Kosova

Miratohet platforma e Politikës së Inteligjencës dhe Sigurisë për vitin 2023


Qeveria e Kosovës.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e të enjtes ka miratuar platformën vjetore të Politikës së Inteligjencës dhe Sigurisë për vitin 2023.

Pas miratimit të kësaj platforme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se kjo platformë do t’i dërgohet komisionit parlamentar dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) për veprim.

“Pas miratimit në Qeveri platforma vjetore e Inteligjencës dhe Sigurisë i dorëzohet organit mbikëqyrës parlamentar për informim dhe drejtorit të AKI-së për veprim”, tha Kurti.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla për shqyrtimin për propozim vendimin e ndryshimin e kushteve të hyrjes dhe regjimit për të huajt ka thënë se shtetasve të Singaporit duhet t’u mundesohet të hyjnë pa viza në Kosovë.

“Për shkak se shteti i Singaporit nuk figuron në listën e shteteve në të cilën Republika e Kosovës nuk aplikon në regjim të vizave. Me qëllim të eliminimit të paqartësive eventuale, propozojmë që të bëhet plotësimi i aneksit”, tha Gërvalla.

Po ashtu, ekzekutivi në mbledhjen e së enjtes ka miratuar strategjinë shtetërore për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit 2023-2028 si dhe planin e veprimit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se ngjarjet e fundit në Veri të vendit janë tregues se kërcënimet ndaj jetës, pronës dhe vlerave demokratike.

“Këto zhvillime vendore dhe ato ndërkombëtare kanë imponuar nevojën për hartimin e një dokumenti strategjik që është gjithëpërfshirës dhe që mundëson forcimin e reagimit të institucioneve dhe shoqërisë tonë kundrejt këtyre dukurive. Strategjia përcakton avancimin e politikave shtetërore, pra paraqet një politikë të bashkërenduar institucionale”, u shpreh ai.

Ministri tutje potencoi se strategjia bazohet në katër objektiva kryesore: parandalimin, mbrojtjen, ndjekjen dhe reagimin.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur edhe për vërshimet që kishin ndodhur në Pejë të shtunën e 24 qershorit ku humbën jetën dy persona nënë e djalë.

Gjatë fjalimit të tij ai sqaroi përballje me këto ndryshime klimatike është e vështirë.

“Ne do të fillojmë strategjinë e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike e cila vjen si rezultat i ligjit të parë për ndryshimet klimatike dhe jemi aktivisht duke u marrë në konsideratë në përshtatje të këtyre ndryshimeve gjatë projektimit të infrastrukturës”.

Teksa është shprehur se Kosovës i duhet më shumë se 1 miliardë euro për përshtatje të ndryshimeve klimatike.

“Po lobojmë për të siguruar që Kosova të ketë qasje drejtpërdrejt në fonde për këtë qëllim. Vlerësohet se Kosovës i duhen investime prej më shumë se 1.3 miliardë euro në infrastrukturë për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore