Kosova

MINT: Ndëshkohen katër operatorë pas adresimit të mbi 300 ankesave


Ilustrim.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrjes dhe Tregtisë (MINT), ka thënë se janë ndëshkuar operatorët kabllorë pas adresimit të mbi 300 ankesave nga ky dikaster.

Përmes një komunikate për media është thënë se gjobat janë shqiptuar ndaj katër operatorëve kabllorë.

“Ndëshkohen operatorët kabllorë pas adresimit në afat rekord të rreth 350 ankesave nga MINT”.

“Si rezultat i bashkëpunimit ndër-institucional efektiv dhe të shpejt, Komisioni i Pavarur për Media ka shqiptuar gjobë ndaj katër operatorëve kabllorë, për të cilët ka pasur ankesa se nuk i janë përmbajtur kushteve të kontratave me konsumatorët”, është thënë nga ky dikaster.

Ndërsa nga ky dikaster është pohuar se mbesin të përkushtuar për adresimin e secilës ankesë.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, mbetet maksimalisht e përkushtuar për të adresuar secilën ankesë, përbrenda afateve ligjore, tek institucionet përkatëse, në mënyrë që konsumatorëve t’u mbrohet e drejta e tyre e garantuar me ligj, dhe që shkelësit e ligjit, respektivisht të drejtave të konsumatorit, të ndëshkohen sipas legjislacionit në fuqi”.

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka dënuar të premten katër operatorë kabllorë në Kosovë, me 100 mijë euro.

Dënimet kanë ardhur pas ankesave të qytetarëve se operatorët nuk u janë përmbajtur kushteve të kontratave me konsumatorët.

Më 5 janar, MINT kishte paralajmëruar se do të ndërmerren veprime sipas ligjeve në fuqi ndaj operatorëve kabllorë, pas ankesave të më shumë se 100 qytetarëve në pak ditë.

Përmes një komunikate për media kishte thënë se me shqetësim janë përcjellur ankesat e qytetarëve ndaj disa operatorëve ekonomikë.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e njofton opinionin publik se është duke i përcjellë me shqetësim ankesat e shumta të qytetarëve ndaj disa operatorëve kabllorë në Republikën e Kosovës, shërbimet e të cilave janë të rregulluara me kontratë mes palëve”.

Tutje është sqaruar se këto ankesa janë pranuar në departamentin për mbrojtjen e konsumatorit në MINT.

Ky dikaster ka bërë thirrje që ankesat lidhur me këtë çështje qytetarët të vazhdojnë të ua përcjellin në kontaktet e tyre zyrtare.

Ankesat e qytetarëve në Kosovë, së fundmi kanë ardhur ndaj operatorëve kabllorë në vend për shkak të ndryshimit të listës së kanaleve televizive, pa ndonjë paralajmërim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore