Hajnat e Vetvetes

Partia që vjedhë votat e kandidatëve të saj pranon diçka shumë më shumë se një strategji thjesht taktike. Ajo pranon se i mungon besimi tek zgjedhësit e saj, se nuk respekton elektoratin e saj dhe se përmban skepticizëm ndaj vetë mekanizmave përmes të cilave kërkon legjitimitet.
Afrim Haliti
Loading Icons...
test12

Hajnat e Vetvetes

Afrim Haliti
Loading Icons...

Groucho Marx thoshte se kurrë nuk do të dëshironte të bëhej pjesë e një klubi që do ta pranonte si anëtar. Kjo deklaratë në formë shakaje mishëron ironi të thellë, duke shërbyer si një kritikë e egos dhe konceptit të përkatësisë. Megjithatë, në Kosovën e sotme, ky pohim tejkalon zgjuarsinë e humorit duke tingëlluar më shumë si diagnozë morale që asnjë parti politike nuk e meriton më njeriun e ndershëm në radhët e veta, jo për shkak të pavlefshmërisë së njerëzve të tillë, por sepse vetë partitë e kanë bërë veten të padenjë për njerëz të ndershëm.

Ajo që po shohim sot tejkalon shëmtinë e vjedhjes së votave. Është vjedhje në mes sojit. Kandidatë të vjedhur nga duart e kolegëve të tyre, vota të ridrejtuara fshehurazi për t’u përshtatur me dëshirat dhe aspiratat e dinamikës së pushtetit partiak, duke shkaktuar konflikt të heshtur brenda çdo strukture partiake ku besnikëria vlerësohet jo nga vlerat themelore por nga afërsia me shefin e partisë. Ky fenomen nuk është thjesht rivalitet konkurrues por kanibalizëm partiak në emër të kohezionit organizativ.

Ështe fyerje e thellë fakti që qytetarët votojnë me besimin se po zgjedhin një individ të caktuar, vetëm për ta kuptuar më vonë se vullneti i tyre redaktohet dhe manipulohet në mënyrë të hollësishme nga strukturat e po të njejtës parti. Kësisoj, demokracia kthehet në prodhim teatral ku audienca ftohet të marrë pjesë vetëm sa për të mos prishur skenarin. E në këtë skenar votuesi është vetem dekor, kandidati i partisë njëri i këmbyeshëm e partia mekanizëm që i nënshtron të dytë sa herë që ndihet e rrezikuar.

Tragjedia më e madhe nuk është se kjo po ndodh, por se kjo po ndodh në secilën parti. Nëse do të ishte e kufizuar në një parti të vetme, një fraksion të vetëm ose në një skandal diskret, atëherë do të kishim luksin të flisnim për reformë. Por kur e zhytur është secila parti, kur ndryshon vetëm shifra e jo natyra e krimit, kur edhe mbrojtja e krimit degradohet në krahasim infantil se kush vodhi më shumë, atëherë problemi nuk është më devijim por kulturë politike.

Në një mjedis të tillë, njeriu i ndershëm bëhet veç se përgjegjësi problematike. Kandidati me integritet shndërrohet në rrezik. Mendimi i pavarur konsiderohet kërcënim. Integriteti prish qetësinë e manipulimit e ndërgjegja bën pyetje që sistemi nuk mund t’i akomodojë. Rrjedhimisht, individët e një kalibri të tillë ose shtyhen në periferi, heshten ose udhëzohen të përshtaten nëse dëshirojnë të mbijetojnë brenda strukturës. Prandaj sot deklarata e Groucho Marxit merr kuptim të përmbysur, pra nuk është se ti nuk duhet të duash të jesh pjesë e këtij “klubi”, por është “klubi” ai që nuk të meriton ty.

Partia që vjedhë votat e kandidatëve të saj pranon diçka shumë më shumë se një strategji thjesht taktike. Ajo pranon se i mungon besimi tek zgjedhësit e saj, se nuk respekton elektoratin e saj dhe se përmban skepticizëm ndaj vetë mekanizmave përmes të cilave kërkon legjitimitet. Ajo pranon se pushteti vlen më shumë se përfaqësimi, se kontrolli vlen më shumë se pëlqimi dhe rezultati më shumë se çdo moral.

Aspekti më alarmant i situatës aktuale nuk është thjesht se hajnia ka ndodhur, por që shumëkush po habitet vetëm nga përmasat e jo nga vetë fakti. Ky fenomen ilustron shkallën në të cilën kanë renë pritjet tona si shoqëri. Ne jemi mësuar ta perceptojmë manipulimin si kusht normativ, korrupsionin si zhurmë e degradimin moral si lajm të radhës. Por rreziku i vërtetë qëndron mu në këtë realitet, sepse kur shoqëria bëhet e desensibilizuar ndaj ngjarjeve të tilla, rrezikohet vetë themeli i demokracisë.

Sot në Kosovë, akti i anëtarësimit në parti politike ka kaluar nga një manifestim i përfshirjes qytetare në testim të durimit moral. Nuk ka më vlerë se çka beson, por sa je në gjendje të durosh për ta heshtur ndërgjegjën.   Dyert janë të hapura, ftesat janë aty, strukturat janë gati të të pranojnë, dhe pikërisht për këtë arsye, çdo njeri me dinjitet duhet të ndalojë në hyrje dhe të reflektojë nëse ky është “klubi” në të cilën duan të hyjnë.

Për shkak se sot për sot, qëndrimi më i drejtë politik në Kosovë qëndron jashtë të të gjitha partive politike, duke vëzhguar nga distanca një sistem të zgjebosur, dhe jo duke pritur ndonjë lider apo strateg më të mirë e më të zgjuar, por duke pritur diçka që në Kosovë është shumë më e rrallë: një rilindje morale, për të cilën asnjë nga strukturat ekzistuese nuk duket se ka më kapacitet.