Kosova

Një tjetër forum do të mbahet në Kosovë për punësimin e infermierëve në Gjermani


Mjekët në Kosovë.

“Punoni në Gjermani”, kështu është organizuar një forum gjermano-kosovar i infermierisë në Kosovë i cili do të mbahet më 15 tetor.

Ky forum ka për qëllim që të informojë stafin mjekësor të Kosovës për kushtet që ofrohen për punësimin në Gjermani si dhe për mundësitë e punësimit.

Këtë e ka bërë të ditur “Shoqata Evropiane për çështjet Kulturore dhe Sociale (EKSË), të cilët kanë theksuar se një forum i ngjashëm ishte mbajtur në vitin 2019.

“Pas forumit të suksesshëm në vitin 2019 dhe duke pasur parasysh nevojën e pandryshuar për infermierë të kualifikuar në RF të Gjermanisë si dhe interesimin e vazhdueshëm të njerëzve në Kosovë, ne kemi vendosur që në kuadër të këtij evenimenti t´i ftojmë përsëri qytetarët kosovarë”.

“Duke ju dhënë të interesuarve një perspektivë për një punësim apo edhe për t´ju mundësuar atyre një kualifikim profesional në profesionet, që kanë të bëjnë me kujdesin shëndetësor në Gjermani”, thuhet në njoftim.

Letra e publikuar nga “Shoqata Evropiane për çështjet Kulturore dhe Sociale (EKSË).

Në dokument është thënë se do të jetë një numër i gjerë i kompanive.

“Mund të jenë punëdhënësit tuaj potencialë nga të gjitha rajonet e Gjermanisë, me qëllim që ju të mund të njiheni me njëri-tjetrin”.

Ndryshe, sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, vetëm gjatë dy muajve të parë të 2022-ës nga Kosova janë larguar 41 mjekë: një specialist, 19 specializantë dhe 21 mjekë të përgjithshëm.

“Vitin e kaluar kanë qenë rreth 210 mjekë që kanë ikur nga Kosova”, nënvizoi Sejdiu, pa e përkthyer në një shifër tjetër shqetësuese: 4% e mjekëve e kanë lënë Kosovën brenda vetëm një viti. Por, paralajmërimi i tij ishte akoma më alarmues. “Nëse nuk merren masa do të rritet ikja dhe këtë vit 300 mjekë do të largohen”. Pra, edhe mbi 5% e mjekëve do të largohen sivjet, sipas doktor Sejdiut, i cili thekson se 108 mjekë veçse janë larguar në gjashtë muajt e parë të 2022-ës.

Nuk po ikin vetëm mjekët. Edhe infermierët po e lënë Kosovën.

Sipas Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, 400 infermierë janë larguar gjatë vitit 2021 dhe 900 të tjerë pritet të largohen sivjet.

Pagat e sektorit të Shëndetësisë në rajon

Gjatë vitit 2021, në Shqipëri janë rritur pagat e mjekëve deri në 40 për qind, duke arritur rreth 651 euro.

Sipas Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, vitin e kaluar mbi 3 mijë mjekë janë larguar nga Shqipëria për të ushtruar profesionin e tyre në Evropë, rreth 1 mijë prej tyre numërohen në Gjermani.

Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë, ka bërë të ditur se për vitin e ardhshëm shëndetësia do të marrë pjesën më të madhe të parave nga buxheti, rreth 630 milionë euro.

Edhe në Maqedoninë e Veriut pagat e mjekëve kanë shënuar rritje mes 40 dhe 50 për qind në periudhën 2017-2020, pas përshkallëzimit të situatës epidemiologjike me COVID-19.

Paga e bazë e një mjeku specialist në muajin shkurt të vitit 2021 ka qenë rreth një mijë e 800 euro.

Përveç pagës bazë, mjekët specialistë marrin 300 deri në 400 euro në muaj për kujdestaritë gjatë fundjavave, festave shtetërore dhe turnetë e natës.

Nga Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, rritja e pagave ka ulur ndjeshëm edhe largimin e mjekëve specialistë nga vendi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore