Aplikacione

Norvegjia do të gjobisë Meta-n me mbi 98 mijë dollarë në ditë për shkeljen e privatësisë


Meta Platforms do të gjobitet me 98 mijë e 500 dollarë në ditë për shkelje të privatësisë nga 14 gushti.

Kështu ka bërë me dije autoriteti i mbrojtjes së të dhënave të Norvegjisë, një vendim që mund të ketë implikime më të gjera evropiane.

Rregullatori Datatilsynet kishte thënë më 17 korrik se kompania do të gjobitej nëse nuk trajtonte shkeljet e privatësisë që rregullatori kishte identifikuar.

Po ashtu kishte thënë se Meta nuk mund të mbledhë të dhënat e përdoruesve në Norvegji, siç janë vendndodhjet fizike të përdoruesve, dhe t’i përdorë ato për të synuar reklamat ndaj tyre.

Këto reklama përfaqësojnë një model biznesi të zakonshëm për botën e teknologjisë.

Kompania kishte deri më 4 gusht për t’i vërtetuar rregullatorit se e kishte trajtuar çështjen.

“Që nga e hëna e ardhshme, një gjobë ditore prej 1 milion korona do të fillojë të zbatohet”, ka thënë Tobias Judin, kreu i seksionit ndërkombëtar të Datatilsynet për Reuters.

Gjoba do të zgjasë deri më 3 nëntor.

Datatilsynet mund ta bëjë atë të përhershëm duke ia referuar vendimin e tij Bordit Evropian të Mbrojtjes së të Dhënave, i cili ka fuqinë për ta bërë këtë, nëse është dakord me vendimin e rregullatorit norvegjez.

Gjithashtu kjo lëvizje mund të zgjerojë shtrirjen territoriale të vendimit në pjesën tjetër të Evropës. Datatilsynet ende nuk e ka ndërmarrë këtë hap.

Meta javën e kaluar ka njoftuar se synon t’u kërkojë përdoruesve në Bashkimin Evropian pëlqimin e tyre përpara se të lejojë bizneset të synojnë reklamat bazuar në atë që shohin në shërbimet e saj si Facebook dhe Instagram.

Judin ka treguar se ky hap nuk ishte i mjaftueshëm. Meta-s iu desh të ndalonte menjëherë përpunimin e të dhënave personale dhe deri në funksionimin e mekanizmit të pëlqimit.

Meta ka bërë me dije se ndryshimi u bë për të adresuar kërkesat rregullatore në rajon dhe rrjedh nga një urdhër në janar nga Komisioneri i Mbrojtjes së të Dhënave të Irlandës, rregullatori kryesor i Meta-s në BE, për të rivlerësuar bazën ligjore se si synon reklamat.

Norvegjia nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, por është pjesë e tregut të përbashkët evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore