Lajme

Në Bakhmut kanë nevojë urgjente për tanke të reja


Këto tanke janë po aq të vjetra sa unë, thotë një i moshuar ukrainas, i cili është zotuar të mbrojë qytetin e Bakhmut-it, ku së bashku me Soledar-in, po zhvillohen luftimet më të ashpra në frontin e vijës së parë së luftës në Ukrainë.

Në realitet, është kjo e vërteta e trishtë, ku mbrojtësit e Kievit nuk kanë mjetet e nevojshme për t’u mbrojtur nga sulmi rus, por po bëjnë të pamundurën të ruajnë pozitat e tyre.

Me mjete ushtarake të reja, të prodhuara në Perëndim, situata ndërkohë mund të kthejë krejtësisht rrjedhë.

Shpërthime të fuqishme dëgjohen vazhdimisht në rajonin lindor ukrainas, i cili qëndron ende stoik, për të mos e lejuar Moskën të marrë të gjithë Donetsk-un, e kësisoj krejtësisht ta përpijë rajonin e Donbassin në vetvete.

Bora e dendur në vende të caktuara po kthehet po ashtu në një problem real për forcat ukrainase, pasi mjetet sovjetike të vjetërsuara, të cilat ata i kanë në zotërim, nuk janë aq të fuqishëm sa për t’i bërë ballë edhe acarit atmosferik të sjellë prej dimrit.

Mjetet perëndimore gjithsesi kërkojnë mjeshtëri tjetër në të ngarë dhe për këtë arsye, stërvitja e përbashkët me aleatët e NATO-s ka filluar.

Efektivët ukrainas po trajnohen nga ata amerikanë apo britanikë, për të përdorur anti-raketorët Patriot apo tanket e njohura Challenger të prodhimit anglez, apo ato të prodhimit gjerman, Leopard.

Shahu i frontit është i ngrirë momentalisht. Veçse, me një lëvizje ruse të mëtejshme, gjithçka mund të rindizet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore