Kosova

Në Serbi thonë se veprimi i Kurtit për reciprocitet është “pezullim i dialogut me mbështetjen e QUINT-it”


Zoran Milivojeviç

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të zbatojë reciprocitet në raport me Serbinë për veturat që hynë në Kosovë dhe gjithashtu për serbët që futen nga Serbia në Kosovë.

Targat e veturave mbulohen me ngjitës, derisa ato vetura që kanë tabela serbe me iniciale të qyteteve të Kosovës, kanë të drejtë të aplikojnë për regjistrim me targa KS.

Qytetarët serbë ndërkohë, kur të futen në Kosovë do të pajisen me një dokument/letër të përkohshme lëshuar nga Qeveria e Kosovës.

Krejt njëjtë vepron edhe Serbia në raport me kosovarët, por ish-diplomati serb, Zoran Milivojeviç, deklaron për mediumin në gjuhën serbe Kosovo Online se “Albin Kurti praktikisht po e pezullon dialogun me një vendim arbitrar për kartat e identitetit dhe targat dhe se për këtë ka mbështetjen e QUINT-it”.

Ai beson se problemi më i madh është se nuk ka asnjë reagim nga Brukseli për vendimet e Prishtinës dhe se kjo ndodh dy ditë pas takimit të Kurtit me përfaqësuesit e QUINT-it.

Gjithashtu, përkon me kohën kur përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, gjendej në Prishtinë.

“E gjithë kjo na tregon se në fakt Kurti ka mbështetjen e këtyre faktorëve për një qëndrim të tillë dhe se në fakt për BE-në është e pranueshme platforma nga e cila flet Kurti dhe është një platformë që mund të flitet vetëm për njohje|”.

“Kjo do të thotë se mesazhi që morëm kur kancelari gjerman Olaf Scholz ishte në Prishtinë, në fakt ishte një platformë e re e BE-së, një platformë për njohje reciproke”, tha Milivojeviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore