Arkitekët shqiptarë, të përndjekur në shtëpinë e tyre

Historia na ka mësuar se shqiptarët janë një popull që nuk i dorëzuan kurrë miqtë në kohë të errëta. Por sot, në kohë paqeje dhe "zhvillimi", duket se kemi gjetur një armik të ri për të dëbuar nga shtëpia: vetveten
Astrit Nixha
Loading Icons...
test12

Arkitekët shqiptarë, të përndjekur në shtëpinë e tyre

Astrit Nixha
Loading Icons...

Mbyllini sytë dhe paramendojeni një portret në ëndërr: Një personazh me dosje në dorë, vrapon duke u munduar ta mbrojë dosjen me xhaketën e vet. Nuk është vonë, por rrugës nuk i dihet. Mban skajin e trotuarit, thua është një hebre në kohë të luftës dytë botërore. Por jo, evidente që nuk është, nuk mban në mëngë shenjën e verdhë me yllin e Davidit.

Kalon rrugën me shpejtësi, afrohet te bashkia, nuk e lënë të afrohet më shumë… Në refleksion të mermerit të zi të bashkisë ka siluhetë të zezë… Mos është person me ngjyrë në kohë të aparthaidit?

Zgjohet i djersitur nga mankthi. Aaaa, mos kini merak, është vetëm një arkitekt shqiptar, me plagë të hapur, para festivalit “Bukë e Zemër 2026”…

Historia na ka mësuar se shqiptarët janë një popull që nuk i dorëzuan kurrë miqtë në kohë të errëta. Por sot, në kohë paqeje dhe “zhvillimi”, duket se kemi gjetur një armik të ri për të dëbuar nga shtëpia: vetveten.

Më 3 Qershor 2026, në Tiranë do të mbahet edicioni i dytë i festivalit “Bukë e Zemër”. Tema kuratoriale këtë vit është “Nga Portreti te Peizazhi” (From Portrait to Landscape). Por ironia e vërtetë, peizazhi më i zymtë që po vizatohet këtu, nuk është fizik; është social dhe profesional- portreti ynë nuk kalon.

Vitin e kaluar, nën po këtë titull, dëgjuam një predikim pothuajse hyjnor se si ky vend “nuk tërheq me parà, por me besimin në një ëndërr”, se si këtu nuk ka rregullore “që të mbysin” dhe se ky festival ishte një “Bajram i shpirtit” ku egoja e pushtetit, si në historinë e Ibrahimit, sakrifikohej për një vizion të përbashkët.

Por në atë altar, nuk u sakrifikua as egoja, as pushteti. U flijua arkitekti shqiptar.

Të jesh arkitekt shqiptar sot do të thotë të kesh një portret të një qytetari të dorës së dytë në peizazhin tënd. Jemi kthyer në dëshmitarë të një realiteti absurd, një paradigme ku ne, që njohim baltën, dritën, traditën dhe “papërsosmëritë” e kësaj toke, zhvishemi nga e drejta për të projektuar fytyrën (Portretin) e qyteteve tona.

Por ama durojmë objekte me portrete në peisazhin tonë. Po duket ata kanë portrete më të përshtatshme… Vetëm paramendojeni çfarë mund të kishte ndodhur nëse projektuesi i të njëjtit objekt do të kishte qenë shqiptar. Do të ishte i gozhduar në kryq.

Ndërkombëtarëve u ofrohet një Shqipëri e “lirë nga rregulloret që mbysin”, një kanavacë ku ligji hap rrugë para “bekimit” të politikës. Ndërsa për ne, rregulloret, burokracia dhe mendësia “nuk din ti” ose “ç’ke ti, ta them unë”, mbetën një damkë dallimi.

Dhe tani, ofendimi i fundit i kësaj “mikpritjeje të shenjtë”: Festivali fton këtë “ushtri” globale të sjellë miq, nën moton “sillni pak kripë”. Ndërkohë, arkitekti shqiptar, i cili presupozohet të jetë mikpritësi i shtëpisë, duhet të paguajë një biletë hyrjeje për t’u lejuar në këtë “mjedis të përbashkët për dialog” dhe t’i bëjë temena “yjeve” që po i ridizajnojnë atdheun.

Paguajmë për të qenë spektatorë në humbjen e hapësirës sonë. Paguajmë për të parë se si autorësia autoktone fshihet me pretekst të portretit.

Bukën dhe zemrën ia shtruam “eksperimentit të përbashkët” të arkitektëve nga të dyja hemisferat. Po kripa që po mblidhet? Me sa duket, paska mbetur vetëm për ne. Jo për t’i dhënë shije “Peisazhit të Bollëkut”, por për të na e hedhur pa mëshirë mbi plagët e një profesioni, të cilit po i mohohet e drejta, dinjiteti dhe hapësira në shtëpinë e tij.

A është ky vizioni ynë? Apo kemi pranuar heshturazi të jemi të përjashtuarit e rinj të një Shqipërie që admiron çdo gjë, përveç te qenurit shqiptar?