Shqipëria

Në Shqipëri çmimet e paketave turistike nuk janë rritur shumë, tregon Eurostat


Sipas Eurostat, entit të statistikave në Bashkimin Evropian, çmimet e paketave turistike në Shqipëri janë rritur shumë pak gjatë korrikut të vitit 2024, duke e rreshtuar vendin mes atyre 10 ku ofertat janë ulur, ose rritur më pak se të tjerat.

Në bazë të të dhënave të publikuara nga Eurostat, çmimi i paketave turistike në korrik shënoi një rritje të lehtë me 1.4%. Kjo bën që Shqipëria të futet ndër 10 vendet me rritje të ulët.

Nga ana tjetër, kryesojnë për rritje të fortë çmimesh Turqia, Franca dhe Italia. Ndërsa, me një ulje të ofertës së paketave, radhiten Norvegjia, Malta, Finlanda dhe Mali i Zi.

Një rekord i vërtetë ka qenë ai i Turqisë, ku çmimet e paketave turistike janë rritur me thuajse 50% krahasuar me një vit më parë. Por, sërish, Turqia mbetet shumë konkurruese në atë çfarë ofron dhe me investimet e shkuara në mega-resorte dhe infrastrukturë, kuptueshëm mbetet një prej ofertave turistike më të mira dhe të volitshme në Evropë.

Në Francë ndërkaq, paketat turistike shënuan rritje të fortë me 22.2%, por edhe këtu, oferta e larmishme franceze, mes kulturës, bregdetit jugor dhe qyteteve të mrekullueshme, bën që vendi mos ta vuajë në kërkesë rritjen e çmimit të paketave.

Në Itali rritja ka qenë gjithashtu e fortë me 19%. Historia, kultura dhe bregdeti i vyer megjithatë bën që edhe Italia, të mos e vuajë shumë këtë në aspektin e tërheqjes turistike.

Një rritje e madhe u vu re edhe në rajon sa u takon paketave turistike, me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, ku këto gjatë korrikut kanë shënuar rritje me mbi 15%.

Kësisoj, rritja e Shqipërisë mbetet tejet e ulët dhe e volitshme, mbi të gjitha kur mendohet se oferta turistike është shumë më e madhe në vendin tonë se në dy fqinjët.

Mali i Zi është konkurrenti i vetëm i vërtetë në rangun e Shqipërisë. Kjo edhe për shkak të investimeve të mëdha të shkuara në infrastrukturë në vijën bregdetare, të cilat Shqipëria po i plotëson vetëm në vitet e fundit me hapa të shpejtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore