

Fluturimet e vona nga Nju Jorku për Kosovë kanë qëndruar thuajse të njëjta që nga hera e parë që përshkova Atlantikun në drejtim të lindjes, shtatë vite më parë. Ato janë të mundimshme: me valixhe të stërmbushura dhe me një çantë shpine që, nga kompjuteri dhe librat, peshon përtej kufijve të lejuar nga kompanitë e aviacionit; me radhët e stërzgjatura të pasagjerëve në TSA; me një libër në dorë për të luftuar mërzinë nga vonesat e fluturimit; me fytyrat e shqiptarëve që bëjnë të njëjtën rrugë për në Tiranë, Prishtinë, a Shkup. Por mbi gjithçka, invarianti dominues i këtyre udhëtimeve është entuziazmi për t’u kthyer në Kosovë. Por kësaj here diçka ishte ndryshe.
Identiteti i njeriut është njëfarë kombinimi i asaj që ai sheh te vetja dhe asaj që të tjerët shohin tek ai. Çfarë do të thotë të jesh shqiptar i Kosovës, unë e kuptova në moshën 18-vjeçare, kur e gjeta veten në një ambient pa asnjë tjetër si unë. Për atdheun tim kishte tri përshtypje kryesore. E para ishte mosdijenia. Një pjesë e madhe e bashkëmoshatarëve të mi nuk kishin asnjë njohuri për Kosovën, përkundër faktit që shumica prej tyre kishin vijuar shkolla private prestigjioze dhe ishin pranuar në një universitet me nam. Këta më shihnin thuajse si një specimen ekzotik i fiseve të xhunglave të Amazonës. Grupi i dytë ishte i atyre që kishin simpati për Kosovën, që e kishin mësuar historinë e saj të fundit me të njëjtin prizëm me të cilin e kisha mësuar edhe unë. Këta më shihnin si pjesëtar të një grupi të shtypur, i cili ngadalë po ngrihet. Grupi i tretë ishte i atyre që e shihnin praninë time në “Old Campus” apo në “Sterling Memorial Library” si krijim të “imperializmit amerikan”, i cili cenoi të drejtat e Serbisë duke përkrahur guerilën shqiptare.
Ballafaqimin e parë me një pjesëtar të grupit të tretë e pata në javën time të parë në SHBA. Një koleg izraelit më pati thënë se “është e mirëqenë se masakrën e Reçakut e kreu UÇK-ja”. Kjo temë do të bëhej debat pesë vite më vonë përballë ish-ministrit serb Jeremiq, por në atë moment kolegu G.S. më la të shtangur. Për dikë të rritur me mësime, tregime, libra e dokumentarë për luftën, një fjali e tillë tingëllonte morbide, megjithatë, nuk dija si ta kundërshtoja atë absurditet. Episode si ky më shtynë të hulumtoja gjithnjë e më thellë për UÇK-në. Ndaj kolegëve si G.S. fillova të ndihem falënderues. Për shkak të nevojës për t’u ballafaquar me versionin e tyre të historisë, i cili më shihte si produkt të një padrejtësie amerikano-shqiptare, unë mësova shumë më shumë për lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Burrat e gratë e UÇK-së u bënë heronjtë e mi intelektualë. Atyre që intelektualizmin e ngatërrojnë me makiazhin e të paralizuarit në libra, diçka e tillë mund t’u duket qesharake. Burrat e gratë e UÇK-së, në masë të madhe, nuk kishin as diploma, as akrobaci akademike për t’u veçuar. Megjithatë, ata ishin intelektualët që argumentin për liri e shtjelluan me gjakun e tyre. Ata i përkasin linjës së intelektualëve që u sakrifikuan për të drejtën, ku bëjnë pjesë Sokrati, Giordano Bruno, Harriet Tubman, Martin Luther King Jr., Maximilian Kolbe, Jan Palach, Adem Demaçi, At Zef Pllumi e jo edhe aq shumë të tjerë. UÇK-ja ishte trashëgimia e patejkalueshme e një shqiptari të lindur në vitin 2000 në Kosovë. Identiteti im ishte i lidhur, nga brenda dhe nga jashtë, për të mirë e për të keq, me heronjtë e mi.
Gustave Flaubert supozohet të jetë krijuesi i klishesë moderne “never meet your heroes” (ndonëse me formulim tjetër). Në përvojën time, heronjtë e UÇK-së janë përjashtim nga ky rregull. Disa prej këtyre heronjve pata fatin t’i njihja dhe t’i quaja miq. Njerëz si U., që, përkundër arritjeve të shumta personale, kohën e tyre në front e kujtojnë me krenari të patejkalueshme. Burra si B., i cili nuk mund të kthehet në Preshevë, sepse pas çlirimit të Kosovës deshi ta çlironte edhe shtëpinë e tij. Djem si R., që i nderojnë baballarët e tyre dëshmorë duke i shërbyer shoqërisë dhe vetes me punën e tyre. Një kostum i shëmtuar po tentohet t’i vishet kësaj lavdie.
Kisha vendosur alarmin për orën 4:00 në mëngjesin e 16 shtatorit. U zgjova në 3:55. Në Nju Jork binte shi, në Hagë luhej një teatër distopik, kurse mbi Kosovë kishte rënë një re e zezë. Gjykimi filloi dhe mbaroi shumë shpejt. Brenda atyre dy orëve, shumëçka dukej se ndryshoi. Ai moment ma kujtoi episodin me G.S.-së dhe të të ngjashmëve të tij, që ekzistencën time e shihnin si dëshmi nga një skenë krimi. Ai ishte gjykim mbi identitetin tim. Gjykim i jashtëm që shtirej si i brendshëm, duke tentuar t’u ridefinonte qenësinë miliona njerëzve. Nga ai moment, edhe unë isha pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale.
Është koha për të hipur në avion. Po lë pas qiellin e ndriçuar nga miliona drita, për të depërtuar brenda resë së zezë mbi shtëpinë time. Kthimi në Kosovë kësaj here nuk shoqërohet me entuziazmin e zakonshëm. Atdheu im duket ndryshe, duket sikur dikush po tenton t’ia shembë themelet mbi të cilat qëndron në këmbë. Por mbi ato themele të stërgjakosura po shoh mijëra të rinj që dalin çdo natë për t’i bërë ballë operacionit të amputimit identitar. Këta djem e vajza i kanë për heronj burrat e gratë e UÇK-së, janë hisedarë të trashëgimisë së kësaj organizate përbashkuese çlirimtare. Ata u rritën me idenë se e vërteta jonë dhe ajo e Perëndimit janë një, por nga data 16, Kosova ka dy histori: njërën në rrugë e tjetrën në arkivat e mbyllura të Hagës, me dëshmi e vendime në gjuhë të huaja, por në emrin tonë. Valixhet ishin të stërmbushura, radhët të stërzgjatura, fytyrat e shqiptarëve të lodhura përsëri, por entuziazmi ishte zëvendësuar nga një zell për t’u bashkuar në revoltë.
Ata që i janë gëzuar dënimit të UÇK-së dhe të kombit shqiptar, të mos gabohen. Kjo masë të rinjsh që ka mësuar se kush janë heronjtë e saj nuk është kortezh funerali, por lëvizje ringjallëse e një fryme që ka qenë e heshtur. Është koha për një brez të ri intelektualësh që veprojnë për atë që është e drejtë, që ndërtojnë mbi themelet e vendosura nga UÇK dhe të marr pishtarin e drejtësisë. Ata që janë dorëzuar, le ta dinë se cinizmi është strehë për mendjet e vogla dhe se kthesat e mëdha duken të pamundura, e pastaj ndodhin përnjëherë. Për ta rimarrë identitetin tonë, për t’i nderuar heronjtë tanë. Bashkohu!