NBA/ Warrios marrin fitoren e radhës, nuk ka këndellje për Lakers

SHFLETO

Golden State Warriors vs Sacramento Kings

albanianpost
04.02.2022 8:12
Loading Icons...

Golden State Warriors po vazhdojnë me formë të mirë në NBA, të cilët morën fitoren e tetë radhazi.

Warriors këtë radhë mposhtën në shtëpi skuadrën e Sacramento Kings, me rezultat 126:114.

Stephen Curry nuk ishte në mbrëmjen e tij më të mirë, i cili realizoi vetëm 20 pikë e shtatë asistime, por një lojë e mirë ekipore solli suksesin e vendasve në këtë sfidë.

Më i dalluari në parket ishte basketbollisti i Sacramento-s, Davion Mitchell, i cili realizoi 26 pikë e tetë asistime.

Los Angeles Clippers vs Los Angeles Lakers

Ndërkohë, LeBron James vazhdon të jetë një mungesë e madhe për Los Angeles Lakers, të cilët pësuan humbjen e katërt në pesë ndeshjet e fundit.

Lakers këtë radhë u mposhtën në udhëtim nga Los Angeles Clippers, me vetëm një pikë epërsi, 111:110.

Më i dalluari në këtë mbrëmje ishte Anthony Davis, i cili realizoi 30 pikë e 17 kërcime, derisa te Clippers u dallua Marcus Morris me 29 pikë e shtatë kërcime.

Në ndeshjen tjetër, Phoenix Suns është ndalur pas 11 fitoreve radhazi, ku këtë herë u mposht nga Atlanta Hawks me shifrat 124:115.

Atlanta Hawks vs Phoenix Suns

Basketbollisti i Atlanta-s, Trae Young, ishte më efikasi në këtë sfidë, i cili realizoi plot 43 pikë, ndërsa te Suns u dallua Devin Booker me 32 pikë të realizuara.

Pavarësisht humbjes, Suns vazhdojnë t’i prijnë tabelës në Konferencën Perëndimore, të cilët kanë 41 fitore dhe 10 humbje.

Humbje pësoi edhe lideri i Konferencës Lindore, Chicago Bulls, të cilët u mposhtën pas vazhdimeve nga Toronto Raptors, me rezultat 127:120.

Koha e rregullt e këtij takimi përfundoi me shifrat 114:114, derisa në kohën shtesë, vendasit e Totonto-s u treguan më të saktë duke shënuar shtatë pikë më shumë se Chicago.

Toronto Raptors vs Chicago Bulls

Malazezi, Nikola Vucevic ishte më i miri i mbrëmjes, i cili realizoi 30 pikë, 18 kërcime e katër asistime, ndërsa lojë të mirë shfaqi edhe DeMar DeRozan, duke kontribuar me 28 pikë, gjashtë kërcime e shtatë asistime.

Ndërkohë, Miami Heat mori një fitore të rëndësishme në udhëtim te San Antonio Spurs, me shifrat 95:112.

Derisa si mysafir fitoi edhe Minnesota Timberwolves, të cilët mposhtën Detroit Pistons, me shifrat 117:128.