Opozita në hijen e vetëkorrigjimit

Nga flakadanët te pankartat, opozita ende kërkon manualin e humbësit kreativ
Rajmonda Basha
Loading Icons...
test12

Opozita në hijen e vetëkorrigjimit

Rajmonda Basha
Loading Icons...

Opozita i humbi zgjedhjet. Këtu nuk ka më vend për diskutim. Jo sepse e thotë mazhoranca, por sepse kanë përfunduar të gjitha procedurat, është shpallur qeveria e re dhe pritet betimi.

Loja elektorale mbaroi, rezultati u vulos.

Pas kësaj humbjeje, opozita ka një detyrë të thjeshtë dhe të vështirë njëkohësisht: vetëkorrigjimin. Me ose pa pranim faji, ky është realiteti. Sepse me “zgjedhje farsë”, siç i quajnë vetë, apo me akuza të përsëritura për “narko-shtet”, opozita nuk po shkon gjëkundi.

As flakadanët nuk sollën zgjidhje, as pankartat e stampuara me fytyra ministrash, as bojkotet e stërzgjatura.

Përballë një mazhorance me 83 mandate, çdo bojkot është thjesht një dhuratë për qeverinë dhe një plagë për opozitën. Këtë e di mirë edhe Sali Berisha, i cili është zotuar për “luftë”, por me ç’rreshta? Me të njëjtët që kemi parë prej vitesh, me xhaketat e përhershme të sallës.

Gazment Bardhi, Tomorr Alizoti, Belind Këlliçi, Agron Gjekmarkaj.

Këto janë emrat e shpallur për “kapitenë” të strukturave.

Emra të njohur, pa dyshim. Nuk flitet për mungesë merite, por për mungesë rezultati. Bardhi bën opozitë, por vendit nuk i duhen vetëm sharje në Kuvend, as ulje mikrofonash, as zëra të çjerrë për mediat, e aq më pak promovimi i figurës që pësoi rrënimin më të keq demokrat të 11 majit në Fier. Opozitës i duhet frymë e re, ide, energji që të flasin përtej sallës së Parlamentit.

Mbase është koha që në PD të hapet vend për “të rinj” në pozita drejtuese. Jo thjesht për karrige, por për perceptimin publik.

Demokracia brenda Partisë Demokratike do të ishte një shenjë e mirë për opozitën në tërësi. Askush nuk e mohon kontributin e Bardhit apo Gjekmarkajt, por nuk kanë asnjë bilanc fitoreje.

Përçarja e dëmton, debati e gjallëron. Dhe mbi të gjitha, partia ka nevojë për skenarë të papërsëritura, sepse ato që provuan deri tani nuk dhanë rezultat.

Çfarë ndodh brenda PD-së është punë e PD-së. Por çfarë del përtej saj, është mesazh për opozitarët, për elektoratin gri, e ndoshta një ditë edhe për socialistët e zhgënjyer.

Rama, në stilin e tij, u ka shtrirë dorën demokratëve që duan të bashkëpunojnë. Berisha, si lider i demokratëve, ka për detyrë të mbajë pas vetes ata që ende i besojnë.

Por pyetja mbetet: A mjafton kjo formulë e vjetër për t’i dhënë oksigjen opozitës? Apo duhet guxuar më shumë se sa aksionet e njëjta? Sepse ndryshe, edhe katër vitet që vijnë do të mbarojnë me të njëjtin refren: opozita proteston, mazhoranca qeveris.

Dhe për hir të së vërtetës, qytetarët kanë filluar ta dëgjojnë këtë melodi me veshë të lodhur.