

Dorëheqja është momenti kur njeriu e mat veten jo me pushtetin që ka, por me masën e moralit që mban mbi vete. Në politikë ajo nuk është largim, por vetëdije sepse barra e përgjegjësisë duhet lënë për t’i hapur vend një energjie tjetër. Në këtë kuptim, vendimi i Memli Krasniqit nuk shënon fundin e një cikli, por fillimin e një standardi që prej kohësh i ka munguar jetës politike në Kosovë.
Partia Demokratike e Kosovës ka kaluar nëpër periudhën më të rëndë të historisë së saj politike që nga nëntori i vitit 2020. Arrestimi i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit nuk ishte vetëm një akt juridik. Ishte çarja e themeleve emocionale të një partie që e kishte ndërtuar veten mbi sakrificën, luftën dhe kujtesën kolektive të lirisë. Në atë moment, kur një pjesë e shoqërisë shfaqi gëzim të fshehur për dërgimin e tyre në Hagë, PDK-ja hyri në një vakuum moral që e tronditi në shpirt.
Ai që mori përkohësisht udhëheqjen ishte Enver Hoxhaj. Ishte një detyrë e pamundur. Duhej të menaxhonte mllefin e elektoratit të zhgënjyer, të ekuilibronte ambiciet e brendshme, të përballej me rritjen e vrullshme të Vetëvendosjes dhe me klimën publike ku vota e gëzimit për Vetvendosje po bëhej forcë politike. Brenda katër muajsh duhej të përgatiste një parti të plagosur për zgjedhje të parakohshme. Humbja e thellë nuk ishte faji i tij, por ai mbeti viktima e parë e tranzicionit të PDK-së. U largua i demonizuar, jo sepse kishte dështuar, por sepse partia kishte nevojë për një fajtor.
Në korrik të vitit 2021 erdhi Memli Krasniqi. Ai trashëgoi një barrë që s’mund t’ia dëshirosh askujt. Duhej të menaxhonte mllefin e elektoratit e njëkohësisht gëzimin e armiqve politikë që e shihnin rënien e PDK-së si rrëzim të një epoke. Duhej të krijonte rrëfimin e ri të PR, të mbante gjallë figurat e luftës me konceptin “Liria ka emër”, të siguronte fonde për mbrojtjen e liderëve në Hagë, fonde për partinë, të ruante komunat në zgjedhjet lokale, të integronte struktura të brendshme të lodhura dhe të vendoste rend e stabilitet në një organizëm që kishte humbur busullën.
Përveç barrës morale, Memli trashëgoi edhe tensionin e brendshëm. Duhej të menaxhonte mllefin e Enver Hoxhajt që s’kishte kandiduar për kryetar partie në zgjedhjet për kryetar të PDK, në korrik 2021.
Tash, Memli duhej të rrëzonte mitet e brendshme të partisë me kujdes, duke mos e rrëzuar dinjitetin e askujt. Duhej të trajtonte figurat e forta të UÇK-së që flirtuan me VV-në, të dobëta në publik por të forta në konjukturë.
PDK-ja, më shumë se çdo parti tjetër, ka jetuar gjatë nën hijen e liderëve që nuk ishin të pranishëm. Dorëheqja e Memlit është tentativa e parë për ta nxjerrë partinë nga ajo hije, me gjithë plagët, pa pritur kthimin e askujt.
Pikërisht këtu qëndron edhe një prej dobësive të tij. Mënyra si e menaxhoi Ramiz Lladrovcin. Lladrovci vepronte me dualizëm të hapur mes Hagës dhe partisë, duke krijuar një autoritet paralel që as nuk delegohej e as nuk sfidohej. Memli qëndroi i butë ndaj tij në momente kur duhej vendosur vijë. Kjo butësi u lexua si hezitim, madje si frikë, dhe i dëmtoi autoritetin e tij në një parti që varet nga vendimmarrja e prerë.
Kjo butësi politike u pa edhe në raport me diskursin e Vetëvendosjes.
Ndërkohë që VV ushtronte agresivitet verbal dhe moral kundër PDK-së, Memli mbajti një ton të matur, pothuaj të kujdesshëm, që nuk e krijoi kurrë kontrastin e nevojshëm. Ajo që ai e mendonte strategji të qetësisë, publiku e interpretoi si mungesë të ashpërsisë. Në një terren politik ku vrazhdësia nganjëherë shpërblen, ai mbeti njeri i butësisë. Dhe butësia e lidershipit, në kohë lufte politike, bëhet moment dobësie.
Por sfida më e madhe politike e tij erdhi në zgjedhjet e fundit! Kandidatura për kryeministër iu dha Bedri Hamzës, ndërsa, ai, mbeti në prapavijë duke drejtuar fushatën. Ky eksperimenti i dyfishtë e dëmtoi perceptimin publik. U duk sikur lideri i partisë ishte njeriu i dytë i fushatës. Dhe në politikë perceptimi është realitet. Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme Memli kishte vetëm dy rrugë: ose të bëhej vetë kandidat për kryeministër dhe ta mbante peshën e plotë të partisë, ose të largohej.
Ai zgjodhi dorëheqjen.
Dhe me këtë akt e kthen dorëheqjen në normë morale. E bën pjesë të kulturës politike. Largohet pa u përzier në përplasjet brenda PDK-së. Largohet kur PDK humbi Mitrovicën. Largohet kur zgjedhjet po afrohen dhe kur partia ka nevojë për një rrëfim të pastër, jo për një durim të zgjatur.
Dorëheqja është e bukur vetëm kur bëhet me vetëdije. Dhe Memli Krasniqi, duke mos u kapur pas karriges, tregon se lideri i vërtetë nuk është ai që rri, por ai që di kur është koha të ikë.
Ai nuk e mbyll ciklin. Ai hap një standard.
Në një vend ku askush nuk jep përgjegjësi, dorëheqja e Memli Krasniqit është akti i parë i përgjegjësisë. Në një vend ku lidershipi imitohet, ky është rasti i rrallë kur lidershipi jetohet. Në një vend ku ka shumë fjalë dhe pak moral, ai largohet duke lënë pas një parim.
Dhe në një vend ku askush nuk e lëshon pushtetin pa e harruar turpin, një dorëheqje si kjo nuk është thjesht akt. Është pasqyrë. Në atë pasqyrë sot shihen më qartë ata që kapen pas karriges, sesa ai që zgjodhi ta lëshojë. Ndaj dorëheqja e Memli Krasniqit nuk është vetëm standard për PDK-në. Është sfidë për gjithë politikën kosovare: kush ka guxim të mbajë përgjegjësi dhe kush ka frikë nga të vërtetat e veta.
Dhe parimet, ndryshe nga mandatet, nuk skadojnë kurrë.