Kosova

Nga shërbimi në UÇK tek liria e Kosovës, historia frymëzuese e ushtarit amerikan Michael Walter Spath


Foto: Albanian Post.

Michael Walter Spath, është vetëm një nga shembujt frymëzues të sakrificës dhe humanizmit që ushtarët amerikanë sjellin në misionet e tyre anembanë botës.

Ai ishte ndër amerikanët që shërbeu në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve 1998-1999, duke luftuar për lirinë e një shteti që ishte në rrezik të shfarosjes nga Serbia.

Një çerek shekulli më vonë, Spath, në një intervistë për Albanian Post, kujton sfidat e shumta që e shoqëruan Kosovën deri në çlirimin e saj duke nisur që nga sigurimi i ushqimit.

“Shqiptarët bënë gjithçka në mbështetje për ne, prandaj edhe i tejkaluam”, kujton ai.

Ai thekson se sakrificat që janë bërë ia kanë vlejtur, duke parë sot Kosovën të lirë dhe të suksesshme.

Për Spathin, pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin shumë më të familjarizuar me njëri-tjetrin sesa ushtria amerikane.

Ushtari amerikan Michael Walter Spath, gjatë luftës në Kosovë.

Në angazhimin e tij në luftën e Kosovës ai formonte ekipe që mund të vepronin me udhëzime të kufizuara si snajperë. Spath e sheh si shumë të rëndësishme që të përmend disa nga pjesëtaret qe kishte luftuar bashkë me ta, duke theksuar se “ekipet që kam pasur në Kosovë, janë më të mirat me të cilat kam punuar ndonjëherë në botë”.

“Ne ishim të parët me kontratë brenda kompanisë ndërkombëtare të pastrimit të minave”.

Ai luftoi së bashku me Adrian Berishën i cili tashmë thotë se “vazhdoi me Komunitetin Ndërkombëtar dhe punoi nga Iraku në Afganistan”.

“Heset Sashavari ka biznesin e tij në Gjermani, në një kompani të suksesshme kopshtarie dhe peizazhi. E të tjerët u transferuan në biznesin e sigurisë në Austri, madje njëri u bë hoga në Shqipëri”.

“Kështu që unë do të thosha në tërësi, ne kemi shkruar histori”.

Intervista e plotë e Michael Walter Spath për Albanian Post:

Albanian Post: Zotëri Spath, si e kujtoni ditën kur Kosova u çlirua dhe cili ishte angazhimi juaj për çlirimin e Kosovës?

Michael Walter Spath: Atëherë edhe sot u ndjeva shumë mirë dhe tejet i lumtur. Në këtë pikë e dija që ne e kemi shkruar historinë në Kosovë sidomos në Koshare, ishte hera e parë, ku nuk u vranë ushtarë të huaj përmes luftimit.

Motivimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të siguruar lirinë e Kosovës dhe të çdo shqiptarit ishte i mrekullueshëm e po ashtu edhe angazhimi ndërkombëtar që bota tregoi për Kosovën dhe qytetarët e saj, para se gjithash Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sigurisht Bundeswehr-i në kuadër të operacioneve të KFOR-it.

Puna ime në këtë luftë, ishte të formoja ekipe që të mund të vepronin me udhëzime të kufizuara si snajperë, rikonstruktim, synim të interesit dhe të mbështesnin veprimet e njësisë në përkrahje të mbrojtjes ose kundër masave.

Albanian Post: Cilat ishin sfidat me të cilat u përballët gjatë kohës suaj që qëndruat në Kosovë?

Michael Walter Spath: Mendoj se sfidat më të mëdha ishin marrja e pajisjeve të duhura për punën. Sigurisht që këto probleme ekzistonin gjatë gjithë luftës, veçanërisht municionet dhe ushqimet për t’i dërguar ato në linjat e frontit. Megjithatë, qytetarët shqiptarë bënë gjithçka për të na mbështetur neve, prandaj edhe i tejkaluam”.

Ushtari amerikan Michael Walter Spath, gjatë luftës në Kosovë.

Albanian Post: Pas 25 vitesh, ku konsideroni se Kosova ka ndryshuar?

Michael Walter Spath: Epo, para së gjithash që Kosova është e lirë dhe e njohur si Republikë dhe shtet i pavarur, mendoj se kjo është më e rëndësishmja për të shënuar suksesin e lirisë. Qytetarët mund të jetojnë pa u shtypur nga serbet, nw shoqëri tw lirë dhe demokratike dhe natyrisht shkollat.

Por duhet edhe të punohet veçanërisht në arenën politike, mbi të gjitha në fushwn e diplomacisë ndërkombëtare.

Albanian Post: Çka ju solli deri te vendimi që të angazhoheni për lirinë e Kosovës?

Michael Walter Spath: Pjesa më e madhe e situatës për të cilën isha në dijeni tashmë në ushtrinë amerikane. Por, motivimi im kryesor ishin në fakt gjyshja dhe gjyshi im, të cilët kishin shqiptarë që jetonin me ta në vitet ‘60 dhe ‘70, ndërsa Gjermania po rindërtohej pas Luftës së Dytë Botërore.

Albanian Post: Çka e dallon përvojën tuaja në Kosovë me ato të ushtrisë në SHBA?

Michael Walter Spath: Epo, dallimi ishte motivimi për të luftuar për një komb, për lirinë e tyre. Përveç kësaj, vëllazëria ishte shumë më e madhe se në ushtrinë amerikane. Sigurisht që kishte pasiguri gjatë luftës nga disa, por kjo u tejkalua përmes suksesit të misionit.

Albanian Post: Cila është një këshill që do të dëshironit ta përcjellni për ata që planifikojnë të marrin pjesë në misione paqeje në të ardhmen?

Michael Walter Spath: Epo, unë mendoj se gjëja më e rëndësishme është gjithmonë faktori njerëzor, i cili përfshin ekspertizën e vërtetë dhe njohuritë për vendin, njerëzit dhe një pamje të qartë se cili është qëllimi për të arritur, kështu që kjo do të thotë një aspekt realist i një situate, gjithashtu edhe angazhimi i ardhshëm.

Këtë mund ta mësoni vetëm nëpërmjet përkushtimit në mbarë botën dhe sigurisht përmes sensit të përbashkët për të vlerësuar mundësitë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore