Lajme

Një gjykatë në Japoni nuk e cilëson ndalimin e martesave të së njëjtës gjini si jo-kushtetues


Në Japoni, një gjykatë ka vendosur se ndalimi për martesat brenda së njëjtës gjini është “në një gjendje antikushtetuese”.

Por nuk ka deklaruar se është diçka jo-kushtetuese, çka ka turbulluar debatin mbi të drejtat e komunitetit LGBTQ+.

Vendimi nga gjykata e qarkut Fukuoka i bëri jehonë një vendimi të vitit 2022 nga një gjykatë në Tokio dhe është vendimi i pestë dhe i fundit i pritur në sistemin e gjykatave të rrethit të Japonisë.

Pesë gjykatat e rrethit arritën individualisht në tre përfundime në përgjigje të padive nga anëtarët e komunitetit LGBTQ+.

Dy prej tyre kanë thënë se ndalimi i martesës së të njëjtës gjini është jo-kushtetues; njëri e ka cilësuar si kushtetues; dhe dy kanë thënë se është në një gjendje antikushtetuese.

Në vitin 2022, një gjykatë në Osaka ka thënë se ndalimi ishte në përputhje me kushtetutën e pasluftës, e cila e përcakton martesën si të bazuar në “pëlqimin reciprok të të dy gjinive”, ndërsa dy të tjera – në Sapporo dhe Nagoya – kanë thënë se politika shkelte kushtetutën.

Paditësit në çështjet gjyqësore të Sapporo, Osaka dhe Tokio kanë apeluar të gjithë kundër vendimeve pasi kërkesat e tyre për dëmshpërblim janë hedhur poshtë.

Gjykata e Fukuoka ka thënë se ligjet aktuale të martesës ishin në një gjendje që shkelin një seksion të nenit 24 të kushtetutës që i referohet “dinjitetit individual dhe barazisë së gjinive”.

Por gjykata vendosi se kuadri aktual ligjor nuk shkeli pjesë të tjera të kushtetutës, duke përfshirë një klauzolë që siguron barazinë përpara ligjit.

Japonia, i vetmi vend i G7-s që nuk njeh ligjërisht bashkimet e të njëjtës gjini, është nën presion në rritje për të promovuar barazinë martesore.

Gjykata në Fukuoka hodhi poshtë kërkesën e tre çifteve LGBTQ+ që shteti t’u paguante dëmshpërblim për mohimin e të drejtës për t’u martuar.

Katër gjykatat e tjera hodhën poshtë gjithashtu kërkesat për kompensim.

Një avokat i paditësve ka treguar se detajet e vendimit janë ende duke u verifikuar, duke shtuar se ai mendon se ka të ngjarë të jetë i ngjashëm me atë të gjykatës së Tokios.

Sakaq, këto vendime kanë rindezur debatin mbi bashkimet e të njëjtës gjini, disa ditë përpara se parlamenti i Japonisë pritet të miratojë një projektligj që do të promovojë mirëkuptimin e anëtarëve të komunitetit LGBT+, por nuk trajton mungesën e statusit ligjor për çiftet.

Projektligji duhej të debatohej përpara samitit të fundit të G7-s në Hiroshima, por kundërshtimi nga konservatorët brenda partisë Liberal Demokratike (LDP) në pushtet e detyroi qeverinë të paraqiste një version të zbehur.

Projektligji fillimisht thoshte se diskriminimi është i papranueshëm, por tani thotë se “diskriminimi i padrejtë” nuk duhet të tolerohet – formulimi që kritikët thonë se e ka bërë legjislacionin të pakuptimtë.

Teksa aktivistët kanë mirëpritur vendimet e gjykatave që e përshkruajnë ndalimin si shkelje të të drejtave kushtetuese, mungesa e unanimitetit mund të shihet si një pengesë e vogël në fushatën për barazinë martesore.

Lobet e biznesit kanë bërë thirrje për ndryshim, duke argumentuar se Japonia do të luftojë të mbetet konkurruese globalisht nëse nuk bën më shumë për të promovuar diversitetin, duke përfshirë barazinë martesore.

Më shumë se 300 komuna në Japoni lejojnë çiftet e të njëjtës gjini të hyjnë në marrëveshje partneriteti, por të drejtat e tyre janë të kufizuara.

Partnerët nuk lejohen të trashëgojnë asetet e njëri-tjetrit ose të kenë të drejta prindërore për fëmijët e njëri-tjetrit dhe nuk ka asnjë garanci ligjore që ata mund të vizitojnë njëri-tjetrin në spital.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore