

Nuk e njoh Kryeprokurorin e ri të Shtetit, Zejnullah Gashin. Nuk jam takuar kurrë me të dhe nuk kam pasur marrëdhënie profesionale apo personale me të. Nuk i kam lexuar asnjë shkrim dhe asnjë paraqitje publike. Pikërisht për këtë arsye vendosa ta dëgjoj të gjithë intervistën e tij, pa paragjykime dhe pa interes për emrin. Më interesonte vetëm një pyetje: çfarë niveli mendimi demonstron njeriu që do të drejtojë institucionin më të lartë të akuzës publike në Republikën e Kosovës?
Një intervistë për Kryeprokuror nuk është provim për njohjen e Kodit Penal. Kjo merret si e mirëqenë, por doja të kuptoja sa aftësi të kulturës juridike, mënyrën se si kandidati e kupton shtetin dhe aftësinë për ta lidhur drejtësinë me shoqërinë që ai duhet të mbrojë. Pikërisht aty filloi shqetësimi im. Pikërisht këtu kam më shumë pyetje sesa përgjigje.
E kam të qartë, gjithashtu, se në Kosovë vazhdojmë ta ngatërrojmë përvojën me kulturën juridike. Besojmë se vitet e punës prodhojnë automatikisht vizion institucional. Nuk është kështu. Përvoja të mëson procedurën. Nuk të mëson domosdoshmërisht filozofinë e procedurës. Përvoja të mëson si funksionon sistemi, por nuk të mëson gjithmonë të pyesësh nëse sistemi prodhon drejtësi. Pikërisht këtu fillon dallimi ndërmjet juristit që administron ligjin dhe juristit që ndërton shtetin.
Ata që e përzgjodhën, ose patën shumë kandidatë të paaftë, ose nuk kuptuan se drejtimi i Prokurorisë së Shtetit kërkon diçka më shumë sesa përvojë. Kërkon aftësinë për ta kuptuar drejtësinë si një nga shtyllat mbi të cilat ndërtohet shteti demokratik.
Ky është dallimi ndërmjet juristit që njeh ligjin dhe juristit që e kupton drejtësinë. Sepse i pari di ta zbatojë normën, kurse i dyti kupton pse ajo normë ekziston, çfarë vlere mbron dhe çfarë pasoje prodhon mbi qytetarin, ekonominë dhe vetë shtetin.
Paneli intervistues, nëse nuk e ka pasur të imponuar zgjedhjen, duhet ta dijë se një Kryeprokuror nuk vendos vetëm për dosje penale, por ai duhet të dijë të ndërtojë besimin e qytetarëve te ligji, ndikon në sigurinë juridike të investimeve dhe është pjesë e mënyrës se si një republikë gjykohet nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Për këtë arsye, kultura e tij nuk mund të përfundojë te Kodi Penal. Ajo duhet të fillojë aty ku ligji takohet me filozofinë, me ekonominë, me demokracinë kushtetuese dhe me të drejtat e njeriut.
Problemi nuk është se sistemi ynë nuk prodhon juristë që njohin ligjin. Problemi është se po prodhon gjithnjë e më pak juristë që arrijnë ta lidhin ligjin me shtetin. Kur kjo kulturë mungon, drejtësia rrezikon të reduktohet në administrim dhe ligji në teknikë. Në atë moment humbet pikërisht ajo që një republikë pret nga elita e saj juridike: mendimin.
Prandaj pyetja që mbetet pas kësaj interviste nuk është nëse Kryeprokurori i ri e njeh ligjin. Pyetja është nëse ne po e masim ende drejtuesin e institucioneve tona me standardin që kërkon një republikë moderne.
Tek e fundit, problemi nuk është se kush fitoi këtë konkurs, por problemi është çfarë konsiderojmë sot të mjaftueshme për ta fituar atë. Nuk është problem kush u zgjodh Kryeprokuror, por problemi është çfarë konsiderojmë sot të mjaftueshme për ta zgjedhur.
Krejt në fund kam edhe një pyetje: pse një Kryeprokuror ngjall kaq shumë rehati te ata që një ditë mund t’i hetojë?
Gjatë ditëve që po lexoja dhe dëgjoja intervistën, mora telefonata nga njerëz me bindje politike krejt të ndryshme, nga pjesë të sistemit të drejtësisë dhe nga përfaqësues të biznesit. Nuk më kërkuan ta lavdëroja kandidatin. Më kërkuan vetëm të mos shkruaja kritikisht për të. Vetë ky fakt më shtyu të mendoj. Në një shtet normal, Kryeprokurori nuk duhet të jetë njeriu që i qetëson partitë politike dhe bizneset. Ai duhet të jetë njeriu përballë të cilit ato ndihen të detyruara të japin llogari.
Një Kryeprokuror nuk zgjidhet për të qenë i pëlqyer. Funksioni i tij është, në një masë të caktuar, të jetë i papëlqyer nga ata që ushtrojnë pushtet ekonomik dhe politik. Sepse ai është njeriu që mund t’i hetojë, t’i akuzojë dhe t’i çojë para drejtësisë. Kur rreth emrit të një Kryeprokurori krijohet një rehati e pazakontë në botën politike dhe ekonomike, pyetja nuk është nëse ai është njeri i mirë. E sidomos kur e pëlqen Partia në pushtet. Pyetja është nëse institucioni që do të drejtojë po perceptohet si mjaftueshëm i pavarur për të krijuar respektin që lind edhe nga frika se Kryeprokurori qenka njeriu që e duan të gjithë.