

Vëmendja retorike e kryeministrit Edi Rama është ngulur për nga sistemi gjyqësor në javët e fundit, me një betejë të ashpër si gjyqësore, ashtu edhe publike, që ai ka ndërmarrë kundrejt Shoqatës së Gjyqtarëve, e cila kërkon rritje pagash të konsiderueshme për veten, duke shkuar deri te zgjidhja përmes vendimeve të vetë Gjykatës për ta marrë këtë hap.
Nga vetë shoqata, kryeministri është paraqitur si një person që po e shantazhon gjyqësorin përmes ashpërsisë publike me të cilën po i adresohet problemit. Një tjetër shoqatë e re prokurorësh, iu bashkëngjit thirrjeve për mos-shantazhim të gjyqësorit.
Por beteja e Ramës nuk është një betejë politike, sa thellësisht parimore dhe demokratike.
Ajo kërkon që Shqipëria të mos bëjë kalimin përfundimtar në një ‘Republikë të Gjyqësorit’ me një hap që mund të jetë thellësisht i gabuar dhe ku shteti është palë në një proces tashmë të drejtuar për nga Kushtetuesja.
Pse është e tillë? Sepse nuk ka në botë asnjë demokraci funksionale, ku gjyqësori të imponojë mbi sistemin vetë kompetenca të ekzekutivit.
Në asnjë demokraci funksionale nuk ekziston një sistem gjyqësor që i përcakton vetë pagat e tij. Ky është një parim themelor i ndarjes së pushteteve: gjyqësori gjykon, por nuk administron fondet publike.
Vendosja e pagave është gjithmonë kompetencë e pushtetit ligjvënës, ose e ekzekutivit në bashkëpunim me Parlamentin, sepse bëhet fjalë për përdorimin e parave të taksapaguesve dhe për politika publike që kërkojnë legjitimitet demokratik.
Në Shtetet e Bashkuara, pagat e gjyqtarëve federalë caktohen me ligj nga Kongresi. Gjykatat kanë pranuar se pavarësia e tyre duhet mbrojtur nga uljet arbitrare të pagave, por kanë refuzuar çdo ide që gjyqtarët të mund t’i rrisin vetë pagat përmes vendimeve gjyqësore.
E njëjta logjikë vlen në vendet kryesore të Bashkimit Evropian si Gjermania, Franca apo Italia, ku pagat e gjyqtarëve përcaktohen nga ligje dhe buxhete shtetërore të miratuara nga parlamentet.
Në Mbretërinë e Bashkuar funksionon një komision i pavarur për pagat e gjyqtarëve, por edhe aty rekomandimet e tij nuk janë vetë-ekzekutive: Qeveria dhe Parlamenti marrin vendimin përfundimtar. Edhe kur gjykatat kushtetuese ndërhyjnë, ato mund të rrëzojnë vetëm ulje të padrejta ose ndëshkuese të pagave, por nuk caktojnë shuma konkrete dhe nuk urdhërojnë rritje.
Prandaj, standardi ndërkombëtar është i qartë: Pavarësia e gjyqësorit mbrohet duke garantuar paga të qëndrueshme dhe dinjitoze, jo duke i dhënë atij të drejtën të vendosë vetë për to.
Këtë edhe vetë Rama nuk lë kohë pa e përmendur, ku shpalos faktin se në Shqipëri, pagat e gjyqtarëve janë më të lartat në rajon dhe të krahasueshme me ato të Greqisë, vend i Bashkimit Evropian.
Kryeministri dukshëm nuk kërkon goditjen e gjyqësorit, sa mbrojtjen e ekzekutivit, e bërthamës demokratike të vendit që drejton me votë popullore të fituar në zgjedhjet e fundit.
Çdo përpjekje që gjyqësori të përcaktojë ose të imponojë rritjen e pagave të veta përmes gjykatave do të binte ndesh me parimet bazë të shtetit të së drejtës dhe do të cilësohej rrjedhimisht e papranueshme në çdo demokraci të konsoliduar.
Andaj, duke parë mungesën e precedentit botëror, një precedent i tillë shqiptar do të ishte një damkë në funksionimin e demokracisë (a priori) të brishtë shqiptare.