Kosova

Murati i reagon sërish Asociacionit të Komunave: Ligji tashmë është në fuqi, keni kohë deri më 15 shtator


Hekuran Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar sërish nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook” pas vendimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës për të dërguar Ligjin për Tatimin në Pronën në Gjykatën Kushtetuese.

Ai ka thënë se Ligji i ndryshuar për Tatimin në Pronë tashmë është në fuqi pas votimit të deputetëve kosovarë e dekretimit nga Presidentja e Kosovës dhe kësisoj nuk mund të kthehet mbrapa, ndërsa ka përsëritur se komunat do të kenë kohë deri më 15 shtator për të pranuar zbritjen.

“Përmes këtij ligji, mundësohet falja e faturave të tatimit në pronë deri në 100 euro për secilin tatimpagues, dhe komunat duhet të vendosin më së largu deri më 15 shtator për këtë zbritje”, ka shkruar ministri Murati.

Shefi i “kuletës së shtetit” ndër të tjera ka thënë se të gjitha komunat do të kenë mundësinë që të zvogëlojnë “barrën tatimore” për qytetarët, ashtu siç kanë kërkuar dhe sëkëndejmi t’i kursejnë shumicën prej tyre nga pagesa e këstit të dytë që duhet të bëhet muajin shtator.

“Në rast miratimi nga komuna, qytetarëve që tashmë kanë paguar faturën e tatimit në pronë, shuma e paguar u llogaritet parapagim për faturën vijuese”, ka përfunduar ministri Murati, i cili gjatë ditës ka konsideruar se dërgimi i ligjit në Gjykatën Kushtetuese është “absurditet dhe lojë” e disa komunave.

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka paralajmëruar se do të dërgojë Ligjin për Tatimin në Pronë në Gjykatën Kushtetuese me arsyetimin se Qeveria e Kosovës nuk është konsultuar hiç me Komunat e Kosovës dhe frikës se do të humbasin dhjetëra miliona euro.

Asociacioni i Komunave pritet ta dërgojë Ligjin për Tatimin në Pronë në Kushtetuese

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore