Kosova

MPJD apelon mërgimtarët të shmangin kalimin përmes Serbisë pas vrasjes së policit


Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), pas pretendimeve nga ana e Serbisë se një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur nga i dyshuari Artan Hajrizi nga Kosova ka thënë se është duke përcjellur zhvillimet dhe ka apeluar tek mërgimtarët t’i shmangin lëvizjet përmes Serbisë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me pretendimet e Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiç për një incident në magjistralen afër Loznicës në Serbi, ku pretendon që ka mbetur i  vrarë një polic serb dhe i përfshirë në këtë rast sipas tij është një shtetas i Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë për media.

Ndërkaq, ka theksuar se qytetarët do të mbahen të informuar lidhur me këtë rast.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar opinionin publik për këtë rast dhe apelon te mërgimtarët dhe qytetarët e Kosovës që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër Serbi dhe sipas vlerësimit të situatës të shmangin lëvizjen përmes territorit serb”.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka thënë se nuk ka për të shtuar asgjë përveç asaj që është publike për këtë rast dhe që organet e sigurisë në Kosovë po grumbullojnë informacione.

“Autoritetet tona kompetente, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Policia, do ta informojnë publikun për gjendjen aktuale se ku jemi dhe çfarë duhet bërë në të ardhmen”.

Kërkesa e tij ka qenë që të mospolitizohet ky rast.

“Edhe unë pres që të japin deklaratat e tyre profesionale, sepse ne besojmë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, por të trajtohet si e tillë, nga pikëpamja e sigurisë, ligjore dhe profesionale”.

Një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur rëndë rreth orës 00:55 të enjten në Loznicë të Serbisë, derisa sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, i dyshuari është Artan Hajrizi nga Kosova.

“Policia në vend të ngjarjes ka gjetur pasaportën e të dyshuarit të lëshuar nga institucionet e Kosovës në emër të Artan Hajrizit, 33 vjeçar”, tha Daçiç për mediat serbe.

Raportohet se vrasja ka ndodhur rreth orës 00:55, kur zyrtarët policorë teksa kanë qenë duke kontrolluar veturat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, e kanë ndaluar një veturë të tipit Mercedes me targa të Tutinit të Serbisë në të cilën kanë qenë dy persona.

Njëri prej personave ka shtënë me armë duke e goditur zyrtarin policor Nikolla Kërsmanoviç në gjoks dhe zyrtarin policor Iliç Vjekosllav në shpatull dhe më pas ka ikur.

Më pas, të dy zyrtarët policorë janë transportuar në Spitalin e Lozninës, derisa Kërsmanoviç ka vdekur si pasojë e plagëve të marra.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes dhe kolegëve të policit të vrarë.

“Isha jashtëzakonisht i tronditur nga lajmi për vdekjen e policit Nikolla Kërsmanoviç, i cili u vra në një sulm tinëzar duke kryer me nder detyrën e tij të vështirë”, tha ai.

“Humbja e tij është e pariparueshme, jo vetëm për ju, familjen e tij, por për mbarë vendin tonë”, shtoi.

Sipas Vuçiç-it, i ndjeri ishte një hero i vërtetë i cili ia kushtoi jetën mbrojtjes së të tjerëve dhe guximi dhe profesionalizmi i tij e udhëhoqën në të gjitha sfidat dhe rreziqet që kishte shërbimi i tij.

Vritet një polic dhe një tjetër plagoset në Serbi – i dyshuari një kosovar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore