në fakt është strukura politike që ka krijuar ai.

Albin Kurti sigurisht është politikani i parë në Kosovë që e ka kuptuar se në demokracitë e brishta udhëheqësi më i fuqishëm nuk është ai që prodhon stabilitet por ai që e mban kontrollin mbi kriza.

Që nga fillimi i karrierës së tij politike, Albini ka funksionuar përmes një mekanizmi të përcaktuar qartë, pra se politika duhet të ndërtohet rreth një “kundërshtari” permanent. Fillimisht, ishte establishmenti i pasluftës. Pastaj partitë tradicionale. Pastaj ndëkombëtarët që “përziheshin shumë”. Ndërsa sot pëngesë paraqitet vetë sistemi institucional.

Ky mekanizëm mbart një efekt të rëndësishëm psikologjik në politikë duke bërë që diskursi publik të largohet nga politikat konkrete dhe të përqendrohet rreth liderit. Kësisoj çdo krizë shndërrohet në plebishit simbolik pro apo kundër Albin Kurtit.

Në këtë mënyrë, edhe tash sa është në pushtet, Albin Kurti vazhdon të funksionojë me mentalitetin e një figure opozitare. Lëvizja politike që ai kryeson lindi përmes protestave konstante irracionale duke bërë që energjia e saj politike të ushqehet në mënyrë të pandërprerë nga krizat. Natyrshëm që stabiliteti institucional ia shkatërron këtë energji.

Nga kjo premisë, krizat e shkaktuara nuk janë thjesht ngjarje të rastësishme. Ato ia mbajnë gjallë narrativen politike.

Nga kjo logjikë duhet të përceptohet edhe ideja e tij për të përfshirë një anëtar nga familja e Jasharëve në garën për president. Kjo në pamjen e parë dukej se ishte akt simbolik i respektit kombëtar. Megjithatë, në politikë, simbolet më shumë se shpesh përdoren për të kamufluar një axhendë tjetër.

Kur një simbol i tillë i madh mbivendoset mbi një institucion ceremonial, vetë institucioni e humb rolin e tij politik. Simboli vazhdon të mbijetojë derisa institucioni si i tillë bëhet thjesht irrelevant.

Këtu lind ai dallimi kyç ku më nuk bëhet fjalë për president të dobët por për një presidencë të parëndësishme. Secili president sado i dobët në të ardhmen edhe do të mund të shndërrohej në rival por një institucion i parëndësishëm nuk do ta arrinte kurrë një gjë të tillë.

Ironia qëndron në faktin se ky model i politikës së vazhdueshme të tensionit është prezent shumë shpesh edhe në rajon. Në Serbi, për shembull, Aleksandar Vučić për vite me radhë ka kultivuar një sistem ku vazhdimisht gjenerohen krizat politike, duke bërë që ai vet të paraqitet si faktori i vetëm i stabilitetit. Shkollë serbe e qeverisjes.

Kosova sigurisht që nuk është Serbi dhe konteksti mund të dallojë pak, por dinamika psikologjike e autoritetit është e njejtë, dmth një ambient skajshmërisht i polarizuar ku lideri bëhet thelbësor vetëm atëherë kur gjendjet e krizave janë konstante.

Për këtë arsye, kriza rreth presidencës nuk duhet të konsiderohet vetëm si një episod procedural sepse është simptomë e një kulture politike në zhvillim, pra një sistem ku stabiliteti institucional perceptohet si pengesë, ndërkaq krizat politike perceptohen si burim legjitimiteti.

Kështu, sot Kosova përballet me një pikëpyetje thelbesore.

Jo se kush do të bëhet president.

Por nëse Republika e Kosovës do të ndërtohet mbi institucione që funksionojnë në mënyrë të pavarur nga liderët që duan t’i dominojnë ato, apo mbi një paradigmë ku institucionet shërbejnë thjesht për të forcuar fuqinë e një individi?!