Celulari si skena e krimit

Nga sekuestrimi te ekspertiza forenzike, telefoni celular kthehet në “skenë krimi” digjitale, ku përplasja mes nevojës për hetim dhe të drejtës për privatësi bëhet një nga sfidat më të mëdha të drejtësisë moderne
Nadia Elbasani
Loading Icons...
test12

Celulari si skena e krimit

Nadia Elbasani
Loading Icons...

Kur vendoset kryerja e ekspertizës së një pajisjeje celulare, nuk kemi të bëjmë me një kontroll të zakonshëm. Pajisja trajtohet si një burim potencial provash digjitale, që përmban të dhëna si biseda, foto, video, vendndodhje, historik kërkimesh, kontakte dhe gjurmë të tjera që mund të shërbejnë në një hetim penal. Kjo bën që telefoni celular mos të jetë thjesht një mjet komunikimi.

Këtë u përpoq të shpjegonte sot para KLP edhe kreu i SPAK, Klodian Braho.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 44/2025 vendos kritere, sekuestrimi i telefonit mund të jetë i ligjshëm, madje i domosdoshëm në situata urgjente për të shmangur humbjen e provave. Por kjo nuk përkthehet në një të drejtë të pakufizuar për të “lexuar”, kopjuar dhe shpërndarë gjithë përmbajtjen e tij.

Gjykata e cilëson telefonin si një “hapësirë të zgjeruar të jetës private”, duke theksuar se ai përmban më shumë informacion për një individ sesa çdo send tjetër fizik.

Procesi teknik nis zakonisht me sekuestrimin e pajisjes dhe me autorizimin procedural përkatës. Por ndryshe nga një kontroll fizik, telefoni nuk “hapet” thjesht për t’u kontrolluar.

Në praktikë, ekspertët nuk punojnë drejtpërdrejt mbi pajisjen origjinale. Fillimisht krijohet një kopje, një pasqyrim teknik sa më i plotë i të dhënave. Ky është hapi i parë për të ruajtur integritetin e provës dhe për të shmangur çdo pretendim se të dhënat janë manipuluar.

Vetëm pas kësaj nis analiza, e cila mund të përfshijë mesazhe dhe thirrje, aplikacione komunikimi (përfshirë ato të enkriptuara), foto, video dhe dokumente, historik kërkimesh, gjurmë të vendndodhjes etj.

Sakaq, duhet pranuar se një qasje tepër e ngurtë do të dëmtonte vetë hetimin. Realiteti është i thjeshtë, shumë marrëveshje zhvillohen në aplikacione komunikimi të enkriptuara, pagesat koordinohen në mesazhe, ndërsa komunikimi zhduket me një klik.

Në këto kushte, telefoni nuk është vetëm një provë e radhës, shpesh është çelësi kryesor për të identifikuar autorin dhe për të rindërtuar dinamikën e një ngjarjeje. Madje, ekspertiza e një telefoni mund të shkojë përtej ngjarjes fillestare, duke zbuluar bashkëpunëtorë të mundshëm, lidhje kriminale apo edhe vepra të tjera penale të panjohura më parë. Kjo është arsyeja pse organet hetimore e konsiderojnë atë një burim të pazëvendësueshëm.

Një argument thelbësor është se hapja e telefonit në funksion të provave i shërben interesit për zbardhjen dhe ndëshkimin e veprave penale, por kjo duhet të bëhet mbi parimin e proporcionalitetit, duke kufizuar analizën vetëm në të dhënat që lidhen drejtpërdrejt me hetimin dhe duke përjashtuar çdo informacion të panevojshëm nga shqyrtimi gjyqësor.

Sfida reale e së drejtës së teknologjisë qëndron pikërisht se si të ruhet balanca mes hetimit efektiv dhe mbrojtjes së të dhënave personale.