

Ka një qëndrim kontradiktor në arsyetimin e LDK-së rreth takimit me Albin Kurtin.
Kryetari i LDK-së thotë se po bisedojmë të gjejmë një president konsensual, por nuk do të marrim pjesë në qeveri.
Së pari, presidenti konsensual nuk mund të dalë nga partia e dytë e opozitës, por nga konsensusi i gjithë opozitës me partinë e parë. Një president mes LDK-së dhe Vetëvendosjes nuk arrihet edhe sikur ato të bien dakord. Të dyja bashkë kanë 71 vota dhe një bojkot i mundshëm i opozitës nuk e siguron kuorumin për president. Kështu, ajo nuk respekton as traditën e saj “institucionale” dhe as logjikën e numrave.
Tradita institucionale e LDK-së ishte kur Ibrahim Rugova, që fitonte 54 për qind të votave, ia jepte qeverinë Ramush Haradinajt, jo të bisedonte sa i gjatë ishte Ramushi dhe si i krihte flokët.
Pra, është një tallje dhe jo një nismë serioze për të biseduar për president.
Së dyti, aktet e veçuara të LDK-së në raport me pjesën tjetër të opozitës dobësojnë fuqinë e opozitës, e cila, së bashku me deputetët që përfaqësojnë qytetarët serbë të Kosovës, është më e madhe se Vetëvendosja. Pra, akti i LDK-së është akt që dobëson fuqinë e opozitës dhe i humbet asaj fuqinë negociuese reale, por përdoret si fasadë bisedimesh.
Së treti, ky arsyetim që ne do t’i gjejmë Vetëvendosjes një president dhe nuk duam të përfshihemi në pushtet është edhe më poshtërues, pasi i kthen ata në shërbëtorë të Albin Kurtit, në emër të gjoja “stabilitetit institucional” të Kosovës, për të cilin Albin Kurti ka dy vjet që nuk bëhet merak, madje është i eksituar prej faktit që mund ta sundojë Kosovën pa institucione. Nëse arrijnë të gjejnë një president me Kurtin, të cilin ia votojnë, le të hyjnë edhe në qeveri, se ndoshta qeverisin më mirë se Albin Kurti, së paku një pjesë e ministrave.
Dhe, në fund, nëse e kanë vërtet seriozisht të gjejnë një president konsensual, roli i LDK-së duhet të jetë përbashkues për opozitën. Pra, ajo duhet të jetë promotore e arritjes së një konsensusi opozitar për një ose dy figura konsensuale dhe t’i thotë Albin Kurtit: ke të drejtë të zgjedhësh dikë prej këtyre të dyve. Kështu veprohet në çdo negociatë. Nuk mund të hysh në bisedime për president me kritere shkollareske, për t’i parë biografinë apo gjatësinë e trupit. Zgjedhja e presidentit është akt politik, që e ka në dorë opozita e Kosovës. Populli i Kosovës ia ka hequr të drejtën Albin Kurtit të zgjedhë president sipas dëshirës së tij. Opozita duhet të bëhet bashkë, të caktojë dy kandidatë për të cilët bie dakord dhe të shkojë në bisedime me dy opsione, nga të cilat Vetëvendosja mund të zgjedhë njërin. Nëse nuk do asnjërin, atëherë shkohet në zgjedhje.
Ky vrapim i LDK-së për t’iu bërë urë Albin Kurtit që të zgjedhë president dikë që jo vetëm i duhet për pushtetin e tij, por që i duhet dhe të shkatërroj më tej opozitën, është shërbimi më i pistë që i bëhet nga një parti opozitare, një njeriu që po e mban peng Kosovën për ta gjunjëzuar.
Bisedimet me kriteret që vendos Albin Kurti mund të vazhdojnë vite të tëra dhe të mos i zbusin asnjë qoshe të kokës së Albin Kurtit, pasi ai, në thelb, nuk do president dhe as opozitë në Kosovë. Ai do të jetë kryeministër, president, kryetar i LDK-së dhe i partive të tjera. Deri te LDK-ja duket se ka shkuar.