

Në një kohë kur Ukraina përballet me agresion të vazhdueshëm rus dhe me presion të jashtëzakonshëm politik e ushtarak, një analizë e botuar në revistën amerikane Foreign Affairs që në vitin 2018 ngre një tezë të fortë dhe jo fort të zakonshme: politika perëndimore kundër korrupsionit në Ukrainë nuk po e forcon shtetin, por po kontribuon në destabilizimin e tij.
Sipas autorëve Adrian Karatnycky dhe Alexander J. Motyl, qasja e Shteteve të Bashkuara dhe e vendeve evropiane ka qenë e gabuar sepse ka vendosur theksin te ndëshkimi i individëve dhe jo te ndërtimi i institucioneve.
Në vend që të konsolidojë ndryshimet strukturore të ndërmarra pas vitit 2014, presioni i vazhdueshëm për arrestime dhe ndjekje penale spektakolare ka krijuar një perceptim publik se “asgjë nuk ka ndryshuar”, duke dobësuar forcat reformiste dhe duke ushqyer populizmin.
Artikulli kujton se pas rrëzimit të Viktor Janukoviçit, Ukraina ndërmori një seri reformash që ndryshuan rrënjësisht mekanizmat e korrupsionit. U reformua sektori i gazit, u mbyllën skemat e arbitrazhit që sillnin miliarda dollarë për rrjete klienteliste, u krijua sistemi elektronik i prokurimeve publike ProZorro, u pastrua sektori bankar nga bankat e falimentuara dhe u sekuestruan 1.5 miliardë dollarë pasuri të lidhura me rrethin e Janukoviçit. Sipas një studimi të cituar në analizë, këto reforma i kanë kursyer shtetit ukrainas rreth 6 miliardë dollarë në vit.
Megjithatë, sipas autorëve, në sytë e politikëbërësve perëndimorë këto arritje nuk u konsideruan të mjaftueshme. Matësi i progresit u zhvendos nga ndryshimi i incentivitave strukturore te numri i hetimeve dhe ndjekjeve penale. U krijuan struktura të reja hetimore me mbështetje të drejtpërdrejtë financiare dhe teknike nga Perëndimi, ndërsa reforma e thellë e gjyqësorit mbeti prapa. Kjo, sipas analizës, solli mbingarkesë të gjykatave dhe vonesa në çështjet sensitive, duke minuar besimin publik në procesin e drejtësisë.
Artikulli thekson se problemi themelor është një “besim i gabuar” se ndryshimi politik varet nga zëvendësimi i liderëve dhe jo nga transformimi i institucioneve. Autorët paralajmërojnë se presioni për të rrëzuar figura politike pa pasur alternativa të konsoliduara dhe institucione funksionale mund të prodhojë fragmentim politik dhe forcim të populizmit, në një vend që ndodhet në vijën e parë të përballjes me Rusinë.
Në përfundim, analiza propozon një riorientim të politikës perëndimore. Fokusi, sipas saj, duhet të jetë reduktimi i hapësirës për korrupsion përmes rregullatorëve të pavarur, de-monopolizimit të ekonomisë, privatizimit transparent dhe forcimit profesional të sistemit ekzistues të drejtësisë.
Ndërtimi i institucioneve të qëndrueshme, dhe jo spektakli i ndëshkimeve individuale, është çelësi për një reformë të qëndrueshme.
Në thelb, mesazhi i Foreign Affairs është i qartë: Ukraina nuk ka dështuar të reformohet. Rreziku qëndron te mënyra si matet dhe drejtohet reforma. Në një shtet në luftë, stabiliteti institucional nuk është luks teorik, por kusht për mbijetesë.