Amerika po e “vret” Dayton-in e saj

Nga stabiliteti i Dayton-it te pasiguria e re: Një ekuilibër i brishtë në rishikim
Gerta Zaimi
Loading Icons...
test12

Amerika po e “vret” Dayton-in e saj

Gerta Zaimi
Loading Icons...

Më 11 maj 2026, Christian Schmidt, pas gati pesë vitesh si Përfaqësues i Lartë për Bosnjën dhe Hercegovinën, mbikëqyrësi i bashkësisë ndërkombëtare për zbatimin e Marrëveshjeve të Paqes së Dayton-it të vitit 1995 që i dhanë fund luftës së përgjakshme civile në Bosnjë, (të cilat e ndanë Bosnjën dhe Hercegovinën në dy entitete, Republika Srpska me shumicë serbe dhe Federata boshnjako-kroate që ka shumicën e popullsisë), ka marrë vendimin për t’i dhënë fund mandatit të tij.

Sipas vetë Schmidt largimi ndodh për arsye personale, duke shkaktuar një periudhë të re pasigurie politike dhe do të vazhdojë në detyrë derisa të emërohet një pasardhës, me dy italianë në garë.

Lamtumira për opinionin publik mund të duket e papritur, por nuk është surprizë për vëzhguesit më të afërt të Bosnjës, dhe ai vetë pothuajse e pranoi këtë muajin e kaluar.

Ishte “një vendim personal”, thotë vetë ai në një deklarate të postuar në faqen zyrtare të internetit të Përfaqësuesit të Lartë ), e cila specifikon se Schmidt e ka informuar tashmë Këshillin e Zbatimit të Paqes, organin ndërkombëtar përgjegjës për zbatimin e marrëveshjeve të paqes, për vendimin e tij.

Në deklaratë, Schmidt bën thirrje që të fillojë procesi për të identifikuar një zëvendësues. Vetë fjalët në korridoret e Brukselit flasin për mundësinë e një italiani. Schmidt, në letrën e tij të lamtumirës, kujtoi gjithashtu se “asnjë nga vendimet” që ai mori si kreu i OHR-së “nuk është revokuar kurrë” dhe siguroi se roli i Përfaqësuesit të Lartë “mbetet i rëndësishëm”.

Pa dyshim Schmidt nuk ka gëzuar asnjëherë simpati në qarqet ndërkombëtare, por fjalët që ndjekin largimin e tij janë më shumë se një dorëheqje e thjeshtë. Me gjasë bëhet për lojëra më të gjera të pushtetit që po luhen brenda një konteksti ku Bosnja është bërë një hapësirë tjetër e tërheqjes së litarit SHBA-BE, dhe ku vihet në pah ringjallja politike e separatistit të mbështetur nga Rusia, Milorad Dodik, nën kujdesin e pikërisht Uashingtonit.

Pra çfarë fshihet pas vendimit të Schmidt? Dhe kush mund të jetë italiani që do të ishte zëvendësues i tij?

I urryer nga udhëheqja serbe e Bosnjës dhe Milorad Dodik në veçanti, i panjohur nga Banja Luka (kryeqyteti i Republikës Serpska) dhe Moska, dhe shpesh i kritikuar për anshmërinë e tij të dyshuar në favor të kroatëve, Schmidt ka paguar çmimin, mbi të gjitha, për “muajt e presionit nga Shtetet e Bashkuara” që synojnë dorëheqjen e tij, sipas gazetarit Michael Martens, i cili, në Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), parashikoi largimin e Përfaqësuesit të Lartë.

SHBA-të e Trump thuhet se kohët e fundit kanë përshpejtuar “në mënyrë agresive” përpjekjet e tyre për të larguar Schmidt, madje edhe “me një ultimatum prapa skenave”, thotë gazetari. Emri i italianit i cili qarkullon në korridoret evropiane , është dikush që ka luajtur role ambasadori në Beograd dhe Moskë. Gjë që hedh dyshimin e pëlqimit të Beogradit dhe Moskës ndaj kësaj lëvizjeje.

Dhe mund të ketë lidhje midis këtij vendimi dhe miratimit të fundit dhe të diskutueshëm të Ndërlidhësit Jugor (projekti i tubacionit të gazit të lëngshëm midis Bosnjës dhe Kroacisë), tani nën drejtimin e SHBA-ve.

Dorëheqja e Schmidt vjen pikërisht në sfondin e fitimit të një kontrate prej 1.5 miliardë dollarësh për krijimin e këtij tubacioni. Dhe jo me aktor SHBA-të si shtet, por me një kompani amerikane të themeluar në nëntor të vitit të kaluar, dhe të drejtuar nga avokati personal i Donald Trump, Jesse Binnall, dhe Joe Flynn, vëllai i ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare të Trump në mandatin e tij të parë, Michael Flynn.

Duhet kujtuar që Flynn dha dorëheqjen për shkak dyshimeve të lidhjeve të tij me zyrtarët rusë mbi heqjen e sanksioneve të SHBA-ve, sipas asaj çka deklaron The Guardian.

Me sa duket, SHBA-të kanë vendosur të “mbështesin shkaktarin më të madh të problemeve në rajon, Dodik, aleatin më të ngushtë të Putinit” në Ballkan, duke e larguar Schmidt në këmbim të mbështetjes për interkonektorin “made in the USA“, sipas analistit Reinhard Veser në FAZ.

Kujtojmë që nën një fushatë lobimi Milorad Dodik arriti të dalë jashtë listës së sanksioneve nga SHBA-të. Kjo sepse SHBA-të, përballë prespektivës së largimit të BE-së nga Moska, duan të jenë aktori kryesor për shpërndarjen e gazit të lëngshëm në Evropën juglindore dhe qendrore.

“Gjithmonë nën sulmin e Moskës, Përfaqësuesi i Lartë u rrëzua nga SHBA-të, me BE-në të dobët dhe të pafokusuar”, tha ish-kryeministri suedez Carl Bildt.

Më i lumturi në këtë situatë është Dodik, i cili e kishte quajtur Schmidt një “turist të pafuqishëm”. Schmidt “po largohet nga Bosnja në të njëjtën mënyrë siç mbërriti këtu: pa legjitimitet”, shkroi Dodik në X.

Dhe i lumtur nga fitorja e tij Dodik në X gjithnjë deklaron “Fitorja e Banja Lukës ndaj Sarajevës është një fitore historike dhe jetësore, jo vetëm politike. Kjo është arsyeja pse ne duhet të bashkohemi rreth politikave sovraniste në Republikën Serbe. Rreth politikave që fuqizojnë, që përfaqësojnë popullin”.

Por edhe pse skema gjeopolitike mund të jetë kjo, një gjë duhet kujtuar me kujdes. Schmidt mbërriti në Bosnjë si një nder personat e afërt me Angela Merkel pikërisht për të mbështetur kroatin Andrej Plenkovic, pas gati një dekade lobimi nga establishmenti nacionalist kroat.

Dhe ajo çka Schmidt bëri gjatë mandatit të tij ishte mbështetja eksplicite e HDZ-së, partisë nacionaliste kroate, edhe në dëm të sundimit të ligjit.  Por pikërisht nacionalisti kroat Covic do të akordohet me Dodik, për largimin e tij, në këmbim të ëndrrave të tyre separatiste dhe krijimin e këtij projekti amerikan.

“Largimi i Milorad Dodik nga detyra mund të ketë ndodhur falë amendamentit të Schmidt në Kodin Penal të Bosnjës, por ai tashmë nuk është më nën sanksionet e SHBA-ve, dhe largimi i Schmidt do të jetë pasojë e vetë veprimeve të tij mbi të gjitha”, thotë analisti bosnjak Jasmin Mujanovic. “Pra, nëse Schmidt po largohet për shkak të një komploti, atëherë duhet të pranojmë se ai mbërriti edhe në atë mënyrë”, thotë gjithnjë Mujanovic.

Sido që të jetë, Bosnja po hyn në një periudhë turbulence të jashtëzakonshme tani, jo stabiliteti dhe paqendrueshmërie. Dhe kostot e kësaj nuk do të përballohen nga SHBA-të, as nga BE-ja, por nga publiku boshnjak, i cili është mbajtur në errësirë si nga udhëheqësit e tyre ashtu edhe nga zyrtarët ndërkombëtarë.

Vetë deklarata e Milorad Dodik në X tregon qartë që ai nuk ka hequr aspak dorë nga separatizmi dhe tashmë është i qetë nën mbështetjen amerikane dhe heshtjen evropiane, të cilëve pak ju intereson  sakrifikimi i sundimit të ligjit dhe demokratizimi i vërtetë për hir të marrëveshje në prapaskena gjithnjë e më të dyshimta.