Pse ky pushtet po na bon ‘serbë t’vonum’

Na thonë që s’jemi si Serbia, po qeverisin me të njejtën logjikë: kush s’është me neve, është kundër kombit. Flasin për t’kaluemen, imitojnë armikun, e harrojnë me ndërtu diçka tonën për nesër
Ismail Tasholli
Loading Icons...
test12

Pse ky pushtet po na bon ‘serbë t’vonum’

Ismail Tasholli
Loading Icons...

Partitë historiciste edhe elektorati historicist janë ato që legjitimitetin, programin e retorikën e tyne e mbështesin kryesisht në interpretimin e historisë, ma shumë se në programe konkrete për të ardhmen. E përdorin të djeshmen si alibi për paaftësinë e sotme në qeverisje. Mbyllin çdo debat ‘të ri’ tu i qujt kundërshtarët ‘kundër historisë’. Nxisin ndarje të reja shoqnore mbi baza të së kalumes dhe shpesh përdorin rrëfime të idealizume a selektive.

Përmes ndarjes së shoqnisë në ‘ata që janë me historinë e VËRTETË’ dhe ‘ata që janë tradhtarë’, manipulimin e kujtesës dhe etiketat i kanë armë politike. Ma shumë folin për çka ka ndodhë, se për çka do t’bahet. Të ardhmen e shohin si ‘kthim te e kalumja e artë’ e jo si ndërtim të diçkaje ‘tjetër’. Me ni fjalë: e çojnë kohën huq.

Logjika e serbizimit të vonum
Nacionalizmi i ngushtë, klientelizmi partiak, përbuzja e kritikës së brendshme, gjykimet asimetrike e deri te përdorimi i simboleve patriotike për me mbulu korrupsionin – k’to k’tu te na janë modele qeverisjeje që Serbia i ka kultivu gjatë shekullit XX, e tash po riprodhohen në një kontekst tjetër. Kur themi se pushteti në Kosovë ‘po na bon serbë t’vonum’, në fakt po përshkrujmë përvetësimin e pavetëdijshëm të mënyrave të sjelljes e të mendimit të ‘armikut historik’.

Kjo ‘gjendje mentale’ spjegohet shumë mirë me konceptin e mimetizmit girardian dhe me teoritë e tjera mbi kolonizimin e mendjes. Girard thotë se njeri nuk e don ‘gjënë’ vetë, por e do pse armiku e dëshiron atë. Objekti i dëshirës merr vlerë prej prestigjit të rivalit. Armiku, edhe kur e urrejmë, bahet model i pavetëdijshëm. E shohim si të fuqishëm e të suksesshëm, prandaj pa dashtë fillojmë m’e imitu.

Mrena prestigjit negativ që Girard’i e përshkrun bahmi kopjusë, sa ma shumë që e urren armikun, aq ma shumë i njeh atij fuqi e aq ma shumë je i prim m’e imitu.
Kujdes, s’po bahemi realisht serbë, por po imitojmë logjikën e tij shtet-formuse e shtërnguse, vetëm se me vonesë, sepse Serbia e ka ushtru atë logjikë (si atleti) 50-100 vjet përpara e hala e mban.

Pse ndodh ky budallak?
Sipas Girard’it, kur e sheh tjetrin si armik ekzistencial, fillon m’i imitu jo vetëm fuqinë, por edhe mënyrën si e ushtron atë fuqi. E sheh Serbinë si model të “shtetit serioz” dhe, pa e kuptu, e merr si shembull. Paradox’i, tu e imitu armikun, mendon se po i reziston atij, por në të vërtetë po e riprodhon. Ndërsa, Fanon’it e Bourdieu’s ju doket që shoqnitë që kanë jetu gjatë nën dominim bartin pavetëdijshëm modelet, setet normative të ish-sundusit. Ky është habitus’i që vepron pa u mendu.

Janë edhe shembujt konkretë në Kosovë si fjalori i ndarjes. Riprodhimi dhe përdorimi i termave ‘tradhtar’, ‘armik i kombit’ për kritikët e të ‘tjerët’, i njëjti diskurs që Serbia e ka pasë dhe e ka ndaj opozitarizmit të vet, qoftë ai politik, qoftë ai kulturor. Poashtu, politizimi i institucioneve, logjika ‘shteti = partia’, tipike për traditën jugosllave e serbe (dhe jo vetëm), sot riprodhohet identikisht.

Kulti i liderit, njësoj si në Serbi gjatë shekullit XX, edhe këtu glorifikohet lidershipi si ‘baba i kombit’. Instrumentalizimi i miteve, përdorimi i shejave patriotike për me hesht kritikën, njësoj si Beogradi e përdor narrativën e ‘mbrojtjes së serbëve’.

Si me dalë prej k’ti labirinti?

Dikush thotë me anglisht e ‘internet’, dikush me shkolla e ‘albanologji’ – Zoti fliste shqip! Por, mundet, vetëm me refuzimin e mimetizmit, siç thotë Girard. Mos m’e marrë armikun si model, me kriju një model tanin, jo me kopju logjikën e tij. M’e ‘harru serbishten’, jo si gjuhë, por si mendësi, sepse ni pjesë e madhe hala mendon serbisht – Serbia nuk është ma k’tu, por gramatikën e ka lanë.

M’e pranu që ky model s’është i joni. Vetëm atëherë mund të provojmë të ndërtojmë ‘institucione’ që dallojnë realisht nga Serbia. M’e kthy narrativën kah e ardhmja: në vend të garës “kush është ma patriot”, me ba garë “kush ‘bjen’ ma shumë të ardhme për qytetarin”. Btw, alegoria e njejtë vlen edhe për intelektualët tanë. Pjesa ma e madhe, janë ‘t’bllokum’ mrena gramatikës serbe. Si Rambo që i hi Vietnamit me ni thikë, këta tonët i hin shkencës ‘solo’…