

Kur Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar e mbështetën Kurtin për të ardhur në pushtet, askush prej tyre nuk e imagjinonte se problemi kryesor i kësaj qeverisjeje do të bëhej pikërisht kjo. Humbja e kohës së Kosovës.
Sepse një qeveri mund të gabojë në politika ekonomike, mund të bëjë vendime të diskutueshme në diplomaci ose mund të ketë konflikte politike të brendshme. Por kur një qeveri humb kohën e një shteti dhe qytetarëve të saj, ajo nuk po qeveris më. Ajo thjesht po e mban vendin në vend.
Dhe në një vend që ende po ndërton shtetin e tij, humbja e kohës është forma më e shtrenjtë e dështimit politik.
Kur nga një qeveri mbeten vetëm varfëria, degradimi dhe vitet e humbura, atëherë nuk kemi më qeverisje. Kemi vetëm një shtet që po konsumohet nga pushteti i vet.
Nuk po e them unë, po e thotë Draft raporti i Patlamentit Evropian.
Kur e lexon Draft raportin e fundit e Parlamentit Evropian për Kosovën, fillon me një formulim që në diplomacinë evropiane tingëllon pothuajse brutal.
Viti 2025 për Kosovën përshkruhet si një vit i humbur. Jo një vit i vështirë, jo një vit i komplikuar, por një vit i humbur. Në gjuhën e institucioneve evropiane kjo është një fjali që zakonisht shkruhet vetëm kur durimi ka arritur pikën zero.
Megjithatë në Kosovë kjo fjali, te opozita kaloi pothuajse pa zhurmë. Sepse ndërkohë politika e përditshme vazhdon të sillet rreth narrativave të brendshme, raportet që vijnë nga BE lexohen vetëm për aq kohë sa mund të përdoren për polemikë të ditës. Ndërkohë përmbajtja e tyre shpesh anashkalohet.
Në fakt raporti i Parlamentit Evropian nuk është një tekst që bën polemik dhe nuk është një deklaratë e opozitës dhe as një editorial kritik. Është një dokument institucional që përmbledh mënyrën se si Bashkimi Evropian po e sheh funksionimin e shtetit të Kosovës.
Pikërisht për këtë arsye gjuha e tij është më e ftohtë se çdo debat politik në Prishtinë. Dhe pikërisht për këtë arsye mesazhi është më i rëndë.
Raporti konstaton se Kosova ka rënë në Indeksin Global të Korrupsionit. Kjo do të thotë se perceptimi për korrupsionin nuk është përmirësuar, përkundrazi është përkeqësuar.
Ironia është se qeveria aktuale erdhi në pushtet pikërisht mbi premtimin se do ta bënte luftën kundër korrupsionit shtyllën qendrore të qeverisjes. Megjithatë kur një vend bie në indeksin global të korrupsionit, atëherë diçka në këtë narrativë nuk përputhet me realitetin.
Ndërkohë raporti përmend edhe një zhvillim tjetër që për një demokraci është po aq i rëndë. Kosova ka pësuar një rënie të ndjeshme në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit.
Në një vend që e ka ndërtuar identitetin e tij politik mbi idenë e lirisë dhe të demokracisë, një sinjal i tillë nuk mund të relativizohet lehtë. Sepse liria e shtypit nuk është vetëm çështje e mediave. Është një indikator i mënyrës se si pushteti e toleron kritikën.
Megjithatë raporti nuk ndalet këtu. Ai vëren se sundimi i ligjit mbetet një nga pikat më të dobëta të funksionimit të shtetit.
Institucionet që duhet të garantojnë drejtësinë dhe pavarësinë e ligjit vazhdojnë të perceptohen si të brishta dhe të ekspozuara ndaj presionit politik. Për një shtet që ende po ndërton institucionet e tij, kjo është një nga dobësitë më serioze që mund të ekzistojë.
Në të njëjtën kohë raporti përmend një bllokim të reformave politike dhe ekonomike. Pra ndërkohë që retorika politike në Kosovë shpesh është dramatike dhe plot deklarata për transformim të madh, ritmi real i reformave mbetet i ngadaltë.
Në praktikë kjo do të thotë se ekonomia nuk modernizohet me shpejtësinë që kërkon integrimi evropian dhe administrata publike vazhdon të funksionojë me logjikën e një shteti që ende nuk ka kaluar plotësisht në fazën e konsolidimit institucional.
Edhe në një nga fushat që qeveritë e fundit e kanë përdorur më shpesh si simbol të modernizimit, transformimin digjital, progresi mbetet shumë i kufizuar.
Sipas raportit vetëm një pjesë e vogël e objektivave janë realizuar. Në terma më të thjeshtë kjo do të thotë se modernizimi i administratës po ecën shumë më ngadalë sesa kërkojnë standardet evropiane.
Të gjitha këto gjetje nuk janë akuza politike. Janë indikatorë institucionalë që përdoren nga Bashkimi Evropian për të matur funksionimin e shteteve që pretendojnë integrimin evropian.
Prandaj rëndësia e tyre nuk qëndron vetëm në përmbajtje, por edhe në faktin se ato formësojnë perceptimin e partnerëve ndërkombëtarë për Kosovën.
Në këtë kuptim raporti duhet lexuar edhe si një pasqyrë e mënyrës se si Evropa po e sheh sot shtetin e Kosovës. Për shumë vite Kosova është trajtuar si një projekt politik që duhej mbështetur dhe stabilizuar.
Sot megjithatë pritjet janë të tjera. Evropa nuk kërkon më vetëm stabilitet politik, por kërkon institucione që funksionojnë realisht dhe reforma që prodhojnë rezultate të matshme.
Këtu qëndron edhe ironia e situatës politike në Kosovë. Sepse ndërkohë që qeveria aktuale ka ndërtuar një narrativë shumë të fortë morale për luftën kundër korrupsionit dhe për transformimin e shtetit, indikatorët ndërkombëtarë tregojnë një histori më pak heroike dhe shumë më të zakonshme.
Në politikën kosovare shpesh është besuar se mjafton një narrativë e fuqishme për të prodhuar realitet politik. Megjithatë raportet ndërkombëtare nuk lexojnë narrativat. Ato lexojnë indikatorët. Lexojnë mënyrën se si funksionon drejtësia, si trajtohen mediat dhe sa shpejt lëvizin reformat ekonomike dhe institucionale.
Prandaj ky raport i Parlamentit Evropian nuk është thjesht një dokument teknik.
Është një kujtesë se Kosova nuk mund të jetojë vetëm nga retorika politike. Një shtet matet nga institucionet që ndërton dhe nga rezultatet që prodhon.
Dhe nëse një vit përshkruhet si vit i humbur, atëherë pyetja nuk është vetëm se kush ka faj.
Pyetja është se sa vite të tjera mund të përballojë Kosova të humbasë ndërkohë që pretendon të bëhet pjesë e Evropës.