Kosova

Mitrovica e Veriut anëtarësohet në Asociacionin e Komunave të Kosovës


Ilustrim

Komuna e Mitrovicës së Veriut të martën e 22 gushtit është pranuar në Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit të Asociacionit të Komunave të Kosovës të martën është bërë votimi për anëtarësimin e Komunës së Mitrovicës së Veriut në AKK.

Pas anëtarësimit, Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, është shprehur i lumtur për këtë anëtarësim, për çka ka falënderuar delegatët e Kuvendit të Asociacionit.

Ndryshe Komuna e Mitrovicës së Veriut, më 30 qershor, kishte marr vendim që t’i bashkohet Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Vendimi në fjalë u morr gjatë një seance të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut.

Kështu të paktën kishte bërë të ditur asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, Aida Doli.

“Sot, në Kuvendin Komunal, në Veriun e Mitrovicës, u votua pro bashkimit të Komunës Veriore të Mitrovicës në Asociacionin e Komunave të Kosovës”, kishte shkruar në Facebook, Aida Doli, këshilltare komunale.

Kjo votë, sipas saj, tregonte përkushtimin dhe mbështetjen për bashkëpunimin e fortë dhe përforcimin e qeverisjes lokale.

Asociacioni i Komunave të Kosovës është themeluar me 30 Qershor 2001 pas zgjedhjeve të para lokale e demokratike pas luftës së fundit në Kosovë.

Nga 38 Komuna sa ka Kosova, 35 prej tyre – përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut –  janë anëtare në Asociacionin e Komunave të Kosovës, të cilat marrin pjesë në aktivitete të Asociacionit japin ide e sugjerime, marrin pjesë në gjitha strukturat e Asociacionit që nga Kuvendi, Bordi, Këshilli i Kryetarëve dhe Kolegjiumet Profesionale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore