Kosova

Në kërkim të fajtorit, për 100 ditëshin e Qeverisë Kurti


Kuvendi i Kosovës

Debati parlamentar për 100 ditshin e qeverisjes Kurti 2 ka vazhduar edhe këtë të martë, në Kuvendin e Kosovës.

Edhe pse kjo seancë është vazhdim i asaj të djeshmes, Kryeministri Albin Kurti nuk ishte i pranishëm.

Të pranishëm nuk ishin as ministrat. Përvec Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanollit.

Seanca parlamentar, ka filluar me fjalimin kritikues të deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Fitim Uka, ndaj opozitës.

“Besoj që 100 ditshi i opozitës e meriton një analizë mbase edhe një debat parlamentar. E di që 100 ditshi i kësaj qeverie nuk është i përsosur por është larg të qenurit ashtu siç e përshkruan opozita”.

Uka, ka përmendur premtimet e mëdha të qeverive të kaluara duke shtuar se asnjëri nga to nuk u realizua.

“Kur opozita flet për punësimin e të rinjve dhe kërkesën e tyre për të ikur nga vendi a duhet fillimisht të na tregojë se çfarë u bë me 200 mijë vendet e punës që kanë qenë pjesë e planeve dhe programeve të tyre qeveritare? Çfarë ka ndodhur me festat e përvitshme të liberalizimit të vizave?”, tha Uka.

Ndërsa deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka replikuar me deputetin Uka, duke i rikujtuar atij se seanca e ditës së martë është mbledhur për 100 ditshin e qeverisë Kurti e jo për 100 ditëshin e qeverive të kaluara.

“Debati është thirrur për 100 ditshin e qeverisë dhe, deputeti Uka, të dalë e të flasë për 100 ditshin e opozitës deri sot nuk ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës përveç se ata që janë të shkolluar për mashtrim dhe devijim të debatit”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu, ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje me kauzën e demarkacionit e ka humbur mundësinë e Kosovës për liberalizimin vizave.

“Çakorrin e Zhlebin tash e keni harruar, e tash po e paditni Malin e Zi për disa pushimore në deti sepse tash luksi iu ka hyrë në qejf”.

Bashkëpartiaku i Haxhiut, deputeti Abelard Tahiri, ka kërkuar përgjegjësi më të madhe nga qeveria dhe Kryeministri Kurti.

“Mendojmë që vendi ka nevojë për një qeverisje më dinamike, për një angazhim më të madh për rimëkëmbjen ekonomike. Bizneset nëse i nxen edhe një valë e mbylljes pa angazhim të qeverisë dhe pa ndihmesë të saj, mendoj se do të jetë degraduese dhe shkatërruese për vendin tonë”, ka thënë Tahiri.

Tahiri, ka përmendur edhe shtimin e rasteve të reja me COVID-19 si dhe mundësinë e një mbylljeje të re.

“Po e shihni se numrat po rriten shumë, po kërcënohemi nga një mbyllje e re, edhe efektiviteti i shpërndarjes së vaksinave nuk po duket në këtë rast. E lusim qeverinë që ta rrisë këtë angazhim, që t’i shtojë ekipet dhe të jetë më shumë prezentë në qytetet e Kosovës në mënyrë që të bëjë të mundur një vaksinim sa më të madh të qytetarëve para shtatorit”, ka shtuar më tej Tahiri.

Edhe deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqi, ka kritikuar qeverisjen Kurti duke cilësuar qeverinë si të dështuar që në fillim të punës së saj.

“Në këtë 100 ditësh nuk kemi parë asnjë plan konkret që ka të bëjë me integrimin e vendit. E vetmja gjë që kemi parë është ministrja Gërvalla dhe qëndrimet e saj skandaloze në rrjetet e saj. Kjo qeveri ka dështuar që në start të ofrojë diçka të mirë për qytetarët. 100 ditë dështim, dëshpërim dhe humbje shprese”, ka thënë Krasniqi.

Në anën tjetër deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, ka ironizuar me raportin 100 ditësh të qeverisë Kurti.

