Revolucioni i dytë i jogurtit në Ballkan

Në analogji me revolucionin e Sholeviqit që frymëzohej me këngën “Oj Srbijo iz tri dela, ponovo ćeš biti cela!!”,  edhe revolucioni ynë i ri me gjasë do të bjerë në një skemë të ngjashme
Bislim Elshani
Loading Icons...
test12

Revolucioni i dytë i jogurtit në Ballkan

Bislim Elshani
Loading Icons...

Kamioni me mitingashë VV-istë që iu bashkua protestave në rrugët e Tiranës më ngjan me mitingashët e dikurshëm të Miroslav Sholeviqit në Prishtinë, të cilët ia dolën që pas heqjes së autonomisë kosovare, të hidhen në Vojvodinë dhe ta rrëzojnë udhëheqjen e saj legjitime me 1989 duke i gjuajtur udhëheqësit me gota plastmasi të mbushura me kos.

Ndoshta edhe këta nga Prishtina duan t’i befasojnë me këtë përvojë vëllezërit tanë në Tiranë, prandaj është mirë që policia shqiptare t’ua kontrollojë kamionin e t’ua konfiskojnë pakot e fshehura me jogurt. Kësisoj do ta shpëtojnë qeverinë socialiste nga “Revolucioni i dytë i jogurtit” në një vend ballkanik.

Mirëpo duke qenë se nacionalistët tanë nuk i pëlqejnë imitimet dhe preferojnë të jenë origjinalë e autentikë, atëherë nuk është çudi që në kamionin e tyre të mos kenë fshehur në vend të kosit ndonjë arkë me domate, me patate, me tranguj apo me vezë.

Kështu që revolucioni i synuar mund të fitojë emërtime origjinale si “revolucioni i domateve”, “… i patateve”, “… i kastravecëve” apo “… i vezëve”. Gjithsesi policia shqiptare do të duhej të tregohej vigjilente edhe për këta artikuj.

Në analogji me revolucionin e Sholeviqit që frymëzohej me këngën “Oj Srbijo iz tri dela, ponovo ćeš biti cela!!”,  edhe revolucioni ynë i ri me gjasë do të bjerë në një skemë të ngjashme: “Oj Shqipni o moj sorkadhe, përsëri do t’jesh e madhe!”

Kështu së paku ëndërron ndonjë fantast nga Prishtina, si puna e z. Ramabaja, i cili e thotë hapur se Piemonti i ri shqiptar në Ballkan është Prishtina dhe jo Tirana! E di se nacionalistët do të më turren për këtë krahasim të pacipë!

Mirëpo kjo vjen ngaqë yryshtarët e mi kosovarë nuk shoh që do të kenë ndonjë shans për të bërë ndonjë shtet të ri unitar, që edhe po u bashkua, nuk do të paraqiste problem sigurie për fqinjët.

Mirëpo rruga që ndjekin ata më duket rrugë pa krye, sepse duan ta rrezikojnë një subjekt juridik të pranuar ndërkombëtar me një subjekt akoma në diskutim, përkatësisht, trupin e shëndoshë ta rrezikojnë me një gjymtyrë në trajtim.

Kjo do të thotë që “në vend se t’i venë vetulla, t’i nxjerrin sytë”. Sepse as Kurti dhe as Rama nuk e kanë potencialin ushtarak dhe ekonomik, siç e kishte Millosheviqi me 1989, për të imponuar një realitet të ri gjeopolitik që do të nënkuptonte një shtet-komb të ri në Ballkan. Për hesapin tim, gjasat për një llogari të tillë janë baras me zero. Dhe a nuk pati dështuar edhe vetë Millosheviqi me gjithë potencialin e tij të jashtëzakonshëm ushtarak?

Për çudi, kësaj fushate iu bashkua kohët e fundit edhe gazeta “Koha ditore” dhe pronari i saj, bashkë me një analist kujdestar, të cilët  zakonisht tregohen shumë të kujdesshëm, mirëpo sot ose kanë marrë sinjale ultimative nga ndonjë fuqi në prapaskenë, ose po e shohin rrezikun nga fakti se një Shqipëri e integruar në BE do të bënte që z. Surroi të mos mund të shkonte as në vilën e vet në Qerret pa treguar pasaportën në Vërmicë.

Mirëpo a s’do të thotë kjo që “Për inat të sime vjerrë, vete fle me mullixhinë”? Nëse nuk janë në pyetje interesa të tillë, kush garanton se e gjithë gurguleja e rrugëve dhe shesheve të Tiranës të mos ketë si synim atë që e thotë për bukuri sërish një sentencë popullore serbe: “Sjaši Murta da uzjaše Kurta” (Të zbresë Murti që të hipën Kurti), përkatësisht, të zbresë Edi Rama që të hipën Sali Rama.

Sepse shanset që të vijë në krye ndonjë si puna e zotërinjve Llapaj, Qorri, apo ndonjë figurë tjetër e re, akoma e pazbuluar, siç rezultoi nga zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri, janë të kurrëfarta! Nuk shoh ndonjë arsye bindëse që atmosfera e re “revolucionare” në Shqipëri të prodhojë diçka më të pastër (për sa i përket korrupsionit e flirteve me oligarkët) e më të avancuar (për sa i përket faktorit shqiptar në Ballkan). Përkundrazi, gjithçka bie erë manipulimi, injorance, mediokriteti e sharlatanizmi.