FIFA i nënshtrohet Trump

Ndërhyrja e pretenduar e Donald Trumpit në një vendim të FIFA-s shënon një precedent të rrezikshëm, duke vënë në pikëpyetje pavarësinë e institucioneve sportive dhe kufirin mes politikës e futbollit
Andi Haxhiu
Loading Icons...
test12

FIFA i nënshtrohet Trump

Andi Haxhiu
Loading Icons...

Tashmë është kristal e pastër se rregullat e pashkruara të ruajtjes së integritetit dhe pavarësisë së institucioneve – nacionale dhe supranacionale – nuk vlejnë për Presidentin Trump.

Para pak ditësh, ai telefonoi selinë e FIFA-s për të kërkuar që një vendim në fushë të ndryshohet nga zyra. Kaq mjaftoi. Brenda pak orësh, kartoni i kuq i sulmuesit Folarin Balogun, dhënë pas rishikimit të VAR-it në ndeshjen përballë Bosnje-Hercegovinës, u zhduk nga regjistri i ndeshjes sikur të mos kishte ndodhur kurrë. Që nga viti i largët 1962, asnjë vendim disiplinor gjatë Kampionatit Botëror nuk ishte kthyer mbrapsht. Këtë radhë ndodhi me intervenimin e një kreu shteti.

Reagimet erdhën shpejt. Sepp Blatter, ish-president i FIFA-s, ngriti një dilemë etike mbi mënyrën se si telefonatat po u mbivendosen rregullave. UEFA, institucioni kryesor i futbollit evropian, reagoi për një “vijë të kuqe” që kaloi me interferimin e Trump në vendim-marrjen e gjyqtarëve të ndeshjes SHBA – Bosnje dhe Hercegovinë. Belgjika, ekipi që do të ballafaqohet në 1/16 e kampionatit botëror me SHBA-të, kërcënoi me ankesë zyrtare duke cituar nene konkrete të Kodit Disiplinor.

Në krejt këtë katrahurë brenda FIFA-s që erdhi si pasojë e kësaj telefonate nga Presidenti i SHBA-ve, diskutimi ka tejkaluar kornizat sportive. Tashmë po diskutohet një precedent tepër i rrezikshëm që vijon si pasojë e pashmangshme e cenimit të autonomisë institucionale. Nëse një ekip kombëtar ka aksesin e “duhur” politik, a bëhen rregullat e negociueshme?

Kur thërret Trump, duket se edhe Gianni Infantino, udhëheqësi i një federate sporti me 211 anëtarë, kthehet në një personalitet infantil. I pafuqishëm dhe i nënshtruar brenda logjikës transaksionale të Presidentit Trump.

Dilemat që lindin janë natyrshëm politike në thelb: Pse pikërisht tash vëmendja e Trump kthehet te futbolli? A ka lidhje kjo me kampanjën e suksesshme të SHBA-ve në fazën e grupeve si shteti mikpritës i botërorit 2026? Pse ky konflikt interesi kaq lehtësisht i vërejtshëm në politizimin e sportit më të popullarizuar në glob?

Futbolli mbetet një nga hapësirat ku kombi flitet më shpesh dhe kontestohet më rrallë. Është një arenë e riprodhimit identitar; është ambienti ku valojnë flamujt dhe kulmon krenaria kombëtare. Në nivel kombëtaresh, futbolli bën atë që gjenerata politikanësh nuk e arrijnë dot përmes diplomacisë. Ndonëse ky lexim për rëndësinë e sportit duket i ekzagjeruar, telefonata e Trump duket ajo e një “presidenti-tifoz” të zhytur në ekstazën e entuziazmit kolektiv që ka kapluar SHBA-në përgjatë eventit më të madh në planet — kampionatit botëror.

Ndonëse askush s’bërtiti nga tribuna se kartoni ishte i padrejtë, Presidenti Trump e mori telefonin dhe e ndryshoi vendimin. Logjika e tribunës hyri në zyrën ovale, dhe, ironikisht, zyra ovale ka mjete që tribuna nuk i ka: një linjë direkte te presidenti i FIFA-s. Kështu që, kartoni i anuluar zbulon se rregulli sportiv, ai që zakonisht paraqitet si neutral dhe universal, mund të kthehet në një çështje force të pastër kur dikush ka fuqinë ta kërkojë hapur.

Ka edhe një shtresë tjetër ironie këtu. I suspenduari Folarin Balogun do të mungonte pikërisht në ndeshjen që zhvillohet në orët e para të 7 Korrikut mes Shteteve të Bashkuara dhe Belgjikës. Trump e do krejt “artilerinë” e lojtarëve të pranishëm në fushë për të kërkuar fitoren. Një humbje eventuale nga Belgjika do të ishte poshtërruese për slloganin “Make America Great Again.” Një humbje nga shtëpia e Bashkimit Evropian, të paktën simbolikisht, do të ishte makthi i një Presidenti që ka sulmuar rregullisht kontinentin e vjetër përgjatë këtyre viteve pushteti.

Në të dyja shpjegimet, telefonata shpërfaqë se edhe zyra ovale (keq)përdoret për qëllime krejtësisht absurde. Megjithatë, futbolli ka dëshmuar jo rrallë herë se nuk është thjesht çështje sporti. Në nivel kombëtaresh është edhe betejë krenarie. Sa më gjatë qëndron ekipi kombëtar i SHBA-ve në garë, aq më i madh entuziazmi dhe euforia tek qytetari amerikan. Sa më thellë në garë, aq më afër jetësimit të sloganit të MAGA-së. Sa më e thellë fitorja potenciale përballë Belgjikës, aq më shumë poshtërrohet Brukseli zyrtar nga Uashingtoni.

Përtej këtij absurdi “banal” të repertorit të nacionalizmit që pompohet në ndërlidhjen mes krenarisë kombëtare dhe sportit, politizimi i FIFA-s rrezikon shtrembërimin e një truizmi që e kemi besuar për shumë kohë: sporti është shtëpia e meritokracisë së idealizuar. Aty, më shumë se kudo tjetër, fiton ekipi që e meriton.

Kjo telefonatë, megjithate, tejkalon sportin shumëfish.  Nëse futbolli, loja që gjysma e planetit e beson ende si terren të mundësive të barabarta, mund të ndryshohet me një telefonatë presidenciale, atëherë a kanë institucionet e tjera vendim-marrëse “imunitet” nga interferimet e tilla nga “të fortit” e politikës.