“Pasi dëgjova raportin voluminoz të kryeministrit, kisha përshtypjen që po flet një kryeministër me shtatë koka bërthamore por u preka shumë se nuk e futi edhe arritjen kulminante të tre mujorit të parë raketën e deputetit të LVV-së Jahja Koka”, ka htuar Kastrati.

Deputeti, Kastrati ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi, duke e thënë se me këtë proces, Kryeministri Kurti duke bërë teatër.

“Kryeministri është fokusuar komplet në dialog. Duhet të mbetet një ndër prioritetet e para për Kosovën sepse është interes vital i Kosovës të përfundojë me njohje reciproke, sepse prodhon për ne subjektivizmin ndërkombëtar të këtij shteti, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Duhet të dialogohet por jo të bëhet teatër”.

Ndërsa, Deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, e ka quajtur kryeministrin Kurti, “demagog, hipokrit e diferencues të tmerrshëm politik”.

Ajo ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet përmes “propagandës, gënjeshtrave, manipulimeve dhe premtimeve utopike”, duke shtuar se 100 ditëshi i kësaj qeverie “është dështim”.

Sipas deputetes Musliu, Kurti në dekada të tëra ka ndërtuar e rindërtuar pseudo kauza kundër të gjithë atyre që nuk i shkonin mbrapa si turmë ashtu sic e quan Musliu “të hipnotizuar”.

“Ai nuk kurseu as jetët e njerëzve. Duke thurur monologë teorikë se si do ta shndërronte Kosovën në një parajsë për ndjekësit e tij, ai vuri kritere aq të pa arritshme sa që sot çdo ditë po merr thua në to”, ka thënë Musliu.

Sa i përket dialogut, Musliu ka thënë se si prioritet ishte i radhitur diku në fund të listës së qeverisë aktuale ndërsa “tani kemi mbi 100 ditë qeverisje me një kryeministër që hodhi tutje të gjitha premtimet që i ripërtypi me dekada, prandaj nuk ishte për tu çuditur që para 100 ditësh Albini krijoi një kabinet qeveritar me njerëz jo kredibil dhe totalisht të papërgatitur”.

“Disa thonë se nuk ka kuadro por e vërteta është se ai nuk do kuadro, ai do sahanlëpirës të tij që mund t’i kontrollojë 100 për qind”, shtoi ajo.

Po ashtu, deputetja nga opozita ka potencuar se Kurti dikur i quante “tradhtarë” dialoguesit me Serbinë.

“Kur jemi te dialogu me Serbinë, ai dikur i quante tradhtarë dialoguesit me Serbinë, i quante jo transparent dhe të pa aftë, në këtë kontekst ai premtoi se do të raportonte në kuvend para dhe pas takimeve në Bruksel, se nuk do të ulej me Vuçiçin pa kërkim falje dhe pa u zgjedhur fati i të zhdukurve, sot ai shkon në takim me të sa herë të ftohet dhe nuk raporton”.

Sipas saj, realiteti tregon qartë se ky kryeministër “nuk ka as parime e as fijen e dinjitetit. Realiteti tregon se Kurti i ka gënjyer qëllimshëm qytetarët për t’i fituar votat e tyre dhe për të ardhur në pushtet”.

Kritikë opozitës ka pasur edhe nga ana e deputetes së LVV-së, Fatmire Kollqaku.

“Ky debat i filluar dje për 100 ditshin e qeverisë, prej shume nga deputetët duket se po flasim për një periudhë 4 vjeçare e jo për një periudhë krejt tjetër kohore.

Kollqaku, punën e qeverisës së Kosovës për vaksinimin e qytetarëve e ka konsideruar si storie suksesi.

“Në kaq pak kohë duke mos trashëguar as një vaksinë të siguruar nga qeveria paraprake, as kontratën e as udhëzimin administrativ të pa përfunduar, kjo qeveri arriti ta përgatitë bazën ligjore, ta nënshkruajë kontratën për sigurimin e mbi 1 milionë e 200 mijë doza të vaksinës Pfizer.

Ajo, ka siguruar qytetarët se Kosova nuk ka mungesë të vaksinave duke bërë apel për vaksinim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore