Fatet e kombeve të vogla dalin nga dyert e tragjedive të mëdha. E kisha lexuar këtë fjali të trishtueshme në kujtimet e Ismail Qemal Beut dhe ishte e para gjë që m’u kujtua, teksa po bluaja në mendje atë që sapo kisha dëgjuar. Kishin kaluar vetëm pak minuta prejse nga Haga, fjalët e gjyqtarit amerikan Charles Smith, që në një paradite messhtatori po vendoste jo vetëm për fatet e katër burrave para tij, por edhe për ato të mbi një milion e gjysmë shqiptarëve, kishin arritur në zyrën time. Për mbi një orë, sa zgjati seanca, pothuaj një shekull burgim u dha për katër shqiptarë që guxuan ta ëndërrojnë, të luftojnë për të, dhe t’ia sjellin lirinë popullit të tyre.
Skena, që ngjante si e nxjerrë nga universi kafkian, do të dukej krejt e panjohur për çdonjërin, parë nga pranvera dhe vera e 99-ës. Gjëma e popullit shqiptar të Kosovës kishte shkundur themelet e qytetërimit perëndimor. Krimet e përbindshme të kryera nga serbët, me qëllim krijimin e një hapësire pa shqiptarë (simotër e “judenfrei”) që, përmes lentes së aparateve të fotoreporterëve dhe kameramanëve, po u bëheshin të njohura dhjetëra dhe madje qindra milionëve përqark botës, kishin trazuar ndërgjegjen njerëzore. Bota demokratike vendosi të ndërhyjë, t’i japë fund atyre tmerreve. T’ua japë dorën e ndihmës atyre disa mijëra shqiptarëve që guxonin të luftonin për liri. Dhe t’u japë shpresë miliona të tjerëve. Dukej atëherë dhe akoma më e pabesueshme duket sot kur e mendon që Perëndimi bombardoi Jugosllavinë për shkak të shqiptarëve. Duket si ëndërr.
Pa kaluar tridhjetë vjet, gjithçka u përmbys. Kishte ndodhur një tjetër ndryshim në boshtin e botës. Dikush mund të thotë se gjithçka qe kthyer në gjendjen fillestare. Buzëqeshja cinike e Hashim Thaçit, atit themelues të shtetit të Kosovës, pasi gjykatësi, duke u thirrur “në emër të popullit të Kosovës”, e dënoi me 25 vjet burgim, e kishte të shkruar gjithandej këtë të vërtetë të dhimbshme për të cilën, themeluesi i shtetit shqiptar, teksa rrëfente për Konferencën e Londrës, në kujtimet e tij shkruante: të zhytur thellë në depresion, teksa e shihnim të errësuar të ardhmen e vendit tonë të rilindur, (fuqitë e mëdha) na ngushëllonin duke na thënë që, ne (shqiptarët), duhej të sakrifikoheshim për të mirën e përgjithshme të Europës.
1.
Marrëdhënia me kontinentin mëmë e ballkanasve në përgjithësi dhe shqiptarëve në veçanti ka qenë përherë e vështirë, e ndërlikuar, si të thuash. Një rol të rëndësishëm në këtë ndërlikim duhet të ketë luajtur mosvëmendja, që lidhet me mosnjohjen dhe ndoshta edhe me refuzimin për t’i njohur. Dy herë, në Berlin dhe në Londër, fuqitë e mëdha europiane i “lanë duart” me ballkanasit – në kurriz të shqiptarëve, siç kishte bërë Pons Pilati në gjykimin e Jezu Krishtit. Shurdhimi dhe verbëria e tyre, shoqëruar nga shpjegimet e përcipta dhe gjykimet e gatshme, kanë pjellë tmerre e barbari të atyre përmasave që kontinenti rrallë i ka parë.
“Thjerrëza angleze” e vitit 1916, siç do të njihej më pas një raport i zbulimit detar britanik, në origjinal i botuar me titull “A handbook of Serbia, Montenegro, Albania, and adjacent parts of Greece”, ishte një ushtrim, një përpjekje, që duhet të ketë qenë e para nga një prej fuqive të mëdha, për të kuptuar ç’ishte ky popull. Kur sheh personazhet e përfshira në të, një përzierje e çuditshme dhe gati-gati absurde, nuk të është e zorshme ta rrokësh pështjellimin me të cilin duhet të jenë përballur ata që, përmes atij raporti, duhet të jenë përpjekur ta kuptojnë gjindjen shqiptare. Nëse një amalgamë e atillë e njerëzve më të pashkolluar me ata më të diturit, e personazheve më të errëta me ato më të ndriturat, ka kontribuar në njohjen apo mosnjohjen edhe më të thellë të shqiptarëve, këtë zor se mund ta thotë njeri.
Në fillim të dekadës së dytë të shekullit njëzet, Shqipëria ishte vendi i fundit ballkanik që po arrinte në familjen e madhe të kombeve. Për fatin e keq të shqiptarëve, kjo po ndodhte në çastin më të papërshtatshëm. Europa ishte në prag lufte. Dhe lufta do të niste në Ballkan. Fqinjët e saj u ngutën, kush më parë e kush më tepër, t’i hidheshin sipër dhe të shqyenin sa të mundnin nga trualli i saj. Pa ushtri, pa armë dhe madje pa e kuptuar mirë çfarë po ndodhte, shqiptarët u bënë pre e një prej luftërave më të përgjakshme që ka njohur bota. Ishte kjo skena e parë e një tragjedie shumëaktëshe, pjesa më e kobshme e së cilës do të luhej në Kosovë.
Edhe në fund të shekullit, kur populli shqiptar i Kosovës ishte vënë përfundi dhe po i merrej shpirti nga bisha serbe, një lloj shtrëngimi dhe kufizimi, shoqëruar me doza cinizmi, vërehej kudo. As zezona që nxinte para syve të botës, as pamjet e fëmijëve të grirë dhe as barqet e çara me thikë të grave shtatzëna nuk mjaftonin përballë përpjekjeve për të krijuar një simetri kriminale, midis flijimit të një populli të tërë dhe policëve e ushtarëve serbë të vrarë. Për ta përligjur këtë poshtërsi të pashembullt u kërkuan dhe u gjetën gjithfarë formulimesh: “sovraniteti”, “moscenimi i kufijve”, e plot të tjera, midis të cilave më ciniku ishte “konflikti i brendshëm”.
Përpjekja për t’i dënuar të dyja palët, pra për të larë duart, dukej qartë. Ishte shkurti i 98-ës kur i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin, Robert Gelbard, nga Beogradi do ta dënonte dhunën serbe, pa harruar të shtojë që, për të dhe qeverinë amerikane, UÇK-ja ishte “pa asnjë dyshim, një grup terrorist”. Pa kaluar dy javë, aparati shtetëror policor, ushtarak dhe ai paraushtarak serb do të vihej në shërbim të kryerjes së krimit suprem: zhbërjes së një familjeje në themele. Vetëm pasi fotografitë e atij krimi, që të ngjethte mishtë, bënë xhiron e botës, ndonëse me njëfare droje, nisën të çeleshin sytë dhe veshët e Europës dhe botës demokratike.
Kur më në fund nisën bombardimet e NATO-s, më 24 mars, për shqiptarët dukej se qe ndërprerë edhe diçka më e vjetër se tmerret e asaj lufte: zakoni i qetësimit të Ballkanit me fatkeqësinë e tyre. Për herë të parë, në përmasat e asaj ndërhyrjeje, dukej qartë që fuqitë e botës kishin marrë qartë anën e viktimës. Kishte arsye të besohej se, bashkë me luftën, po merrte fund edhe një vetmi e gjatë.
2.
Gjatë luftës së Kosovës dhe sidomos pas saj është folur jo pak, herë më qartë e herë të tjera si nëpër dhëmbë, se vëmendja ndaj popullit shqiptar na paskësh qenë e tepruar dhe ndërgjegja qenkësh larë me ndërhyrjen e NATO-s. Një padurim i çuditshëm, për ta mbyllur sa më parë historinë me shqiptarët, nisi të bëhej përherë e më zotërues. Thirrjet për t’i hetuar për krime (!) ata që mezi i kishin shpëtuar shfarosjes, nisën akoma pa u hapur gropat e para të përbashkëta. Sa më shumë shtoheshin ato gojë të zeza të tokës, aq më të shumta dhe më të zëshme bëheshin klithmat e kryerësve dhe ndihmësve të krimit. Dëshmitë e të vdekurve ishin së tepërmi të tmerrshme dhe tani shpëtimi kërkohej tek zakoni i vjetër serb i projektimit të krimit tek tjetri.
Zelli me të cilin drejtësia e re – dhe sërish e huaj – në vend nisi t’i përndjekë ushtarët e UÇK-së ishte atëherë dhe mbetet edhe sot zor i shpjegueshëm. Nuk mund të thuhet me siguri nëse ka pasur një projekt, pra një ngrehë politike a ideologjike, por yryshi i një pjese dhe yshtja e të tjerëve për t’i dënuar fillimisht dhe për të thënë pastaj: ja pra, edhe shqiptarët nuk paskan qenë engjëj; edhe këta paskan kryer krime, kishin ngjashmëri kërcënuese me zakonin që e përmendëm më sipër, dhe që për njëfarë kohe të shkurtër u duk sikur Europa e kishte lënë prapa, atë të “dënimit të të dyja palëve”.
Në këtë ndërmarrje të ndërlikuar dhe thellësisht imorale, të njollosjes së luftës për çlirim të popullit shqiptar të Kosovës, përveç serbëve dhe të tjerëve, atyre që, për të përdorur një metaforë, do të mund t’i quanim “The Usual Suspects” (të dyshuarit e përhershëm), edhe midis shqiptarëve renegatë u gjetën plot. Vënia e etiketave dhe poshtërimi i vajzave dhe djemve të UÇK-së, që kishte nisur edhe para se të fillonte lufta, duke i quajtur marksistë, terroristë e fashistë, madje agjentë të Serbisë, pas luftës u dendësua dhe u errësua. U quajtën përfitues. Hajna. Kriminelë e vrasës, po ashtu.
Dhjetëra vjet burgim do të jepeshin për komandantë e ushtarë nga pothuaj të gjitha zonat luftuese. Totalitarizmi i asaj drejtësie do të përpiqej që edhe fajin ta bënte total. Ishte një tjetër sakrificë, që më as nuk u kërkohej, por u imponohej shqiptarëve të Kosovës. Dukej sikur ndihma që u ishte dhënë për të mos u shkulur nga trualli i tyre i kishte lënë përgjithmonë pa të drejtën e kundërshtimit.
Ndonëse në dukje të parë jo krejt e rrokshme, përndjekja ndaj çlirimtarëve do të pësonte hovëzim pas shpalljes së pavarësisë. Sikur ndodh pas një tërmeti në det, që dallgët nisin e rriten dhe mësyjnë bregun, ashtu pas 17 shkurtit të 2008-ës u shtuan përpjekjet për të gjetur, madje për të trilluar dhe shpikur krime nga më të makabret me të cilat duhet të spërkatej, të ngjyhej mundësisht, lufta e UÇK-së. Pa kaluar dy muaj, në prill të atij viti, rusi K. Kosachev, nisur nga kujtimet e prokurores së Hagës, Del Ponte, do ta paraqiste në Këshillin e Europës një mocion për hetimin e dyshimeve për trafikim të organeve njerëzore. Pas dy vjetësh, senatori zviceran D. Marty e publikoi raportin. Në të, Hashim Thaçi paraqitej si kreu i një grupi kriminal, që përfshinte pothuaj gjithë udhëheqjen e UÇK-së.
Akuzat që dilnin nga ai raport u dukën fillimisht nga ato gjëra që njeriut i shkaktojnë nervozë dhe irritim, më shumë sesa ndonjë shqetësim. E ashtuquajtura “shtëpi e verdhë”, ku thuhej të ishin bërë operacione aq të ndërlikuara sa shumica e spitaleve më moderne në të dy shtetet shqiptare s’i bëjnë dot as sot, jo vetëm që nuk mund të kishte qenë spital, por ajo gërmadhë që i takonte një kohe tjetër, vështirë të quhej shtëpi. Nasgjaja – dami i gaçëm, është një shprehje që përdorim ne gegët, për të treguar se shpërfillja nuk kalon kurrë pa pasoja. Një pjesë e udhëheqjes së kohës, përfshirë edhe vetë Thaçin, përveç nasgjasë, nuk arritën ta kuptojnë peshën e rëndë të akuzave dhe as t’i lexojnë siç duhet shenjat paralajmëruese të stuhisë që po vinte.
3.
Pas lënies në harresë për shekuj të tërë dhe symbylljes gjatë të fundit dhe më të përgjakshmit, atij të njëzetë, paqtimi i Ballkanit, që mund të quhet oborri i Europës, u kthye në nevojë të shekullit të ri. Dhe paqe në këtë gadishull nuk mund të ketë pa u marrë vesh dy nga tre kombet kryesore: shqiptarët dhe serbët. Duhet ta ketë pasur këtë shtysë, një nga njerëzit më të afërt të ish-kancelares gjermane A. Merkel kur, në shtator të 2017-ës, në një takim me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kishte lënë të kuptohej se ata, pra europianët, do të ishin të gatshëm ta pranonin një marrëveshje përfundimtare midis dy vendeve, pas së cilës të ndodhte njohja e dyanshme. Në Kosovë, ndërkaq, grindja për kufirin me Malin e Zi vazhdonte ta mbante vendin në ethe. Kishin kaluar dy vjet prejse kuvendi kishte votuar themelimin e Dhomave të Specializuara, një tjetër barrë që udhëheqja politike e kohës kishte pranuar ta merrte mbi vete. Këtyre u shtohej marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, zbatimin e së cilës diplomacia europiane, veçanërisht vetë gjermanët, e kërkonte me një ngulm që sa vinte e shtohej.
Darka në rezidencën e ambasadorit gjerman ndodhte një vit para se të dilte në publik ideja e ripërcaktimit të kufijve. Atëherë nuk kishte kaluar shumë kohë prejse një diplomat i lartë gjerman kishte përmendur edhe mundësinë e një referendumi për veriun e Kosovës, pas njëzet e pesë vjetësh. Kjo i shtohej kërkesës për Asociacionin, për të cilin tashmë ishte e vështirë të dallohej kush ngulmonte më shumë: diplomacia europiane apo ajo serbe. Që, përpara krisjes gjermano-amerikane, kishte pasur një lloj dakordësie për të pranuar një marrëveshje finale me të cilën do të pajtoheshin Kosova dhe Serbia, mund të kuptohet edhe nga kundërshtimi kategorik i mundësisë së ndryshimit të kufijve nga ana e ambasadorit gjerman Christian H., edhe para se vetë Thaçi të fliste për të. Pa u mbushur dhjetë muaj nga takimi në New York, gjermanët kishin ndërruar anë.
Besimi gati religjioz tek amerikanët dhe intuita që rrallë e ka gabuar duhet ta kenë shtyrë Thaçin që, përkundër asaj lëvizjeje dramatike të pllakave tektonike, vetë të mos lëkundej dhe ta shtynte përpara idenë e ripërcaktimit të kufijve, si zgjidhjen përfundimtare të problemit të kryehershëm me Serbinë. Fatkeqësisht, theksi në këtë rast bie te përemri “vetë”, i cili te shqiptarët merr kuptim vetëm si mbiemër. I vetëm. Thaçi ishte i vetëm në këtë nismë dhe synonte të mbetej i tillë. Etja për lavdi, ky mallkim që i ka përcjellë vazhdimisht prijësit shqiptarë, ia kishte errësuar gjykimin. I vetmi që i çliroi shqiptarët. I vetmi që i pavarësoi. I vetmi që i ndau njëherë e mirë nga serbët. I vetmi. Gjithmonë i vetmi.
Që prej gushtit të 2018-ës dhe deri në qershor të 2020-ës, kur aktakuza kundër tij doli si rrufe në qiell të hapur, Thaçi ishte i vetëm. Përveç Edi Ramës, të gjithë liderët politikë shqiptarë do t’i kishte kundër. Një pjesë s’e kuptonin. Të tjerë s’e besonin. Disa të tretë edhe e kuptonin edhe e besonin, por donin pak nga lavdia, të cilën Thaçi e kërkonte për vete. Një prej tyre, duke i rënë me dorë tavolinës, në një bisedë joformale, pati thënë: “me kajtë nanën nuk bahet kjo punë, se ai po i do krejt për vete”. Episode të tilla, të palavdishme, ka pasur plot. Ato u shpeshtuan veçanërisht pasi kundërshtia ndaj tij – dhe jo domosdoshmërisht ndaj idesë – krijoi aleanca nga më të panatyrshmet. Gjithfarë shërbëtorësh, sekserësh, gazetarësh, “shkrimtarësh, poetësh, e budallësh”, u çiftëzuan me lloj-lloj agjentësh e mbeturinash nga regjimi i shkuar, për të pjellë akuza e fantazira nga më të makabret.
Aq shumë ishte helmuar shoqëria nga këto trillime, sa është e vështirë të thuhet nëse, në paraditen e 5 nëntorit 2020, kur Hashim Thaçi i foli popullit për herë të fundit si president, para se të nisej për në Hagë, ishin më të shumtë ata që u mërzitën apo ata që iu gëzuan lajmit se njeriu që kishte nënshkruar për lirinë dhe e kishte shpallur pavarësinë po burgosej. Pa bërë shumë zhurmë, ndryshe nga ç’kishte hyrë në jetën e shqiptarëve para pothuaj tri dekadash, ai u nis për betejën e radhës. Veç, qoftë e fundit, duhet të ketë menduar.
Ndërmjetëz. Kur sunduesit grinden
Kjo intermexo e zgjatur mund të shërbejë për të kuptuar një pjesë të atij mekanizmi të ndërlikuar që kontrollon fate njerëzish e popujsh, që krijon patriotë e tradhtarë, që vendos po aq sa çjerr maska dhe që mbyll e çel epoka. Ngjarjet që përmenden këtu janë veç disa pika infleksioni, nxjerrë nga një shumësi lakoresh, përbrenda grafikut të madh që ravijëzon shoqërinë tonë.
Midis viteve 2010 dhe 2015, kur miratohet raporti i senatorit zviceran D. Marty dhe votohet në kuvend baza ligjore dhe kushtetuese për themelimin e përbindëshit juridik të njohur si Dhomat e Specializuara të Kosovës, në anën tjetër të botës po ndodhte një tjetër zhvillim dramatik: ShBA-ja po përpiqej të merrej vesh me Iranin, për programin bërthamor të këtij të fundit. Dhe si për një përkim fatkeq të rrethanave, shteti i ajatollahëve ndodhej në sferën e ndikimit rus. Pra, pa Moskën zyrtare, e cila më pastaj do të dilte garante e marrëveshjes, Uashingtoni nuk mund as të shpresonte që do të arrinte ta bindte Teheranin të nënshkruante. Kundërpesha? Një popull dhe një shtet i vogël, tremijë kilometra larg. A nuk kishte qenë rusi K. Kosachev nismëtar i mocionit në Këshillin e Europës për të ashtuquajturat hetime për trafikim organesh, që do të kryheshin më pas nga D. Marty?! Teksti i kësaj marrëveshjeje do të dakordohej më 14 korrik dhe miratohej më 18 tetor 2015. Midis këtyre dy datave, më 3 gusht, Kuvendi i Kosovës votoi për themelimin e asaj që tani njihet si Gjykata Speciale.
Është folur gjatë dhe është shkruar shumë se si pushtetarët e asokohshëm u nënshtruan, ata të tanishmit na paralajmëruan, dhe se si juristët kosovarë dështuan. Dokrra hini. Shantazhi i dyfishtë, me të cilin qenë përballur udhëheqësit e kohës, dhe për të cilin së voni kishte folur edhe J. Steinbaum, bashkëpunëtor i moçëm i kongresmenit Eliot Engel, ishte i parrugëzgjidhje. “Themelojeni vetë, ose do ta themelojë OKB-ja” – ishte mesazhi që u ishte dhënë. Nënteksti lexohej qartë: o me ne, o me Kinën e Rusinë. Madje, duhej jo vetëm ta themelonin, por siç më kishte rrëfyer një mik imi, ish-diplomat i lartë, u ishte thënë që as edhe një presje nuk guxonin ta ndryshonin. Rrahagjokësat që bërtasin dhe hallakaten poshtë e përpjetë, se si ata paskëshin qenë paralajmëruesit dhe parashikuesit e vetëm, janë në rastin më të mirë të mashtruar dhe në atë më të keqin pjesë e mashtrimit.
Tani le të kthehemi tek grindja, sepse për të kemi përherë dëshirë të flasim. Kur Donald Trump qe bërë president i ShBA-së, tronditja nuk ishte kufizuar vetëm brenda kufijve, por kishte përfshirë pothuaj gjithë rruzullin. Shpejt u kuptua që ai do ta shkundte krejt ngrehën gjeopolitike. Në takimin e parë me kancelaren gjermane Merkel, përveç injorimit, ai refuzoi t’ia jepte dorën. Ishte ky një tregues i qartë që Amerika kishte ndryshuar dhe bota duhej të mësohej me këtë gjë. Pak muaj më pas, në Samitin e NATO-s në Bruksel, Trump i kishte qortuar liderët europianë, duke u kërkuar që t’i paguajnë obligimet, nëse e duan atë dhe Amerikën aty. Pas samitit, kancelarja gjermane do të deklaronte se koha kur europianët mund të mbështeteshin tek amerikanët kishte marrë fund.
Për njëfarë kohe, edhe për faktin se Gjermania bëri zgjedhje dhe për disa muaj ishte e detyruar të merrej me veten, u duk sikur gjërat u qetësuan. Mirëpo, me themelimin e qeverisë së re, Merkel do të përballej me telashe të reja. As vizita e dytë brenda një viti në Uashington nuk po u jepte zgjidhje. Trump kishte vendosur tarifa ndaj BE-së dhe ishte i vendosur të tërhiqej nga marrëveshja bërthamore me Iranin. Grindja do të merrte përmasa shqetësuese në korrik. Në Bruksel, presidenti amerikan do t’i poshtëronte liderët europianë. Merkelin midis tyre. Një rrëfim për atë ngjarje fare të pazakontë, që e kisha dëgjuar vetë, dhe që shumë vite më pas do të botohej në media, sipas të cilit Trump, për gati dy orë, e kishte “marrë peng” mbledhjen e NATO-s, duke u kërkuar shteteve që të paguajnë sipas detyrimit që kanë, nëse duan që ShBA-ja të mos tërhiqet, e jep qartë fotografinë e mosmarrëveshjes gjermano-amerikane. Trump madje do ta quante Gjermaninë “rob të Rusisë”, për shkak të varësisë energjetike. As kërkesa e tij që Gjermania të tërhiqej nga Nord Stream 2 nuk qe pranuar. Ishte ky një tjetër zhdërvillim i një politike të gjatë filoruse, filli i së cilës niste me kancelarin G. Schroeder, dhe që vazhdonte akoma.
Në gusht, mbështetja amerikane për një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë nuk ishte bërë publike akoma, por Merkel do të përkujdesej që kundërshtimi gjerman të dukej qartë. Në një konferencë me Denis Zvizdiqin, kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, shtetit që po aq sa Gjermanisë i atillë i duhet edhe Rusisë, ajo kundërshtoi rivizatimin e kufijve në Ballkan dhe mbrojti “paprekshmërinë territoriale” të shteteve ballkanike.
4.
“Shko, Hashim”. Ishte kjo thirrja e dëshpëruar e një njeriu që shpresonte se një gjykatë do t’ia jepte atë që s’e kishte fituar dot vetë. As luftën. As paqen. As pavarësinë. Asnjërën. Kësaj thirrjeje, që i ngjan më tepër një pabesie ndaj popullit të cilit i përkasin, sepse bashkë me Hashimin, mund të lexohej midis rreshtash, kërkohej të gjykohej krejt UÇK-ja, iu bashkuan edhe shumë prej atyre që sot derdhin lot krokodili, dhe kërkojnë atë që nuk mund të bëhet.
Qëkur ai shkoi po bëhen gjashtë vjet. Dhe pothuaj po aq ditë ka edhe Albin Kurti kryeministër. Diskutimi apo debati, siç kanë qejf ta quajnë ata që e kuptojnë fjalëpërfjalshëm (battuere: të godasësh) dhe që më shumë sesa përplasin mendimet u japin kordave zanore, për bilancin e tij si kryeministër mund të jetë i gjatë dhe është padyshim i papajtueshëm. Mirëpo, nuk ka diskutim që ai, sepse e ka thënë vetë, ka pranuar që një asociacion i komunave, apo siç parapëlqente ta quante dikur: një Zajednicë, të themelohet. Mund të argumentohet po ashtu që Aneksi i Ohrit do të kthehet në autonomi për serbët e veriut, të cilëve përveçse ua ndërkombëtarizoi dokumentet e strukturave paralele, ua mundësoi – por jo vetëm atyre, edhe Beogradit zyrtar – ta plotësojnë ëndrrën e kryehershme: riformatimin demografik të Kosovës.
Ngjan i çuditshëm ky shndërrim, për të mos thënë ky shfytyrim a shtrajtim, i një njeriu që sa ishte pa pushtet betohej që me Serbinë do të fliste vetëm pasi ajo të plotësonte një vargan kushtesh, por që porsa u bë kryetar qeverie u ngut aq shumë të takohej e të merrej vesh me “shovinistin Aleksandër Vuçiq”, sa shpesh pengohej mbi trupat e Mon Balajt, Arben Xheladinit dhe Astrit Deharit, të cilët nuk jetojnë më, për idealet e tyre dhe trillet e prijësit të tyre. Mirëpo, po të shihet nga një tjetër pikëvështrim, çudia nuk qëndron aq te metamorfoza e tij, sa te gatishmëria për ta besuar edhe pasi ajo ishte kthyer në një pamje që vriste sytë.
Grindavecëria dhe mburravecëria janë tipare të përgjithshme të ballkanasve. Veçanërisht të prijësve, pra të liderëve politikë. Shqiptarët nuk bëjnë përjashtim. Janë të njohura grindjet deri në rrahje e vrasje dhe mburrjet deri në vetëhyjnizim të liderëve shqiptarë, posaçërisht në tri dekadat e fundit. Megjithkëtë, vështirë të gjendet një tjetër që është mburrur dhe grindur me gjithkë e për gjithçka, sa ç’ka bërë në këto gjashtë vjet Albin K. Me të vetët dhe me të huajt, të cilët herë-herë përpiqej aq shumë “t’i lë pa mend”, me të folurën e tij sensacionale dhe me një arsenal të tërë mashtrimesh statistikore, por që përfundonte duke dalë po aq, në mos më qesharak, se ç’kishte dalë në atë “intervistën” me dy pranksterë (hajgarexhinj) rusë. Vetëlavdërimi i tij ngjan surreal kur sheh skajimin ndërkombëtar, varfërinë, ikjen e të rinjve, dhe mungesën e shpresës në vend.
5.
Qyshse gjykimi hyri në fazën e fundme, lajme nga më kundërthënëset nisën të nxjerrin krye. Hamendje nga më të ndryshmet. Do të lirohen të gjithë. Nuk do të lirohet asnjë. Të tjerë thoshin se do të lirohen dy dhe dy të tjerë do të dënohen. Se do të lirohej vetëm një. Se amerikanët nuk do ta linin UÇK-në në baltë. Dalëngadalë, dëshira për t’i parë të lirë kishte nisur të qarkullonte si lajm. E dëgjoje nga të tjerët dhe, për një çast, harroje se pak më parë mund ta kishe thënë edhe vetë.
Një javë përpara se vendimi të shpallej, Prishtina u vesh kuqezi. UÇK-ja, që për njëfarë kohe ishte gjykuar si diçka jashtë mode, ishte kudo. Nëpër sheshe e shtëpi. Në makina. Në veshjet e pleqve dhe të rinjve. Por, ajo që të jepte më shumë shpresë ishte kur e shihje të veshur nga fëmijët. UÇK-ja e kishte fituar të shkuarën. Tani po e fitonte të ardhmen. Ishte ky kumti që fëmijët e Kosovës po ia çonin botës.
Me gjithë shpresën, nervozizmi ndihej kudo. Dyshimi dhe mosbesimi ndaj “drejtësisë së të huajve”, përherë prezentë, kanë nisur të rriten tek shqiptarët e Kosovës. Ata më të vjetrit, që i mbajnë mend gjykimet e Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt me shokë, përpiqen t’ua shpjegojnë më të rinjve se çfarë kishte ndodhur atëherë, si ishte sjellë prokuroria, çfarë kishin qenë gjykatësit. Kështu, bashkë me atë hijen e rëndë që i mbahet mend qysh prej para dy dekadash, Haga ishte kthyer brenda ligjërimit të përditshëm.
Kur Ch. Smith nisi seancën e 16 shtatorit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, i kishin mbushur 2141 ditë e pak orë në paraburgim. Pothuaj gjysmën, akoma pa u ngritur asnjë akt akuzues kundër tyre. Ajo duhej të ishte ora e tyre. Dhe për një copë herë, teksa gjykatësi po tregonte se nuk kishin gjetur bazë për akuzën e krimeve kundër njerëzimit (çfarë habie!), u duk ashtu. Por, sikur të kishte frikë se po i shfajësonte për gjithçka, ai u ngut të kalonte tek akuza për krime lufte.
Shëmtia në fjalët e tij nisi të dalë në pah kur u përpoq ta ndërlidhte luftën për çlirim dhe pavarësim të vendit, me të ashtuquajturën “vendosje e kontrollit politik dhe institucional”, si synim i përbashkët, dhe i rëndësisë së njëjtë, jo vetëm për të akuzuarit, por për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”. Ky riciklim i pështirë i pretendimeve të prokurorisë, përveçse përpjekje për ta njollosur dhe ngjyer me gjak viktimash luftën çlirimtare, ishte parakusht i domosdoshëm për atë që do të vinte më pas. 25 vjet burgim për Hashim Thaçin. Po aq për Jakup Krasniqin. 18 vjet burgim për Kadri Veselin. Dhe 13 për Rexhep Selimin.
Fshehur prapa shprehjeve letrare të tipit “fytyra të mbuluara me gjak”, “thonj të nxjerrë” e “dhëmbë të thyer”, dhe veçanërisht duke provokuar emocione me togfjalëshin “fëmijë dhe nëna të burgosura”, ngaqë për ta nxjerrë atë vendim krejt absurd i mungonte çfarëdo mbështetje në fakte, të vërteta dhe dëshmi, gjyqtari Smith u përpoq që ata të cilët populli shqiptar, dhe ish-udhëheqës politikë e ushtarakë të fuqive të kohës, i njohin si çlirimtarë, t’i paraqesë si kriminelë ordinerë.
Reagimi ishte i menjëhershëm. Ata që vendimin po e përcillnin nga sheshet e Prishtinës, pasi fillimisht ngatërruan adresë, nisën marshimin drejt zyrave të EULEX-it. U paralajmëruan të tjera protesta. Madje, u shkua aq larg sa të kërkohej zhbërja e gjykatës.
Veç ata prej të cilëve pritej të thonin diçka, nuk bënin zë. Heshtje varri në qeveri. Në presidencë. Në kuvend. Pas disa orësh, Albin K. u kujtua t’i thotë disa fjalë. Fraza të thata. “U gjykuan akuza dhe veprime të caktuara”, thotë ai në fund të adresimit, duke shtuar se me to “nuk mund të dënohet arsyeja pse lindi UÇK-ja e as të njolloset ajo”. Pra, nuk mund të dënohet shtysa, por mund të dënohet rrugëtimi drejt lirisë?! Mungesa e përgjegjësisë së këtij njeriu është tronditëse. E rrezikshme, madje.
Reagimi i Shqipërisë të shkakton edhe më shumë nervozë. “Marre”, shkroi në Fejsbuk Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë “dhe shqiptarëve”. Marre për ju, kryeministër, që nuk thatë as dy fjalë për dënimin shekullor të atyre katër burrave, të cilët guxuan të luftojnë për të krijuar shtetin e dytë shqiptar. Marre për ju, që nuk përtoni fare të flisni pushim nga dy e tre orë nëpër mbledhje të këshillave të partisë dhe që gjeni kohë të shtyheni (përplaseni) në komente fejsbuku me lloj-lloj tipash, por që nuk ishit në gjendje t’ua kushtoni as pesë minuta disa prej emrave të lirisë së shqiptarëve të Kosovës.
Nyja e padukshme dhe deri tani e pazgjidhshme, që i lidh reagimet e liderëve të dy shteteve shqiptare, është po ajo në të cilën u var fati i Hashim Thaçit dhe i krejt luftës çlirimtare bashkë me të. Rrëmbimi i tij nga avioni, teksa po fluturonte drejt Uashingtonit për ta nënshkruar marrëveshjen me Serbinë, lidhet po aq me Albin K. dhe autonominë për serbët e veriut, sa edhe me rrethimin dhe gojëkyçjen e E. Ramës. Përmes saj mund të shpjegohen lëvizjet politike të dyshes Rama-Kurti, dhe madje edhe dinamikat e mëhershme, të cilat përveç tyre përfshinin Thaçin e Vuçiqin.
Ah, po. Reagoi edhe Richard Grenell, njeriu që, në kohën kur po bëhej gati aktakuza ndaj Hashim Thaçit, e cila megjithëse akoma e pashqyrtuar qe bërë publike më 24 qershor, kishte qenë shef i 18 agjencive të inteligjencës amerikane. Duke folur nga harresa e Administratës Trump (ndajshtim: vështirë mos të të kujtohet trekëndëshi ShBA-Rusi-Iran), ai u kërkoi deputetëve të Kosovës që ta zhbënin gjykatën, pra që ta garantonin mbetjen në burg të atyre burrave. Quint-i, apo pesëshja e shteteve më me ndikim në Kosovë, kërkoi ndërkaq t’i lihet drejtësia drejtësisë. Pra, t’i lëmë ata bashkë me dënimin e tyre atje ku janë. Në Hagë.
Mijëra njerëz që, përditë e përnatë, mbushin sheshet e Prishtinës mendojnë ndryshe. Një këngë, që është kthyer në kushtrim të ditëve dhe netëve të protestës që nuk pushon, dhe thotë: Kosovë ngrite zanin, tregoji botës mbarë; bijtë e tu kanë veç një emër, emrin çlirimtarë – e jep, më mirë se gjithçka tjetër, dykohësinë. Është një thirrje që bart dhimbjet e të shkuarës dhe dëshirat e së ardhmes, dhe që, para së gjithash, u drejtohet prijësve të vendit. Çdonjërit. Që kërkon të qëndrojmë. Të luftojmë. T’i kthejmë miqësitë e vjetra e të krijojmë miqësi të reja. Mbi të gjitha është premtim ndaj vetes dhe njëri-tjetrit se liria e këtij vendi është e paçmim.