Pse ftesa e Trump për Edi Ramën nuk është as rastësi dhe as kompliment

Ftesa e Trump për Ramën pasqyron jo karizmën e tij, por një rreshtim strategjik që u kuptua më shpejt në Uashington sesa në Tiranë.
Albatros Rexhaj
Loading Icons...
test12

Pse ftesa e Trump për Edi Ramën nuk është as rastësi dhe as kompliment

Albatros Rexhaj
Loading Icons...

Në politikën ndërkombëtare, ftesat serioze nuk bëhen për mirësjellje. Ato bëhen për arsye. Dhe arsyeja pse Presidenti amerikan Donald Trump i ka bërë ftesë Kryeministrit Edi Rama nuk ka të bëjë as me stilin personal, as me aftësinë për të dominuar skenën publike, por me diçka shumë më pak spektakolare dhe shumë më të rrallë: parashikueshmërinë politike.

Në Uashington, Shqipëria sot shihet si një vend që mund të lexohet. Kjo mund të duket një standard i ulët, por nuk është. Në një rajon ku deklaratat ndryshojnë sipas audiencës dhe pozicionimet sipas javës, të qenit i lexueshëm është avantazh strategjik.

Ky perceptim nuk u ndërtua rastësisht. Dhe, ndryshe nga sa u sugjerua në disa studio televizive në Tiranë, nuk ishte produkt i ndonjë “show”-u diplomatik.

Pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, Edi Rama bëri diçka që një pjesë e elitës politike dhe mediatike shqiptare e lexoi keq – ose nuk u lodh ta lexonte fare. Ai dënoi pa ekuivok krimet terroriste të Hamasit, pa relativizime morale dhe pa gjuhë të mjegullt, por njëkohësisht artikuloi qartë një qëndrim politik për Gazën: një territor i lirë, i çliruar nga Hamasi dhe jo i nënshtruar ndaj një pushtimi të përhershëm.

Në Tiranë, reagimi ishte i parashikueshëm. Komentet u përqendruan te forma, jo te përmbajtja; te fakti që Rama “po fliste shumë”, jo te ajo që po thoshte. Disa e quajtën servilizëm ndaj Amerikës. Të tjerë, protagonizëm personal. Ishte një debat i zhurmshëm, por intelektualisht i varfër.

Sepse ajo që po ndodhte nuk ishte retorikë morale për konsum të brendshëm. Ishte rreshtim strategjik.

Në politikën perëndimore, dhe veçanërisht në Uashington, dallimi midis një aleati të rastësishëm dhe një partneri serioz qëndron pikërisht këtu: aftësia për të mbajtur një vijë të qartë edhe kur ajo nuk është komode, edhe kur ajo nuk prodhon duartrokitje të menjëhershme. Ky pozicionim u vlerësua nga administrata Biden si shenjë stabiliteti dhe serioziteti institucional. Por ai u lexua edhe më drejtpërdrejt nga administrata Trump, e cila — përtej retorikës — e çmon qartësinë e pushtetit dhe mosluajtjen me dy standarde.

Që nga pranvera e vitit 2023, Shqipëria ka investuar realisht në një rreshtim strategjik afatgjatë me Shtetet e Bashkuara. Ky nuk ka qenë një proces i qetë. Ka pasur kosto politike të brendshme dhe sulme personale. Por pikërisht këtu shfaqet dallimi mes taktikës dhe strategjisë. Rama nuk ka ndryshuar qëndrim sipas ciklit të lajmeve apo sipas presionit të komenteve në prime time. Ai ka qëndruar konsistent.

Në politikën ndërkombëtare, konsistenca nuk është virtyt moral. Është kapital.

Por ky kapital nuk është çek i bardhë. Dhe këtu fillon pjesa më pak e rehatshme e historisë.

Të shihet si partner i besueshëm nuk do të thotë që Shqipëria ka përmbushur detyrat e saj. Përkundrazi, kjo e rrit faturën. Besueshmëria ndërkombëtare nuk të fal; ajo të ekspozon. Nëse Tirana dëshiron që kjo marrëdhënie të mos mbetet simbolike, por të shndërrohet në ndikim real, atëherë duhet të përballet me problemet që prej vitesh minojnë shtetin nga brenda — dhe që shpesh relativizohen me një lehtësi shqetësuese.

Shqipëria duhet të shpallë një luftë të hapur dhe të qëndrueshme kundër karteleve të drogës. Jo si narrativë për partnerët ndërkombëtarë, por si politikë shtetërore afatgjatë. Krimi i organizuar nuk është më një problem periferik; ai është një kërcënim direkt për funksionalitetin e shtetit.

Po aq seriozisht duhet trajtuar infiltrimi i strukturave shtetërore nga elementë të lidhur me krimin. Kjo nuk është çështje imazhi, por çështje sigurie kombëtare. Dhe lufta kundër korrupsionit nuk mund të mbetet një seri deklaratash periodike; ajo duhet të matet me rikthimin e besimit, brenda dhe jashtë vendit.

Ftesa e Trump për Edi Ramën nuk është shpërblim. Është një provë. Një provë nëse Shqipëria është gati të kalojë nga roli i partnerit të disiplinuar në atë të shtetit serioz.

Historia e Evropës Lindore është plot me shembuj vendesh që u rreshtuan drejt, por nuk reformuan veten. Rezultati ishte zhgënjim, jo konsolidim. Shqipëria ka tani një dritare të rrallë për të mos e përsëritur këtë gabim.

Pyetja reale nuk është pse Rama u ftua.
Pyetja është nëse Shqipëria është gati të mbajë peshën e asaj ftese.

Rreth autorit:
Albatros Rexhaj është autor, dramaturg dhe analist, me formim në studime të sigurisë kombëtare dhe gati tri dekada përvojë në çështje politike dhe të sigurisë.