Lajme

Misioni i largët i Kinës në Hënë nis udhëtimin e kthimit


Kina ka thënë se sonda e saj hënore është ngritur me sukses nga ana e largët e Hënës për të filluar udhëtimin e kthimit në Tokë duke mbajtur mostrat e para të mbledhura ndonjëherë nga rajoni.

Media shtetërore kineze ka bërë me dije se moduli grumbullues i anijes Chang’e-6 u ngrit rreth orës 07:38 të së martës për të filluar udhëtimin e kthimit.

Të dielën, roboti u ul në një krater gjigant afër polit jugor të Hënës në një arritje të parë botërore të festuar nga komuniteti ndërkombëtar i shkencës.

Kina është i vetmi vend që ka zbritur në anën e largët të Hënës, duke e bërë këtë edhe më parë në vitin 2019.

Administrata Kombëtare Kineze e Hapësirës (CNSA) e ka përshkruar uljen dhe ngritjen e misionit si “një arritje të paprecedentë në eksplorimin njerëzor hënor”.

Ana e largët ose “e errët” e hënës – e cila shikon larg nga Toka – është teknikisht sfiduese për t’u arritur për shkak të distancës dhe terrenit të vështirë të kraterave gjigantë, të thellë dhe disa sipërfaqeve të sheshta.

Zyrtarëve të hapësirës u është dashur të përdorin një satelit për të drejtuar dhe mbajtur komunikimet me anijen Chang’e-6.

Kina synon të jetë vendi i parë që do të sjellë përsëri mostra shkëmbi dhe dheu nga ana e largët e Hënës, të cilat shkencëtarët kanë thënë se mund të jenë shumë të ndryshme nga formacionet shkëmbore në anën e afërt.

Media shtetërore sakaq ka publikuar video nga agjencia hapësinore e Kinës që tregojnë Chang’e-6 duke nxjerrë një krah të vogël dhe duke valëvitur flamurin kinez pasi mblodhi mostrat e çmuara.

Ky është misioni i gjashtë i Kinës në Hënë, i quajtur sipas perëndeshës së hënës Chang’e në mitologjinë kineze.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore