Opozita e ‘Kallashit’

Kur politika flet me gjuhën e zemërimit, humbet gjuhën e alternativës
Vitjon Nina
Loading Icons...
test12

Opozita e ‘Kallashit’

Vitjon Nina
Loading Icons...

Deklarata e deputetit të PD-së, Luan Baçi, se opozitës “i ka mbetur vetëm të marrë kallashin” nuk është thjesht një lapsus nervoz televiziv. Është një simptomë. Një simptomë e një opozite që prej kohësh sillet sikur është më shumë në hall me veten se sa me pushtetin që pretendon se lufton.

Në politikë, sidomos në një vend si Shqipëria, ku kujtesa e dhunës politike nuk është as e largët dhe as abstrakte, fjala “kallash” nuk hyn në kategorinë e metaforave të pafajshme. Nuk është humor kafeneje.

Nuk është as “figurë letrare popullore”. Është një term që vjen me bagazh. Dhe kur përdoret nga një deputet opozite në prime time, ai bagazh bëhet politik.

Më pas, si zakonisht, vjen korrigjimi. “Jo, ne jemi për protesta paqësore”. “Jo, nuk e kishim në atë kuptim”.

Problemi është se politika shqiptare ka hyrë prej vitesh në fazën ku askush nuk mban përgjegjësi për nëntekstin e asaj që thotë. Të gjithë kërkojnë të përfitojnë nga efekti emocional i deklaratës, por pa paguar koston e saj.

Në thelb, ajo që tha Baçi nuk ishte asgjë e re. Ishte thjesht një remix i vjetër i repertorit opozitar. Në vitin 2021, Sali Berisha u bënte thirrje shqiptarëve të armatoseshin për të mbrojtur familjet dhe pasuritë e tyre nga “bandat e qeverisë”. Edhe atëherë pati relativizime. Edhe atëherë u tha se ishte “figurative”. Në Shqipëri gjithmonë armët janë figurative – derisa pushojnë së qeni.

Ironia është se opozita shqiptare vazhdon të flasë për revolucion ndërkohë që nuk arrin të administrojë as paqen e brendshme të vetes. Partia që flet për “përballje” me pushtetin, prej muajsh është e angazhuar në një proces të heshtur spastrimi politik brenda familjes së saj.

Sepse teknikisht, me tone më elegante dhe pa “kallash”, e njëjta logjikë është përdorur edhe ndaj figurave si Ervin Salianji dhe rivalëve të tjerë të brendshëm: nuk u përjashtuan, por “u vetëpërjashtuan”. Një formulë brilante shqiptare. Si ai njeriu që hidhet nga lokali pasi e nxjerrin jashtë dhe thotë: “Po ikja vetë”.

Në këtë aspekt, gjuha e Baçit nuk është devijim. Është vazhdimësi. Është kultura politike e një opozite që ende mendon se agresiviteti verbal është sinonim i forcës politike. Që ende beson se sa më i ashpër të tingëllosh, aq më opozitar je.

Por realiteti është brutal: shqiptarët nuk po kërkojnë një opozitë që flet si koment seksioni në Facebook në vitin 2013. Po kërkojnë një alternativë qeverisëse.

Dhe këtu nis dhe mbaron tragjikomedia e madhe e PD-së…

Sepse sa herë opozita afrohet teorikisht me mundësinë për të rifituar besueshmëri, dikush del dhe rikthen retorikën e bunkerëve emocionalë: “armik”, “përballje”, “kallash”, “luftë”. Një gjuhë që mobilizon militantin më të lodhur, por tremb çdo qytetar gri që kërkon normalitet.

Në fund, problemi nuk është vetëm etik apo institucional. Është strategjik. Një opozitë që komunikon vazhdimisht sikur është në prag lufte, përfundon duke i bindur njerëzit se nuk është gati për qeveri.

Dhe ky është paradoksi më ironik i të gjithëve: duke tentuar të duken si forca që mund të rrëzojë pushtetin, rrezikojnë të kthehen në dekorin permanent të tij.