Mungesa e librave përsëritet, “loja” e MASHT-it dështon sërish

SHFLETO

Foto: Albanian Post

Altina Marmullaku
03.09.2024 16:48
Loading Icons...

Edhe këtë vit procedurat e përzgjedhura nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për sigurimin e librave shkollore po krijojnë sfida të mëdha për nxënësit dhe prindërit, duke vështirësuar edhe nisjen e vitit të ri shkollor.

Për shkak të mungesës së librave në libraritë lokale, prindërit po detyrohen të lëvizin nga komuna në komunë për t’i siguruar ato.

Nga ankesat që janë bërë nga prindërit rezulton se fëmijët të cilët studiojnë në nivelin fillor përballen me mungesën e një planprogrami të unifikuar, pasi mësimdhënësit shpesh kërkojnë libra të ndryshëm për të njëjtën lëndë.

Ish ministri i Arsimit, Rexhep Osmani, vlerëson se çështja e furnizimit të librave para dy vitesh ka qenë shumë më mirë e rregulluar sesa tani.

“Çështja e furnizimit të nxënësve me libra edhe kjo para dy vitesh ka qenë më mirë e organizuar, ministria e Arsimit ka siguruar tekstet, ka bërë kontrata me botuesit, e ka pasur pasqyrën e shpenzimeve dhe çmimeve të librave në mënyrë më të plotë edhe i ka shpërndarë librat në drejtori komunale të Arsimit”, ka thënë Osmani për Albanian Post.

Për shkak të parregullsive që po ndodhin Osmani kërkon që kjo çështje të trajtohet dhe të vlerësohet shumë më drejt sesa aktualisht.

“Vështirësitë e nxënësve me tekste janë paraqitur në disa segmente, prandaj kjo e rëndon situatën e nxënësve me tekste shkollore për fillim të vitit dhe mendoj që duhet të merren disa masa të ministrisë së Arsimit”.

Disa nga librat shkollorë të nxënësve të klasës së gjashtë

Përveç të gjitha këtyre problemeve me libra, ai përmend edhe një problem tjetër.

“Aktualisht qenka edhe një problem i zëvendësimit të librave të reja me ato të vjetra, që mund të ndodh që nuk janë në frymën e programeve të reja”.

Ndërsa, eksperti i çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, në një përgjigje për Albanian Post e ka cilësuar si “joefektive” dhe “joefikase” mënyrën e sigurimit të librave të ndjekur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) këtë vit dhe vitin e kaluar.

“Kjo në radhë të parë pasi që kemi të bëjmë me ngarkesë në zinxhirin e shpërndarjes, por edhe me ngarkesë të prindërve e shpesh edhe me mungesë të librave në librari të caktuara, kështu që prindërit janë të detyruar të shkojnë në qytete të tjera të shpenzojnë mjete financiare, por edhe kohën për të siguruar librat për fëmijët e tyre”.

Ai thekson se metodat aktuale nuk kanë qenë të duhura, duke kërkuar një qasje më efektive për të ardhmen.

Albanian Post ka dërguar pyetje në ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë lidhur me furnizimin e librave dhe sfidave me të cilat po ballafaqohen prindërit, por që deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’ka pranuar përgjigje.

Deri në vitin shkollor 2023/24, shkollat në gjithë Kosovën kanë përcaktuar se me cilat libra duan të punojnë, të njëjtat i kanë dërguar listat e tyre në Drejtorit Komunale të Arsimit dhe më pas drejtoria i ka përcjellur ato lista në Shtëpitë Botuese, të cilat i kanë përgatitur librat dhe nxënësit kanë gjetur të gjitha librat e nevojshme në bankat e tyre në ditën e parë të shkollës.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Kur ka përfunduar procesi, Ministria e Arsimit i ka paguar Shtëpitë Botuese për librat.

Me arsyetimin se nuk janë marrë vesh për çmimet, Ministria e Arsimit ka vendosur që të shkëpus këtë zinxhirë bashkëpunimi dhe t’ua dërgojë paratë direkt në xhirollogari prindërve, nëse ata vendosin të aplikojnë në platformën e-Kosova për rimbursim.

Përveç se është komplikuar procesi, meqë tash prindërit angazhohen të pyesin njëherë në shkollë se çfarë libra duhet të blejnë, më pas të dalin t’i blejnë ato vetë, të aplikojnë në e-Kosova, ta mbushin formularin dhe të presin rimbrusimin.

Për më tepër, i gjithë plani nuk bënte as sens ekonomik, nëse qëllimi ka qenë shpenzimi më i vogël.

Tani, në vend që ministria të paguajë direkt shtëpitë botuese duke e paguar librin aq sa e shet shtëpia botuese, librat do të blihen nga dora e dytë në librari, ku futet edhe fitimi i librarit që shet librin të cilin paraprakisht e ka blerë nga shtëpia botuese.

E njëjta Qeveri në vitin 2022 nuk kishte gjetur zgjidhje për fillimin e procesit mësimor, kjo pasi sindikatat kishin hyrë në grevë për të kërkuar rritje të pagave.

Në vitin 2022, greva që nisi rezultoi të jetë greva më e madhe që është mbajtur ndonjëherë në Kosovë.