

S’ka lider më të rrezikshëm sesa ai që sundon një vend të vogël me ndjenjën se po i flet një bote të madhe. Kështu foli Hristjan Mickoski në kongresin e VMRO.
Nuk ka më shumë ironi historike sesa kur një parti që dikur frymëzohej nga Perëndimi për t’i rezistuar komunizmit, sot rizgjedh një lider që ia mbyll sytë vendit përballë Perëndimit. Dhe nuk ka më shumë brengë politike sesa kur shqiptarët e Maqedonisë së Veriut mendojnë se “edhe ky do kalojë”, pa kuptuar se Mickoski është këtu për të qëndruar, me vota, me blindim të mandatit dhe me një heshtje të fuqishme nga ata që dikur thirreshin ndërkombëtarë.
Mickoski nuk është thjesht një inxhinier elektrik që u ngjit në politikë si “njeriu i ri” pas rrëzimit të Gruevskit. Ai është produkti më i rafinuar i një makinerie politike që kërkonte pamje teknokrate, por thelb të vjetër. Një lider që nuk ngre zërin, por ngre barrikada institucionale. Një lider që nuk flet shumë, por vepron me rrjete të heshtura.
Ai është rikthimi më i suksesshëm i një anti-shqiptarizmi të heshtur, por të përpunuar. Nuk ka nevojë të ulërasë. Vetëm qëndron, i qetë dhe i sigurt, ndërsa flet për “Maqedoninë 2030” si një projekt zhvillimi me parakushte identitare që e mbyllin derën për çfarëdo kompromisi.
Rizgjedhja e tij për një mandat të tretë, të cilin partia vetë e përshkroi si “të fundit”, ndodhi në një kongres që më shumë i ngjante një ceremonie solemne sesa një gare demokratike. Asnjë kandidaturë alternative, asnjë diskutim kritik, asnjë zë i lirë. Ishte akti i një teatri ku lideri zyrtarizohet pa sfidë dhe aplauzi është njëlloj për të gjithë – nga bindja ose nga frika.
Për një pjesë, kjo është dëshmi stabiliteti. Për të tjerët, është paralajmërim për një lider që kërkon të bëhet më shumë se kryetar partie. Një figurë që kërkon kontroll mbi rrëfimin kombëtar dhe kufijtë e identitetit.
Duke artikuluar një vizion të zbehur për zhvillim, me fjalë të mëdha dhe vija të kuqe të paravendosura, jo me Bullgarinë, jo me kompromisin, me shqiptarët vetëm në margjina, Mickoski nuk flet për një të ardhme të përbashkët, por për një shumicë që qeveris sipas rregullit të vet dhe me historinë e vet. Ai përpiqet të ndërtojë legjitimitet përmes përjashtimit.
Në një vend ku identiteti kolektiv përdoret si armë elektorale, fjalimi i tij në Kongresin e VMRO, ku ai u rizgjodh ktyetar, ishte për “mbrojtjen e thelbit maqedonas” dhe aspak nuk ishte më një apel sentimental. Ishte strategji pushteti. Dhe kur kjo bëhet në heshtje, pa e artikuluar si sulm, por si “interes kombëtar”, ajo bëhet më e rrezikshme. Sepse është e përgjumur. Sepse nuk duket. Dhe l, sepse , nuk mund të akuzohet për asgjë, ndërkohë që bën gjithçka. Mickoski nuk përjashton me dekret. Ai përjashton me stil.
Në këtë portret të ngritur me kujdes, shqiptarët janë aty – si figurantë që u është lënë një vend në skenë, por asnjë rresht në skenar. Në realitetin e ri të qeverisë, pjesëmarrja e tyre është statistikore, jo substanciale. Ata janë aty për të mbyllur pazaret e qeverisë, jo për të ndërtuar një model të ri përbashkësie.
Pyetja që nënkuptohet gjithnjë e më shpesh është: a jemi bashkëqytetarë të barabartë, apo vetëm bashkëfajtorë në një qeverisje që na sheh si numra?
Sondazhet tona të fundit flasin qartë: një pjesë e madhe e shqiptarëve ndihen të përjashtuar nga vendimmarrja, të zhgënjyer nga partitë që pretendojnë se i përfaqësojnë, dhe të frustruar nga mungesa e çdo ndryshimi real. Edhe ata që duan stabilitet dhe janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Mickoskin, kërkojnë garanci reale. Jo më fjalë. As premtime. Por rezultate.
Nëse kjo qasje vazhdon, vendi rrezikon të hyjë në një fazë të dyfishtë: një realitet për maqedonasit që ndihen të përfaqësuar dhe një tjetër për shqiptarët që mbesin në pritje. Një republikë me dy rryma. Me dy ndjesi të përkatësisë. Dhe në fund, me dy lloj qytetarësh.
Kjo nuk është një shoqëri funksionale. Nuk është as një vend evropian. Është një përjashtim që ka fituar formën e ligjit dhe heshtjen si legjitimitet.
Për këtë arsye, partitë shqiptare nuk mund të sillen më si orenditë dekorative të një marrëveshjeje të përkohshme. Duhet ta mbajnë VMRO-në në një test të përhershëm: Sa përfaqësim real ka komuniteti shqiptar? Sa ndikon në hartimin e politikave publike? Sa buxhete lëvizin në funksion të barazisë? Cilat institucione i drejton? Nëse nuk i bëhen këto pyetje, shqiptarët nuk janë në qeveri. Janë në vetëmashtresë.
Mickoski ka marrë një mbështetje unanime nga partia e tij. Por besimin e shqiptarëve nuk e ka. Dhe nëse e do atë besim, duhet të ndryshojë mënyrën e të qeverisurit, jo për hir të tyre, por për hir të shtetit që thotë se do ta udhëheqë deri në vitin 2030.
Sepse ndryshe, ai mbetet një lider i vogël në një hartë të madhe, një simbol i një epoke që Maqedonia e Veriut duhej ta kishte kaluar, jo ta rinovonte.